“Kujdes se do ketë kontrolle”, nga vizita e shokut te mesazhi misterioz, paralajmërimi i fundit i Martinajt për familjarët
I shumëkërkuari i drejtësisë Ervis Martinaj, ka humbur kontaktet prej 3 ditësh me familjarët e tij.
Ishte nëna e tij dhe xhaxhai Faik Martinaj, babai i Brilantit që u ekzekutua më 17 korrik në mbikalimin e Fushë-Krujës që kanë kallëzuar në komisariatin e Laçit zhdukjen e Martinajt.
Mbrëmjen e kaluar, Faik Martinaj ka depozituar një kallëzim penal ku pretendon se ka humbur kontaktet me nipin e tij. Dy ditë më parë një shok i Ervis Martinaj ka shkuar në shtëpinë e tij dhe i ka thënë se ka humbur kontaktet me të.
Familjarët dyshojnë se atij mund t’i ketë ndodhur diçka e keqe, për faktin se ka armiq të shumtë dhe se është në kërkim ndërkombëtar.
Policia është e rezervuar në dhënien e informacionit dhe nuk përjashtohet as mundësia e një inskenimi.
Faik Martinaj pretendon se ai vetë dhe familjarët nuk kishin kontakte direkte, por nga informacioni që kanë marrë nga miqtë e Ervis Martinaj, kanë mësuar se ai ka humbur çdo kontakt dhe janë të shqetësuar për jetën e tij.
Ka dhe një mesazh që persona që shoqëroheshin me Ervis Martinaj ia kanë treguar të afërmve të tij, ku thotë “kini kujdes se do ketë kontrolle”.
Ervis Martinaj është një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Disa operacione për kapjen e tij kanë dështuar.
Ka precedentë ku persona të kërkuar mund të inskenojnë ngjarje të tilla dhe nuk përjashtohet as kjo pistë.
Fillimisht nga familjarët është dyshuar se mund të ishte larguar në Dubai, por sipas informacioneve nga policia e Shtetit ai ka qenë brenda territorit shqiptar dhe fshihej në zonat e tij të sigurta për të.
Kush është Ervis Martinaj
Ervis Martinaj, është konsideruar si një nga njerëzit më të rrezikshëm në Tiranë, i akuzuar për vrasje dhe i dyshuar për disa ngjarje të rënda, që kanë tronditur kryeqytetin. Ervis Martinaj është përmendur edhe në Gjyqin ndaj Emiliano Shullazit.
Martinaj ka qenë pronar i disa pikave të basteve dhe kazinove dhe është përmendur në 2016 për ngjarje të rënda kriminale. Emri i tij u lakua edhe për vrasjen e bankierit Artan Santo. Gjatë kontrollit në magazinën e tij në Fushë-Kuqe u gjetën dy skafandra të ngjashme me ato që përdorën vrasësit e bankierit, por ai nuk u implikua në këtë rast, sepse nuk kishte prova.
Po ashtu Martinaj ishte i përfshirë në vrasjen e ndodhur në Bllok, ndërsa pas kësaj ngjarje ai u arrestua por më pas u la i lirë pasi pagoi një shumë të madhe parash. Emri i Ervis Martinajt, doli në skenë edhe pas dëshmisë së vrasësit me pagesë Nuredin Dumani. Ai rrëfeu se Martinaj i kishte ofruar 500 mijë euro, për eliminim e Endrit Dokles, numrit 2 të Bandës së Durrësit.
Rruga Press