Po na ngjet me kryeministrin, siç i pati ngjarë një fisniku gjerman me Nastradinin e popujve të Veriut
Po na ngjet me Kryeministrin, ashtu siç i pati ngjarë një fisniku gjerman me Nastradinin e popujve të Veriut, Til Ulenshpigelin. Pasi kishte mashtruar me qindra njerëz nëpër Saksoni, Ulenshpigeli ishte shpërngulur në Hesen, ku nuk ia njihnin ende bëmat, duke u shtirur si një piktor me famë botërore. Fjala i vajti ne vesh edhe Kontit të Hesenit, i cili u bë kurioz.
I mahnitur nga lavdet që Ulenshpigeli i thurte vetes, Konti i ofroi të pikturonte të parët e tij në muret e kështjellës së madhe që kishte. Ulenshpigeli pranoi, por me dy kushte: 200 monedha ari parapagim dhe për katër muaj në kështjellë nuk do shkelte asnjë njeri tjetër, vetëm ai me dy ndihmësit.
Për katër muaj, Til Ulenshpigeli hëngri dhe piu në kurrizin e Kontit pa bërë asnjë punë. Kur erdhi koha, që Konti të shihte pikturat, Nastradini shpiku një nga ato marifetet e tij.
“Përpara se të hysh në kështjelle dhe të shohësh pikturat- i tha Kontit- duhet të dish diçka. Ata që janë budallenj dhe bastardë nga lindje jo-legjitime, nuk mund t’i shohin dot pikturat.”
Konti u kënaq edhe më shumë nga kjo, pasi kështu do të kishte mundësi të zbulonte se kush nga fisnikët e Hesenit vinin nga lindje të jashtëligjshme apo ishin budallenj. Hyri Konti në kështjelle dhe Ulenshpigeli po i tregonte punën e tij. “Ja madhëri. Ky këtu është stërgjyshi juaj me kalin e tij, këtu është gjyshi juaj kalorës në betejë e kështu me radhë”.
Konti nuk shihte asgjë se aty nuk kishte asnjë pikturë. Mirëpo kishte frikë të thoshte që nuk i shihte pikturat se do ta merrnin ose për budalla, ose si bastard, që nuk e meritonte titullin e fisnikut. Ulenshpigeli mori paratë dhe iku, ndërkohë që të gjithë fisnikët që vizitonin kështjellën bënin garë kush të lëvdonte më shumë pikturat, që nuk ekzistonin, nga frika se mos i merrnin për budallenj.
Kryeministri ynë piktor është në të njëjtin hall si piktori Nastradin. Pasi ka ngrënë për 9 vjet në kurrizin e popullit, ai duhet të tregojë pikturat e tij. Ata që nuk i shohin, janë ose kafshë politiko- mediatike, ose hiena që presin veç fatkeqësi për të ushqyer zjarrin e luftës politike.
Fjala vjen, sezoni turistik i këtij viti ishte më i rregullti, më shembullori dhe më i sigurti. Madje jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë Ballkanin. Kush nuk mendon kështu, ose me keq akoma kush shqetësohet për pasigurinë në plazhe, është ose budalla, ose kafshë.
Korrupsioni është ulur dhe nuk ekziston më. Kush shikon vjedhje në punët e qeverisë, është ose qorr, ose non-grata.
Ekonomia është sot më e fuqishmja ndër të gjitha vendet fqinje. Kush flet për varfëri është ose tradhëtor i blerë nga armiqtë, ose tutkun.
Por piktura simbol e Nastradinit tonë, kryevepra dhe krenaria e punës së tij, janë inceneratorët. Ashtu si pikturat e Ulenshpigelit, inceneratorët nuk ekzistojnë. Por kushdo që nuk i sheh ata, është i marrë, i verbër, idiot dhe më shumë se kaq.
Pra, kushdo që nuk sheh përparimin e madh të Shqipërisë në çdo fushë e çdo drejtim, është një budalla ose i padenjë në rastin më të mirë. Në rastin më të keq, një çakall që ushqehet me vrasje.
Nëse Fan Noli do të ishte sot mes nesh, me shumë gjasë atë bejten e famshme që i pat thurur Ahmet Zogut një shekull më parë, do ta kishte bërë pak më ndryshe.
Rroftë Edi Rama, rroftë,
Shakaxhiu i përparimit,
Brez pas brezi u kujtoftë,
Si stërnip i Nastradinit.
Dhe këto janë gjëra normale. Ndodhin kudo në botë.
Rruga Press