Opinion/Aktualitet

Çfarë fsheh Aleksandër Vuçiç në ushtri?

Nga Enver Bytyçi

Disa përfaqësues ushtarakë të ambasadave perëndimore në Beograd i kërkuan Shtabit të Përgjithshëm dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë të vizitojnë disa garnizone ushtarake, përfshirë dhe atë të Rashkës e Novi-Pazarit, në kufi me Kosovën. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, e refuzoi kategorikisht një kërkesë të tillë. Ai tha se Serbia përgatitet ushtarakisht që të vetëmbrohet dhe se nuk përbën kërcënim për vendet fqinjë. Me të njëjtin arsyetim e ka mbrojtur kryeministri i Shqipërisë armatosjen e Serbisë, kur thoshte se “Nuk e di sesi armatimi vetëmbrojtës sjell rrezik për vendet e tjera”!

Por çfarë fsheh presidenti i Serbisë atëherë?! Pse ai refuzon të inspektohen repartet ushtarake të vendit të tij, ndërkohë që ky vend ka pranuar të jetë partner për Paqen me Aleancën Atlantike?! Si mundet që një vend që bën pjesë në partneritetin e NATO-s të refuzojë praninë e përfaqësuesve të saj në këto reparte ushtarake të Serbisë?! Të gjitha këto pyetje, e të tjera si këto, kërkojnë një përgjigje, të cilën mund ta japin vetëm autoritetet e Beogradit. Por ajo që mund të thuhet, ka të bëjë me faktin se Aleksandër Vuçiç nuk është i sinqertë me Perëndimin! Dhe nëse je njëherë gënjeshtar e mashtrues, atëherë i tillë do të jesh gjithmonë e për çdo gjë. 

Ai gënjen e mashtron çdo ditë kur flet për Kosovën. Gënjen e mashtron kur thotë se “përpiqet ta integrojë vendin e tij në BE” dhe se “dëshiron marrëdhënie të mira me SHBA-të”! Gënjen e mashtron për çështjet ushtarake. Përpiqet të fshehë faktin se armatimi i Serbisë nuk është thjesht mbrojtës, por ka gjithashtu karakter ofensiv. Ndërsa Ramës ia ka mbushur mendjen se “po mbrohet”! Po nga kush? Deputeti shqiptar në parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, në një intervistë të kërkuar nga ana ime për librin “Gjeopolitika ruse në Europën Lindore dhe Juglindore” shprehet se Serbia “nuk është e kërcënuar nga asnjë shtet fqinj, sepse asnjëri prej tyre nuk ka shprehur ambicie territoriale ndaj saj”.

Lexo më shumë  𝐈𝐝𝐞𝐚𝐥𝐢𝐳𝐦𝐢 𝐧𝐞̈ 𝐬𝐡𝐢𝐭𝐣𝐞: 𝟐𝟖 𝐍𝐞̈𝐧𝐭𝐨𝐫𝐢, 𝐝𝐢𝐭𝐚 𝐞 𝐅𝐥𝐚𝐦𝐮𝐫𝐢𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐫𝐞𝐚𝐥𝐢𝐭𝐞𝐭𝐢 𝐪𝐞̈ 𝐤𝐞𝐦𝐢 𝐧𝐝𝐞̈𝐫𝐭𝐮𝐚𝐫

Shkurt, Vuçiç nuk dëshiron të dekonspirohet. Nëse ai nuk fsheh të vërteta të hidhura për vendin e tij, me të cilat provohet mashtrimi dhe gënjeshtra, ai nuk kishte pse ta refuzonte kërkesën e diplomatëve ushtarakë të SHBA-së dhe vendeve europiane të NATO-s të instaluar në Beograd. Ndërkohë që ambasadorit rus i bën vend në çdo aventurë e demonstrim ushtarak pikërisht në këto rajone e reparte ushtarake, të cilat donin t’i shihnin ambasadorët perendimorë. Ambasadori i Rusisë është i pranishëm në krah të ministrit të Mbrojtjes së Serbisë në stërvitje dhe rrjeshtimin e ushtrisë serbe vazhdimisht.

Të refuzosh atashetë ushtarakë të Perendimit dhe ta mbash mbas vetes në çdo repart ushtarak ambasadorin e Rusisë është një akt me domethënie të madhe. Kjo dëshmon se në ushtrinë serbe ka armatim dhe ushtarakë të shërbimit të fshehtë rus. Kjo do të thotë se Serbia fsheh gjithashtu synime për destabilizimin e rajonit. Dhe që presidenti Vuçiç luan me dy e shumë porta, këtë ai e ka pohuar që para katër vitesh kur thoshte se “Do të jem një Tito i ri për Serbinë”! Pra se do të luante në atë mënyrë që të qëndronte jo në dy, por në disa karrige, sipas interesit të tij. Një moment të caktuar do të hiqej si pro-amerikan. Një moment tjetër si pro-europian! Por pse jo edhe pro-kinez! Por ama gjithmonë do të ishte e do të mbetet pro-rus.

Lexo më shumë  𝐈𝐝𝐞𝐚𝐥𝐢𝐳𝐦𝐢 𝐧𝐞̈ 𝐬𝐡𝐢𝐭𝐣𝐞: 𝟐𝟖 𝐍𝐞̈𝐧𝐭𝐨𝐫𝐢, 𝐝𝐢𝐭𝐚 𝐞 𝐅𝐥𝐚𝐦𝐮𝐫𝐢𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐫𝐞𝐚𝐥𝐢𝐭𝐞𝐭𝐢 𝐪𝐞̈ 𝐤𝐞𝐦𝐢 𝐧𝐝𝐞̈𝐫𝐭𝐮𝐚𝐫

Sonja Biserko, në një intervistë për të njëjtën arsye që edhe zoti Kamberi më dha disa javë më parë, shkruan: “Për fat të keq, Serbia është në anën e Rusisë dhe nuk është e përgatitur të përputhet me prioritetet e politikës së jashtme të BE-së, (sanksionet ndaj Rusisë) duke shpresuar se Rusia do t’i shpëtojë aspiratave në Ukrainë. Meqenëse Rusia është e infiltruar thellë në Serbi dhe në Republikën Srpska do të thotë se ajo lehtë mund të destabilizojë rajonin. Sipas mendimit tim, do të ishte racionale që Serbia ta njohë menjëherë Kosovën, gjë që do të siguronte kornizën për bashkëpunim të vërtetë rajonal.

Nuk ka gjasa të ndodhë përderisa Serbia kërkon kompensim në Bosnje dhe Mal të Zi. Rusia po mbështet ambiciet e saj dhe është pengesë e madhe në zgjidhjen e konflikteve të ngrira në Bosnje dhe Kosovë. Ministri i Brendshëm Aleksandar Vulin tha se “nuk do të ketë paqe në Ballkan derisa serbët të bashkohen”.

Besoj se janë të panevojshme komentet e mëtejshme!

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *