I kërkuar nga Policia e Kosovës dhe Non Grata në SHBA, Vuçiqi në mbledhje me kriminelin Radojçiq
Milan Radojçiq, i cili është në kërkim nga Policia e Kosovës për shkak të akuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës se është i inkriminuar në vrasjen e Oliver Ivanoviqit është parë në një takim me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Takimi i cili po mbahet në Pallatin e Serbisë, ka filluar pas orës 11:00, ku mes tjerash, Vuçiq ka ftuar spektrin politik serb nga Kosova, i cili dihet qartë se kontrollohet prej tij, pas zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës dhe takimeve në Bruksel, në kuadër të dialogut.
Në pamjet e publikuara nga ky takim po marrin pjesë edhe kryetari i Listës Serbe Goran Rakiq, zv/kryetarët e LS-së, Igor Simiq, Dalibor Jevtiq, si dhe i kërkuari nga autoritetet e Kosovës Milan Radoiçiq dhe pjesë e listës së zezë amerikane.
Ai javë më parë ka postuar një video në të cilën tregon se rikthyer në atë që ai e quan “Kosovë e Metohi”.
Në një video të postuar në Youtube, ai ka thënë se nuk ka më kthim prapa dhe se nuk do të zbrapset më, duke kërcënuar për destabilizim. Këto direktiva i merr drejtpërdrejt nga presidenti serb, i cili pasi jep këto direktiva shprehet se ai nuk ka fuqi të ndalojë veprimet që marrin qytetarët serbë në Kosovë. Kur në fakt, këta “qytetarë serb”, nuk janë vërtetë qytetarë të thjeshtë, por vetëm strukturat e tij kriminale në veri të Kosovës, të cilët kontrabandën, atentatet dhe presionet ndaj serbëve lokalë i shohin të dobishme në kuadër të dëmtimit të shtetësisë së Kosovës.
Në video mesazhin 32 sekondësh, nënkryetari i Listës Serbe i cili është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka theksuar se terrori kundër popullit serb po fillon, teksa terrori i vërtetë ndaj qytetarëve serbë është ai dhe klani i tij mafioz që vendos se çfarë mendimi duhet të kenë këta qytetarë.
“Terrori i vërtetë kundër popullit tonë serb po fillon tani. Për popullin tim në veri dhe për të gjithë serbët, vetëm më lejoni t’u them, dhe atyre të tjerëve, unë jam këtu, jam kthyer dhe ju e dini se çfarë do të thotë sepse nga këtu nuk ka kthim prapa. Rroftë Serbia”, deklaronte Radojçiq nga Leposaviqi, e pas kësaj ia futi vrapit për të ikur përsëri në Serbi, e sot e shohim atë edhe publikisht në mbledhjen e thirrur prej presidentit serb.
Rruga Press