Është situatë vendimtare
Nga Hysamedin Feraj
Është situatë vendimtare:
I.
Vendimtare për forcimin e shtetimit të Kosovës, si sovranizim i mëtejshëm ndërkombëtar.
Kjo situatë u krijua nga qëndrimi amerikan, agresioni rus ndaj Ukrainës dhe ndarja e qartë e Serbisë prej Perëndimit lidhur me sanksionet ndaj Rusisë.
Ndryshe nga Grenelli dhe administrata Trump që e shihte për kryesore ekonominë, konkretisht bashkimin ekonomik Serbi-Kosovë dhe pagesën e faturave nga qytetarët e dy vendeve, administrata Biden e shikon për kryesore politikën: njohjen reciproke të dy shteteve. Në këtë situatë, për qeverinë Kurti 2, konkretisht për vetë KM Kurti, politika (“politics”) e shtetimit ka marrë përparësi ndaj politikave (“policy”) ekonomike të Kosovës. Me gjithë situatën e re të jashtme, në sjelljen e brendshme disa kanë mbetur në të vjetrën: përparësia e urgjencës ekonomike kundrejt urgjencës politike.
Kurti ka kuptuar urgjencën politike që e thotë situata, sepse as lufta në Ukrainë mund të mos zgjasë shumë, as qëndrimi amerikan mund të mos mbetet i përjetshëm. Prandaj është urgjencë të kapet çasti: carpe diem! Dhe nga situata të krijohet ngjarja: njohja reciproke.
Kjo njohje nuk është fundi, por është një hap i vlerësuar për i rëndësishëm nga mbështetësit tanë ndërkombëtarë drejt forcimit të sovranizimit dhe të shtetimit të Kosovës.
II.
Gjatë fushatës Albin Kurti ka deklaruar se dialogu me Serbinë dhe njohja nga Serbia është çështje e tretë apo e katërt. Tani duket se atë e ka në plan të parë.
Mirëpo strategjia “atëherë ke thënë…, tani po thua”, nuk është frytdhënëse.
Edhe kur i referohet parimit logjik të kundërthënies, vetëm formal e pa përmbajtje, dështon dyfish:
1. Logjikisht parimi thotë se dy pohime të kundërt, për të njëjtën gjë, në të njëjtin drejtim, në të njëjtën kohë nuk mund të jenë të vërtetë që të dy. Derisa vetë ajo strategji dëfton te dy kohë të ndryshme, “atëherë dhe tani”, tregon se parimi logjik nuk është shkelur. Me thënë “sot jam në Prishtinë” dhe me thënë të nesërmen “sot nuk jam në Prishtinë”, mbasi jam kthyer në Tiranë, nuk përbën kundërthënie, dhe të dy pohimet janë të vërtetë.
2. Politikisht: në praktikën politikë ka qëllime të mirë ose të këqinj, të drejtë ose të padrejtë, dhe ka mjete të saktë ose të gabuar. Qëllimet vlerësohen moralisht, mjetet kryesisht instrumentalisht. Në të dy rastet koherenca thjeshtë formale logjike nuk mjafton. Sepse, vetëm forma, pa përmbajtje, e shumta garanton se argumenti është i vlefshëm, pavarësisht se lejon çdo përfundim absurd, por kurrë nuk garanton se argumenti është i shëndoshë.
Me pohu mbas fillimit të luftës dhe në prag të bombardimeve nga NATO: “e duam pavarësinë e Kosovës (qëllimi), vetëm në rrugë demokratike e me mjete paqësore (mjetet)” mund të jetë logjikisht koherent, por politikisht kundërthënës ndaj qëllimit ose ndaj mjeteve. Sepse, ose duhet pohuar qëllimi i kundërt, “nuk e duam pavarësinë për shkak të mjeteve që përdorin NATO dhe UÇK-ja”, ose duhet pohuar e kundërta lidhur me mjetet: “e duam pavarësinë në rrugë luftarake dhe me mjetet ushtarake”. Mbas përcaktimit amerikan (dhe tani po ashtu europian) për dialogun me qendër njohjen reciproke me thënë dialogu është çështje e tretë apo e katërt dhe punësimi e të ardhurat ekonomike të para dhe të dyta, siç është thënë para atij përcaktimi, mund të jetë koherencë logjike, por është inkoherencë politike lidhur me qëllimin e plotësimit (gradual) të sovranitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës. Ka qenë koherencë ndaj qëllimit kur po ai popull që kishte mbështetë vetëm rrugën paqësore dhe demokratike mbështeti UÇK-në dhe NATO-n. Masivishit e duarthatë thërriste: “jemi UÇK”! Është koherencë ndaj qëllimit kur mbas ripërcaktimit të SHBA-ve për qendrën e dialogut me Serbinë, po ai popull që priste zgjidhjen në plan të parë të vështirësive socio-ekonomike e shikon për më parësore njohjen reciproke, sepse situata ndërkombëtare mund të ndryshojë po aq beftë.
III.
Në art dhe në natyrë nuk përcakton koherenca logjike:
Politika është art, krijim i ngjarjeve nga situatat. Në art nuk vepron aq fort parimi logjik i kundërthënies. Dhe artist, pra krijues në politikë është ai që nga situata, mënyra si janë ndërvendosë forcat e tashme botërore, pra nga gjendja e gjërave, arrin të krijojë ngjarjen: sovranizimin e jashtëm secilën herë e më të fortë të shtetit të Kosovës.
Në natyrë parimi logjik i kundërthënies nuk vepron fare: në natyrë ka vetëm kundërti dhe pole, por jo kundërthënie.
Kush mëton se njeh logjikën dhe mbështetet në të si armë lufte, duhet të njoh edhe deri ku arrin goditja e saj: ajo godet mendimin, por jo aq praktikën dhe nuk ka fare fuqi mbi natyrën.
©Rruga Press