(Emri) Ndihmoi Ervis Martinajn të arratiset, në pranga agjenti i policisë
Një agjent policie pranë Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit është ndaluar pasi akuzohet se ka shpërdoruar detyrën duke përkrahur dhe transportuar një person shumë të kërkuar.
Punonjësi i Policisë Jeton Lami dyshohet se ka përkrahur e transportuar personin e shumëkërkuar Ervis Martinaj, mëson Ora News.
Burimet nga grupi hetimor bëjnë me dije se agjenti i policisë që vepronte pranë forcave operacionale e ka transportuar gjatë qershorit në Lezhë e Kurbin e Shkodër.
Nga hetimet e thelluara rezulton se 28-vjeçari, duke qenë punonjës policie, ka shpërdoruar detyrën duke përkrahur dhe transportuar një person shumë të kërkuar” informoi sot policia e Lezhës.
Arrestimi
Strukturat Hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, bënë ndalimin e shtetasit Jeton Lami 28 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë punonjës policie (agjent), pranë Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit.
“Pas hetimeve të kryera në kuadër të procedimit penal të vitit 2022, për veprën penale të rrëmbimit të personit, referuar nga strukturat hetimore të DVP Lezhë, pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin.
Gjykata e Shkallës së Parë Kurbin, me vendimin e datës 23.08.2022, ka caktuar ndaj tij masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Materialet procedurale i kaluan për veprime të mëtejshme, Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin.
Ervis Martinaj është ndër ermrat e shumëkërkuar të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë” ku u ekzekutuan 18 nga 32 urdhërarrestet.
Vrasja e bashkëpunëtorëve dhe familjarëve të tij
Martinajt i kanë vrarë bashkëpunëtorë, por edhe familjarë të tij. I fundit ishte djali i xhaxhait të tij, Brilant Martinaj, i cili mbeti viktima nga atentati i refishtë në mbikalimin e Fushë-Krujës që ndodhi më 17 gusht të këtij viti.
Në gusht të 2019 në Tiranë do ekzekutohej Santiago Malko, për këtë ngjarje u dënua vetëm Bledi Teta me 25 burg.
Në 13 nëntor të vitit të kaluar po në Tiranë do ekzekutohej Erigers Mihasi, lidhje e ngushtë e Ervis Martinajt.
I kërkuar nga SPAK
Martinaj kërkohet nga SPAK si i dyshuar për porositjen e një vrasjeje që nuk u realizua për të cilën i kishte ofruar të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani deri në 500 mijë euro.
Rruga Press