Lajme

Mbijetesa e bizneseve, pa subvencione në kulmin e krizës

Bizneset prodhuese do të vijojnë rritjen e çmimeve të produkteve, pasi nuk kanë mundësi financiare të përballojnë shtrenjtimin e kostove të lëndëve të para, energjisë dhe karburantit. Sipërmarrje të tjera, të cilat kryesisht kanë pak vite aktivitet, për të ruajtur konsumin, po e amortizojnë shtimin e kostos tek ulja marzhit të fitimit. Për të mbijetuar, kompanitë kërkojnë ndihmë nga shteti nëpërmjet subvencioneve. Në të gjithë sektorët problematika e fuqisë punëtore shfaqet e mprehtë, për shkak të emigrimit. Zgjidhja e vetme janë punësimet nga Azia dhe rajoni, ose mbajtja në punë e pensionistëve, shkruan Dorina Azo e Monitor.

Kosta Bezhani, administratori i kompanisë së pijeve freskuese “Fresh Company”, që prodhohen prej vitit 1992 në fshatin Dropull të Gjirokastrës, thotë se shtimi i kostos prodhuese 25% më shumë se vjet për shkak të shtrenjtimit të lëndëve të para, ka detyruar të shtrenjtojë 25% edhe çmimet e produkteve për konsumatorin.

Z. Bezhani pohon se mungesa e subvencioneve shtetërore po sjell shqetësime te shumë sipërmarrës që e kanë të pamundur të mbijetojnë.

“Janë një sërë faktorësh që nëse nuk zgjidhen, pritet të reflektojnë shumë shpejt pasoja te bizneset. Që të jesh i konkurrueshëm në treg, duhet të ulen kostot. Edhe më parë, ne kemi punuar me fitim minimal. Me rritjen e çmimeve të lëndëve të para, jemi të detyruar sërish të prekim marzhin e fitimit, pavarësisht se kemi rritur çmimit.

Por në këtë situatë, na penalizon edhe shumë konsumi, që është tkurrur ndjeshëm për shkak të emigrimit të popullatës. Shteti duhet të ndërhyjë, në këtë situatë të bëhet partner me sipërmarrësit.

Të paktën gazi në prodhim të mos ketë akcizë, po ashtu të ndërhyhet edhe te çmimi i energjisë. Aktualisht, për çmimin e energjisë po paguajnë 34 lekë/kwh nga 9 lekë/kwh që paguanim më parë. Duhen të zbatohen subvencionime, ashtu siç kanë bërë edhe shtetet e tjera, sepse e kemi të pamundur të rezistojmë”.

Aktualisht në “Fresh company” janë 55 të punësuar. Administratori Kosto Bezhani pohon me shqetësim se në këtë zonë, të rinjtë kanë emigruar dhe për këtë arsye, është i detyruar të punësojë pensionistë.

“Nëse të rinjtë do të vazhdojnë të largohen, pas 5 vitesh Shqipëria do të jetë vetëm një toponim gjeografik. Mungesa e fuqisë punëtore është tejet shqetësuese. Nuk po gjejmë as punonjës të huaj. Po mbajmë në punë pensionistë”, thekson ai.

Sipërmarrjet e sektorit prodhues në tërësi po vuajnë rritjen e kostove nga shtrenjtimi i çmimeve të lëndëve të para. Për të përballuar shtimin e kostos prodhuese, shumë prej tyre kanë rritur çmimet për produktet e shitjes, madje në disa sektorë, shtrenjtimi ka qenë i herëpashershëm.

Lexo më shumë  Nisin punimet për ndërtimin e Parkut Industrial në Drenas

Amortizimi i kostove tek ulja e marzheve të fitimit, po zbatohet më tepër nga kompanitë e reja, të cilat kërkojnë të fitojnë terren në treg, ose në bizneset në rrethe.

Për ndërmarrjet mbetet shqetësuese edhe mungesa e fuqisë punëtore, si rezultat i emigrimit të popullatës. Bizneset pohojnë se kanë aplikuar rritje të pagave, duke shtuar kostot financiare, por vijojnë të mos e plotësojnë boshllëkun e krijuar, as me punonjësit nga Azia apo rajoni.

Industria e qumështit do të vijojë rritjen e çmimeve

Prej një viti, kompanitë përpunuese të qumështit vijojnë të ngrenë shqetësimin e rritjes së çmimit të qumështit, për shkak të shtrenjtimit të kostove të fermerëve në mbajtjen e bagëtive.

Për sektorin është problematike edhe mungesa e subvencioneve për litër qumësht, kur aktualisht është duke u zbatuar skema kombëtare e subvencionimit për krerë bagëtie. Heqja e TVSH-së së kreditueshme nga 6% vjet ndikoi edhe më tepër te rritjet e kostove përpunuese.

