Gjykata Speciale merr vendim për ankimimin e Rexhep Selimit
Mbrojtja e ish-Komandantit të UÇK-së dhe ish-deputetit të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, ka ankimuar në Gjykatë të Apelit, vendimin e gjykatësit paraprak, me anë të së cilit këtij të fundit i ishte vazhduar paraburgimi.
Mbrojtja kishte kërkuar që Paneli i Gjykatës së Apelit të ndryshojë vendimin e kundërshtuar dhe të urdhërojë kushtëzimin e tij të menjëhershëm lirim deri në 30 ditë para fillimit të gjykimit.
Paneli i Apelit në Gjykatën Speciale ka marrë vendim për ankesën, për vazhdimin e paraburgimit.
Paneli ka vendosur që Selimit t’i refuzohet në tërësi ankesa, dhe rrjedhimisht, atij i vazhdohet paraburgimi.
Apeli ka theksuar në arsyetimin e tij se ekzistojnë sërish rreziqet e përmendura më herët nëse Selimi mbrohet në liri.
“10-shit” të UÇK-së i është kërkuar që shkresat në lidhje me vendimin e Apelit t’i dërgojë deri 10 ditë pas marrjes së tij.
Kujtojmë se më 29 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Rexhep Selimit, Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit. Prokuroria po pretendon se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë dhe Semetishtë.
Rruga Press