Zyrtarët ukrainas: Kur mund të largohen ushtarët rus që gjenden në jug të Ukrainës
Zyrtarët ukrainas kanë thënë se prania e Rusisë në rajonin jugor të Khersonit dhe pjesë të Zaporizhzhia po bëhet më e dobët. Sipas tyre linjat e furnizimit janë në shënjestër çdo ditë nga sistemet ukrainase me rreze të gjatë veprimi.
Ivan Fedorov, kryebashkiaku i Melitopolit të pushtuar, tha se shkatërrimi i një ure hekurudhore në jug-perëndim të qytetit në fundjavë kishte komplikuar më tej rrugët ruse të furnizimit.
Fedorov tha në televizionin ukrainas se “armiku përdor Melitopolin si një qendër logjistike për transportin, trans-dërgesë e municioneve dhe armëve të rënda. Armiku transporton shumicën e municioneve me hekurudhë. Natën 13 gusht – 14 gusht u hodh në erë një urë hekurudhore. Armiku ende nuk mund ta rivendosë atë; rrënojat po çmontohen.”
Fedorov, i cili nuk është në Melitopol, pohoi gjithashtu: “Ne shohim migrimin e personelit ushtarak nga Kherson në Melitopol. Personeli ushtarak i nxjerr familjet e tyre nga Melitopol.”
Fedorov shtoi se shërbimi rus i sigurisë (FSB), rojet rezervë ruse dhe njësitë speciale çeçene ishin të pranishëm në Melitopol.
Ai tha se deri në 6 000 njerëz po prisnin në radhë për evakuim.
“Njerëzit presin pesë deri në shtatë ditë, e kalojnë natën në anë të rrugëve. Është më shpejt të largohesh përmes Krimesë, njerëzit përdorin edhe këtë rrugë”, tha ai.
Ndërkohë, Serhii Khlan, këshilltar i kreut të Administratës Civile Ushtarake Kherson, i tha televizionit ukrainas të hënën se sulmet e vazhdueshme nga forcat ukrainase mbi urat përtej lumit Dnipro kishin shkaktuar vështirësi serioze për forcat ruse.
“Pamundësia e (rusëve) furnizimit me municion na lejon të themi se nëse ata nuk mund ta zgjidhin çështjen e kalimit në bregun e djathtë të Dnipro në dy javët e ardhshme, atëherë ata nuk do të kenë asnjë mundësi tjetër përveçse të largohen nga pozicionet e tyre”.
Një pjesë e konsiderueshme e forcës pushtuese ruse është në bregun e djathtë (verior) të Dnipro, në qytetin Kherson dhe më tej në rrjedhën e sipërme.
Khlan pretendoi se rusët e kishin zhvendosur selinë e tyre komanduese në bregun jugor të Dnipro.
Rruga Press