Vrau me skaf 7-vjeçaren, Gjykata merr vendimin për policin Arjan Tase
Tre ditë pas tragjedisë në plazhin e Potamit, Gjykata e Vlorës ka lënë në burg policin Arjan Tase i cili i mori jetën me skaf në breg të detit një vogëlusheje 7-vjeçare. Mbi Tasen, rëndon akuza për veprën penale “vrasje e me dashje në mënyrë indirekte”.
Prokuroria e Vlorës ka hedhur poshtë akuzën e ngritur nga Agjencia e Mbikqyrjes Policore ndaj ish-efektivit Arian Tase. Hetuesit nuk kanë pranuar akuzën e vrasjes nga pakujdesia, por kanë kërkuar vrasje me dashje indirekte. Vrasja e kryer me dashje dënohet me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet, sipas Nenit 76 në Kodin Penal.
I akuzuar për vrasje nga pakujdesia Tase rrezikonte nga gjobë deri në 5 vite burg me akuzën e AMP, ndërsa me akuzën e re ai rrezikon 10 deri në 20 vite.
Masa e sigurisë ndaj Arjan Tase u zhvilluar ditën e sotme ora 11:30 në gjykatën e Vlorës. Seanca drejtohej nga gjyqtare Viola Canaj, ndërsa prokurore Eranda Laze.
Sipas hetimeve të kryera ka rezultuar se Tase është futur në një perimetër ku nuk lejohen mjetet lundruese. Nga burime mësohet së janë edhe tre dëshmi në Dosjen e Prokurorisë rreth faktit si ka ndodhur ngjarja. Ndërkohë në dosje janë edhe aktet e ekspertimit mjekoligjor dhe aktit për kqyrjen e gomones.
Por si ndodhi ngjarja?
Tragjedia në Himarë ndodhi 3 ditë më parë (2 gusht). 7-vjeçarja po lahej në breg, ku skafi me dy motorë e goditi rëndë duke i marrë jetën në vend. Aktualisht drejtuesi i skafit, Arjan Tase mbante detyrën si shefi i policimit në komunitet në Elbasan.
Në dëshminë e tij, Tase ka thënë se skafi nuk ishte e tij, por ia ka marrë kushëririt të tij për përdorim dhe ka shtuar se skafi kishte defekt, e për pasojë ka marrë gaz menjëherë dhe ka bërë një rrotullim në vend dhe ka goditur vajzën 7-vjeçare për vdekje.
Ndërkohë, Tase nuk kishte patentë skafi. Ai ka qenë Shefi i Komisariatit të Himarës, por u arrestua pas një operacioni antidrogë, megjithatë, u rikthye sërish në radhët e policisë. Për ngjarjen e rëndë u shkarkua i gjithë zinxhiri drejtues i Policisë së Kufirit dhe Migracionit Vlorë nga detyra.
Kjo nuk është hera e parë gjatë këtij sezoni veror që ka pasur persona të plagosur si pasojë e mjeteve lundruese që humbin kontrollin. Manovrat e rrezikshme disa here u kanë rrezikuar jetën pushuesve, siç ka ndodhur në Jalë, ku drejtuesi i një skafi Gjergj Priftuli aksidentoi një çift pushuesish. Një tjetër rast i rëndë ndodhi në plazhin e Jonufrës, ku një 40-vjeçar duke drejtuar një mjet lundrues tip gomone dëmtoi një fëmijë 7-vjeçar që ishte duke notuar në afërsi të bregut.
Rruga Press