Për këtë arsye, kompanitë e përpunimit të qumështit këtë vit kanë qenë të detyruara të aplikojnë 2 deri në 3 herë rritje të çmimeve të produkteve të bulmetit. Nga 1 korriku, me paketën e re fiskale të vitit 2022 nisi zbatimin edhe akciza e re për gazin. Do të shtohet 6 lekë/litër taksë që do të përballohet nga industria.

Pritet të ketë sërish rritje të çmimeve të bulmetit në vend. Kompanitë përpunuese janë në vështirësi për gjetjen e qumështit në vend, pasi prodhimi është ulur. Mungesa e qumështit është krijuar nga shtrenjtimi i lëndëve ushqyese për kafshët.

Në vitin 2021, sipas INSTAT, sasia gjithsej e qumështit të grumbulluar rezulton rreth 115 mijë tonë. Sipas llojit, sasia e grumbulluar e qumështit të lopës është rreth 94 mijë tonë, sasia e grumbulluar e qumështit të deles, 13 mijë tonë dhe sasia e grumbulluar e qumështit të dhisë, rreth 8 mijë tonë.

Krahasuar me vitin 2020, sasia e grumbulluar e qumështit të lopës paraqitet me rënie 7,4%, ndërsa sasia e grumbulluar e qumështit të deles dhe dhisë paraqitet me rritje, përkatësisht me 26,3% dhe 8%.

Taulant Pupa, administrator i kompanisë “Vita”, u shpreh për “Monitor” se ë֝shtë rritur përsëri çmimi i qumështit që blihet nga fermerët. Çmimi i qumështit do të ndikohet nga rritja e kostos së përpunimit të ushqimit të kafshëve, duke përfshirë edhe çmimin e rritur të naftës.

“Me fillimin e sezonit të ri të të korrave të grurit do të rritet kostoja e përpunimit të ushqimit të kafshëve. Çmimet për lidhjen e topit të kashtës nga 50 lekë do të arrijnë në 80 lekë, për shkak të shtrenjtimit të çmimit të naftës. Kjo do të ndikojë për rritje tjetër të çmimit të qumështit nga fermeri. Edhe ne jemi të detyruar të rrisim çmimin e produkteve në përqindje të rritjes së qumështit.

Lexo më shumë  Kurti mirëpret në një takim Afrim Gashin, kryetarin e Kuvendit të RMV-së

Nga janari i këtij viti po punojmë me marzhe shumë të ulëta fitimi, për shkak të rritjes së kostove të prodhimit”. Më 25 prill fabrika e qumështit “Vita” rriti çmimet për produktet, si: kos, djathë dele dhe lope nga 9 deri në 11%. Ndryshimi erdhi për shkak të shtrenjtimit të qumështit të fermerit.

Tendenca rritëse e qumështit të blerë nga fermeri këtë vit ka qenë e lartë në raport me vitin 2021. Vjet, qumështi i lopës është blerë nga fabrikat 58-59 lekë/litër me TVSH, kurse tani po blihet maksimalisht 76-77 lekë/litër me TVSH. Qumështi i deles nga 90 lekë me TVSH, kurse tani po blihet 140 lekë/litër me TVSH. Kurse çmimi maksimal i qumështit të dhisë ishte 60 lekë me TVSH, kurse tani po blihet 90 lekë me TVSH.

Së fundmi, nga 1 qershori u aplikua në treg edhe një tjetër rritje e çmimeve të bulmetit. Disa operatorë rritën çmimin 6 deri në 7%. Këtë vit secili operator ka rritur çmimet e produkteve të bulmetit 2 herë, në periudhat mars-prill-qershor.

Ervin Resuli, ekspert blegtorie, thotë se shumë fermerë po shesin bagëtitë dhe po largohen në emigracion. “Janë të shumta rastet e fermerëve që po shesin bagëtitë dhe po largohen në emigracion, për shkak se prej vitesh ky biznes është me humbje. Mbajtja e bagëtive është bërë e paleverdishme, për shkak të kostove të larta. Shteti duhet të ndërhyjë me politika subvencionuese për të frenuar emigrimin”, thotë ai.

Mungesa e prodhimit e ka bërë të pamundur edhe magazinimin e qumështit, ku për në muajt e pranverës prodhohej djathi i bardhë dhe kaçkavall.

“Jemi në vështirësi për gjetjen e qumështit. Në këto kushte e kemi të pamundur të magazinojmë qumësht sepse nuk ka. Mungesa e prodhimit nisi që në pranverë. Tani në verë i kemi magazinat bosh. Nga Serbia, Kosova dhe Italia nuk ka më tepricë qumështi.

Jemi në kushtet që prodhojmë dhe shesim, nuk magazinojmë dot. Nuk ka më qumësht lope, po zhduket edhe ai i deles. Nëse do të rritet përsëri çmimi i qumështit jemi të detyruar të rrisim sërish çmimet, duke rrezikuar konsumin. Në të kundërt do të ulim prodhimin”, u shpreh një tjetër operator i përpunimit të qumështit./MONITOR

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *