Petkoviqit nuk i del inati i reciprocitetit: Kurti do luftë, jo dialog
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me deklaratat e tij po do luftë e jo dialog.
“Nuk ka dyshim se Albin Kurti me deklaratën e tij të fundit tregon haptazi se do luftë, jo dialog dhe marrëveshje! Nëse Kurti konfirmon publikisht se Asociacioni i Komunave Serbe nuk do të formohet kurrë dhe se serbët duhet të pranojnë vendime të njëanshme dhe të dhunshme për targat dhe kartat e identitetit, është e qartë për të gjithë se Kurti po fton për konflikte në Kosovë dhe Metohi”, ka thënë Petkoviq në reagimin për media më 8 gusht.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se në komunat veriore të Kosovës, më 31 korrik, pati rrezik për përshkallëzim të situatës në konflikt të armatosur, “për shkak të frikës së injektuar nga Beogradi dhe për shkak të planeve të bëra në Rashkë dhe në Beograd”.
Sa i përket marrëveshjes për Asociacionin për komunat me shumicë serbe, Kurti ka thënë se organizimet që bashkojnë komunat me veçanti gjeografike apo ekonomike janë të nevojshme, por jo ato në bazë të etnisë.
Kurti ka thënë se ka dyshime për infiltrime nga Rusia pasi, sipas tij, Kremlini po dëshiron ta përdorë Serbinë si platformë për ta destabilizuar Ballkanin dhe, në veçanti, për ta sulmuar Kosovën.
Por sipas Petkoviqit këto janë “deklarata për justifikim të veprimeve” që po i bën Kurti.
“Prandaj në çdo deklaratë Kurti shpik gjoja ndikimin e Rusisë sepse dëshiron jo vetëm të sulmojë Beogradin, por edhe të justifikojë veprimet e reja të njëanshme dhe të dhunshme në të ardhmen kundër popullit serb”.
Petkoviqi ka thënë se përpjekjet e Prishtinës për të imponuar agjendën e bisedimeve në Bruksel me “ëndrra boshe për ‘njohje reciproke’’”, nuk janë gjë tjetër veçse një taktikë për ta bërë dialogun të pakuptimtë dhe për ta prishur atë ende pa filluar.
Kurti ka thënë se nuk do të diskutojë lidhur me vendimet për targat dhe dokumentet hyrëse në takimin që do ta ketë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, më 18 gusht në Bruksel. Sipas tij, në mënyrë që më 1 shtator të shmangen tensionet e 31 korrikut, faktorët ndërkombëtarë “duhet ta zmbrapsin Beogradin në qasjen e tij destruktive ndaj Kosovës”.
Sipas Petkoviqit, serbët në Kosovë e konsiderojnë Kurtin përgjegjës për siç thotë ai “të gjitha keqtrajtimet, incidentet, privimin e lirisë së lëvizjes dhe të drejtave të tjera demokratike” dhe se sipas tij “revolta e tyre është pasojë e veprimeve të njëanshme, të dhunshme dhe të paligjshme të Kurtit dhe jo ndonjë agjendë e huaj e orkestruar”.
Për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet për targat dhe dokumentet serbe, serbët lokalë në Kosovë më 31 korrik vendosën barrikada në rrugët që çojnë në Jarinjë dhe Bërnjak.
Me kërkesë të ndërkombëtarëve, Qeveria e ka shtyrë zbatimin e këtyre vendimeve deri në shtator.
Ajo çfarë Petkoviq bën, është të justifikojë veprimet e bandave kriminale serbe, a thua se ato janë veprime të popullatës. Bandat që vendosin barrikadave në veri të Kosovës e që sulmojnë Policinë e Kosovës, janë rezultat i favoreve ekonomike e politike të agjendës shtetërore serbe për të destabilizuar Kosovën.
Aksionet e shpeshta e të suksesshme të Policisë së Kosovës kundër kontrabandës, kanë destabilizuar hamoninë kriminale të shërbëtorëve kontrabandistë të Vuçiqit dhe kanë suprimuar favoret që i ishin dhënë nga qeveritë e mëparshme të Kosovës.
Rruga Press