Kur Zelensky paralajmëronte Shqipërinë për hyrjen e turistëve rusë. Si u përgjigj Rama?
Kryeministri Edi Rama iu përgjigj kërkesës së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili në fjalën e tij tëdrejtuar Parlamentit kërkoi që Shqipëria të mbyllte portet për anijet ruse dhe të kufizojë ardhjen e turistëve rusë.
Rama tha se vendimet e Shqipërisë janë gjithmonë në një linjë me ato të Bashkimit Evropian.
“Nuk ka vendim të linjëzuar të BE-së dhe për sa kohë që nuk ka, vazhdojmë në të njëjtën rrugë si vitet e shkuara. Është e thjeshtë: nëse do të ketë vendim të linjëzuar nga BE-ja, ne do të bashkohemi me të”, deklaroi Rama.
Në lidhje me zgjedhjen e presidentit, Rama njoftoi se kanë nisur bisedimet me palët zyrtare në Kuvend, për një kandidaturë me konsensus.
“Jemi të gatshëm që të jemi sa më të hapur, në funksion të zgjedhjes së një Presidenti që të garantojë mbylljen me sukses të një kapitulli çmendurie në krye të shtetit”, tha Rama.
Sulm i agjenturës ruse në uzinën e përpunimit të armëve në Gramsh
Ndërkohë sot Ministria e Mbrojtjes ka reaguar pasi tre shtetas me pasaportë ruse dhe ukrainase tentuan të futeshin në Uzinën e Përpunimit të Armëve. Për ngjarjen në Uzinën e Gramshit janë ndaluar tre persona: dy djem edhe një vajzë. Ata ndodhen në komisariatin e Elbasanit. Ndaj tyre ka nisur hetimi nën drejtimin e prokurorit të rrethit Kreshnik Ajazi.
“Një incident ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Uzinën ushtarake në Gramsh. Tre shtetas me pasaporta ruse dhe ukrainase kanë tentuar të hyjnë në uzinë. Menjëherë kanë reaguar efektivët që ishin në ruajtje të uzinës, por gjatë përpjekjeve për t’i ndaluar 3 shtetasit e huaj janë lënduar dy ushtarakët tanë, të cilët janë nën kujdesin e mjekëve në spitalin e Traumës në Tiranë.
Shtetasit e huaj janë ndaluar nga autoritetet, ndërsa vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.”, shkruhet në njoftim.
Rruga Press