Diplomati Bosch kryeministrit spanjoll për Kosovën: Jemi në telashe të mëdha, Spanja nuk i njeh vendimet e GJND-së
Diplomati holandez Robert Bosch, i cili ka qenë pa ekuivoke në të gjitha reagimet e tij për ta thënë të vërtetën për shqiptarët, ka reaguar me një qartësi të madhe, duke vënë në dukje se BE-ja ndodhet vërtetë në telashe, derisa ka shtete brenda saj, që nuk i pranojnë vendimet e gjykatave ndërkombëtare të drejtësisë.
Kryeministri i Spanjës gjatë vizitës në Tiranë, jo vetëm që u deklarua kundër njohjes së Kosovës, por tha se pavarësia e Kosovës është shpallur në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar, duke e fyer kështu GJykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, gjykatën fundamentale të drejtësisë në botë.
GjND-ja në vitin 2010 me kërkesë të Serbisë, iu përgjigj asaj, se Pavarësia e Kosovës është legale dhe në pajtim me ligjin ndërkombëtar.
Ky reagim spanjoll është goditur nga diplomati holandez.
“Ministri i jashtëm spanjoll Pedro Sánchez Pérez-Castejón shprehu përbuzjen e tij për Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë që është shumë problem. Nëse një nga vendet më të mëdha të BE-së nuk dëshiron të pranojë vendimin e një gjykate ndërkombëtare ne jemi potencialisht në telashe të thella. Shpresoj që ai mesazh të jetë dhënë në Tiranë”, ka shkruar Bosch në faqen e tij në Fb duke e shoqëruar me një lajm, i cili përcjellë mesazhet e çuditshme të kryeministrit spanjoll.
“Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez tha në Tiranë se e drejta ndërkombëtare është shkelur nga njohja e pavarësisë së Kosovës, duke shtuar se Madridi nuk mund ta pranojë diçka të tillë.
“Ne mendojmë se ishte shpallje e njëanshme e pavarësisë dhe mendojmë se është shkelur e drejta ndërkombëtare, prandaj nuk mund të pranojmë diçka të tillë. Po e them këtë, me gjithë respektin që kemi për popullin shqiptar”, ka thënë Sançez në Tiranë.
Rruga Press