(Video) Dorëzoi draft-rezolutën për njohjen e Kosovës, deputeti ukrainas flet për televizionin shqiptar
“Mendoj se ka ardhur koha që Ukraina të njohë pavarësinë e Kosovës dhe një gjë e tillë duhet të ndodhë”.
Kështu u shpreh deputeti ukrainas, Oleksiy Goncharenko në një intervistë për “Euronews Albania”.
Goncharenko u shpreh falenderues ndaj Kosovës, në lidhje me ndihmën e dhënë mbas agresionit rus në Ukrainë.
“Mendoj se koha erdhi dhe kjo duhet të ndodhë. Ukraina duhet ta njohë Kosovën si vend të pavarur dhe duhet të bashkohet me vendet që e njohin Kosovën si të tillë. Kjo është diçka që mendoj se duhet të ndodhë në respekt të popullit të Kosovës dhe zgjedhjes së tyre.
Ne jemi gjithashtu falanderues që Kosova e ka ndihmuar Ukrainën deri më sot mbas agresionit të nisur nga Rusia, ndaj do isha i lumtur që të shihja që Ukraina ta njihte Kosovën dhe vendosa që të bëja këtë iniciativë”, theksoi ai.
Më herët gjatë ditës së sotme, Goncharenko ka dorëzuar një draft-rezolutë në Parlament, ku bëhet thirrje që vendi të njohë pavarësinë e Kosovës.
Ai u shpreh se nuk është marrë personalisht më herët me çështjen e Kosovës, teksa shtoi se lufta me Ukrainën, e ka ndryshuar sjelljen e Kievit ndaj disa çështjeve.
Goncharenko u shpreh i shqetësuar se Rusia mund ta përdorë njohjen e Kosovës, si justifikim për Krimenë dhe Donbasin.
“Unë personalisht nuk jam marrë më herët me këtë çështje, ndaj dhe e nisa në këtë moment këtë iniciativë, por edhe për faktin se lufta e ka ndryshuar sjelljen tonë ndaj disa çështjeve. Ne në Ukrainë jemi të shqetësuar që Rusia mund të përdorë njohjen e Kosovës si justifikim për Krimenë dhe Donbasin, që është e pushtuar nga Rusia.
Por mendoj se mbas nisjes së luftës më 24 shkurt, është e qartë për këdo, që nuk është dëshira e popullit në Ukrainë që situata të vazhdojë kështu dhe është një agression i luftës së Rusisë në Ukrainë dhe nuk mund të krahasohet aspak me situatën që ka kaluar Kosova me Serbinë”, theksoi ai.
Rruga Press