Pas një muaji grevë, të hënën nisi viti i ri shkollor në Kosovë
Të hënën (3 tetor) nisi viti i ri shkollor në Kosovë, pas plot një muaji grevë në të gjitha institucionet arsimore publike.
Dyert e institucioneve arsimore u hapën, pasi sindikalistët morën vendim që greva e nisur më 25 gusht, të pezullohet deri në janarin e 2023-s.
Kryetari i Këshillit Grevist të sindikatave dhe njëherësh kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, i ka bërë thirrje Qeverisë që këta tre muaj t’i shfrytëzojë për të dialoguar me sindikalistët.
“Urojmë që kjo kohë të shfrytëzohet nga Qeveria për dialog, sepse janari i vitit 2023 vjen shpejt, por nuk është mirë të ndodhë prapë greva si kjo e tanishme”, tha ai të shtunën.
Grevistët kanë vazhduar ta kërkojnë shtesën mbi pagë në vlerën e 100 eurove, derisa të hyjë në fuqi Ligji i ri i pagave. Kërkesë e dytë është Ligji i skemave pensionale, të financuara nga shteti, të bëhet plotësim ndryshimi i tij duke eliminuar kërkesën e 15 vjetëve si kontribut dhënës para vitit 1990 gjegjësisht 1999 për arsimin, deri në fund të nëntorit 2022.
Qeveria deri më tani u ka ofruar 50 euro në muaj deri në dhjetor. Po ashtu, ekzekutivi ua ka ofruar të jenë pjesë përmbajtjesore e diskutimeve publike për Projektligjin mbi paga, e u premtoi reformë në sistemin pensional, duke e hequr pragun prej 15 vjetësh përvojë punë për ta përfituar pensionin. Ndërsa, propozimi i tretë ishte rritja e buxhetit prej 10 milionë euro për barnat esenciale.
Këshilli i Prindërve të Kosovës ka deklaruar se greva nisi në moment të papërshtatshëm, duke shtuar se ka lënë shumë pasoja.
“Raporte kolegiale të krisura, trekëndëshi fëmijë-mësimdhënës-prindër i ndrydhur dhe edhe një vit shkollor i çakorduar plotësisht”, thuhet në reagimin e Këshillit.
Ndërkohë, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka paralajmëruar kompensim të orëve të humbura.
Ndërkohë që SBASHK-u ka paralajmëruar se nuk do të ketë zëvendësim të orëve të humbura, ministrja Arbërie Nagavci ka bërë të ditur se ministria që ajo drejton do të formojë sot një grup punues për të rishikuar Udhëzimin Administrativ për Kalendarin e vitit shkollor dhe në bazë të tij do të bëhen riplanifikimet në shkolla.
“Janë shpërndarë të gjitha tekstet në komuna e shkolla sipas kërkesave të drejtorive komunale të arsimit, ndërsateksti i Gjuhës shqipe, klasa e pestë, tekst i ri i hartuar këtë vit, do të dërgohet brenda kësaj jave në shkolla”, thuhej në njoftimin e MASHTI-t.
Projektligji për paga, nga data 15 shtator deri më 6 tetor, është në procedurat e konsultimeve publike. Ai më pas duhet të miratohet në Qeveri dhe Kuvend dhe të publikohet në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës. Ligji hyn në fuqi tetë muaj pas publikimit në Gazetën Zyrtare.
Rruga Press