The Guardian: BE nën presion për t’i ndaluar turistët rusë për në Evropë
The Guardian
Sot është dita e 169 e invazionit ushtarak rus mbi Ukrainën, lufta më e madhe tokësore në dekada. Zhvillimet e fundit nga Ukraina janë si në vijim:
Ukraina e ka akuzuar Rusinë se ka gjuajtur raketa nga rrethi i centralit bërthamor të Zaporizhzhias, duke lënë të vrarë të paktën 13 persona dhe duke plagosur 10 të tjerë, duke e ditur se do të ishte e rrezikshme që Ukraina do të reagonte përmes zjarrit po ashtu. Ukraina thotë se Rusia shënjestroi qytetin Marhanets, të cilin Moska thotë se Ukraina e ka përdorur në të kaluarën për të bombarduar ushtarët rusë në uzinë, të cilën Rusia i kapi në mars. Duke u bërë thirrje aleatëve të huaj që të dërgojnë armë më të fuqishme, Zelenski tha në një videofjalim të natës vonë se Kievi “nuk do ta lërë pa përgjigje bombardimin e sotëm rus të rajonit të Dnipropetrovskit” dhe u zotua të shkaktojë sa më shumë dëme në Rusi për t’i dhënë fund luftës shpejt.
Forcat ajrore të Ukrainës thanë se besonin se deri në një duzinë avionësh rusë u shkatërruan në tokë në shpërthimet dramatike të së martës në bazën ajrore Saky në Krime, për të cilat Rusia tha se vrau një, plagosi 13 dhe dëmtoi dhjetëra shtëpi aty pranë. Burime politike në Ukrainë thanë se ajo kishte kryer sulmin, por Kievi nuk e mori publikisht përgjegjësinë. Një ekspert tha se mund të ketë qenë produkt i një sulmi të guximshëm dhe jo i një sulmi me raketa.
Sekretari britanik i mbrojtjes, Ben Wallace, ka deklaruar se mendon se baza ajrore Saky në Krime është një “objektiv legjitim” për Ukrainën. “Para së gjithash, Rusia ka pushtuar ilegalisht, jo vetëm në vitin 2014, por tani territorin ukrainas”- tha ai. “Ukraina, sipas neneve të OKB-së, ka plotësisht të drejtë ta mbrojë territorin e saj dhe të ndërmarrë veprimet që i nevojiten kundër një force pushtuese”.
Separatistët pro-rusë akuzuan Ukrainën për bombardimin e një fabrike birre në qytetin e pushtuar lindor të Donetsk të mërkurën, duke vrarë një person dhe duke shkaktuar një rrjedhje amoniaku që shkaktoi një zjarr, raportoi Reuters.
BE-së i është kërkuar ta vendosë një ndalim udhëtimi për turistët rusë, me disa vende anëtare që thonë se vizita në Evropë është “një privilegj, jo një e drejtë njerëzore” për pushuesit.
Presidenti Volodymyr Zelenskiy tha në një intervistë për ëashington Post se “sanksioni më i rëndësishëm” ishte “mbyllja e kufijve, sepse rusët po ia marrin tokën dikujt tjetër”. Rusët duhet “të jetojnë në botën e tyre derisa të ndryshojnë filozofinë e tyre”, tha ai. Thirrja e presidentit ukrainas u mbështet nga kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, e cila shkroi në Twitter se vizita në Evropë ishte “një privilegj, jo një e drejtë njerëzore”, duke shtuar: “Koha për t’i dhënë fund turizmit nga Rusia. Ndaloni lëshimin e vizave turistike për rusët”.
Kina, të cilën Rusia e ka kërkuar si aleat që kur kjo e fundit i ka përkeqësuar marrëdhëniet e saja me përendimin, e ka quajtur SHBA-në “nxitësin kryesor” të krizës, raportoi Reuters. Në një intervistë me agjencinë shtetërore ruse të lajmeve, Tass, të botuar të mërkurën, ambasadori i Kinës në Moskë, Zhang Hanhui, akuzoi Uashingtonin se e e ka shtyrë Rusinë në një qoshe me zgjerimin e përsëritur të aleancës mbrojtëse të NATO-s.
OKB-ja pret të shohë një “rritje të madhe” në aplikimet për anijet për të eksportuar grurë ukrainas pasi procedurat e tranzitit u ranë dakord nga Rusia, Ukraina, Turqia dhe Kombet e Bashkuara, tha të mërkurën një zyrtar i lartë i OKB-së. Numri i anijeve në hyrje pritet të “rritet në të ardhmen e afërt” me arritjen e marrëveshjeve të grurit, tha Frederick Kenney, koordinator i përkohshëm i OKB-së në Stamboll. Deri më tani, 24 anije transportuese të grurit janë larguar nga portet e Ukrainës.
Estonia e ka ftuar ambasadorin rus dhe ka protestuar zyrtarisht për shkeljen e hapësirës së saj ajrore nga një helikopter rus të martën. “Estonia e konsideron këtë një incident jashtëzakonisht të rëndë dhe për keqardhje, që është plotësisht i papranueshëm”- njoftoi ministria e jashtme estoneze, duke thënë se helikopteri kishte fluturuar mbi juglindjen e Estonisë pa leje.
Kreditorët jashtë shtetit të Ukrainës kanë mbështetur kërkesën e saj për një ngrirje dyvjeçare të pagesave për gati 20 miliardë dollarë në obligacione ndërkombëtare, duke e lejuar atë të shmangë një mospagim të borxhit, raportoi Reuters. Kryeministri i Ukrainës thotë se do t’i kursejë vendit pothuajse 6 miliardë dollarë, ndërkohë që do të ndihmojë në stabilizimin e ekonomisë dhe forcimin e ushtrisë./The Guardian
Rruga Press