Policia e Kosovës jep detaje: Vendimi i pajisjes me dokumenta po zbatohet në nivel vendi
Në një komunikatë dërguar për media, Policia e Kosovës ka njoftuar gjendjen aktuale në veri. Sipas kësaj komunikate Policia e Kosovës po vazhdon angazhimet e saj në ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, zbatimin e vendimeve të institucioneve të RKS-së, si dhe ndërmarrjen e masave policore konform situatës dhe zhvillimeve në veri të Mitrovicës.
“Vendimi për pajisje me dokumentin për hyrje-dalje të qytetarëve që posedojnë dokument personal identifikimi të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, të cilët paraqiten për kalim të kufirit shtetëror të Republikës së Kosovës, ka filluar të zbatohet në nivel vendi. Dy pikat kufitare Jarinje dhe Bernjak vazhdojnë të mbesin të mbyllura për qarkullim, për shkak të vazhdimit të bllokimit të rrugëve në drejtim të këtyre dy pikë kalimeve kufitare, të cilat janë bërë me mjete të rënda nga persona/grupe të organizuara kriminale”, thuhet në komunikatë.
Më tutje thuhet se informacionet zyrtare konfirmojnë se dje, më 31.07.2022 pas bllokimit të rrugëve në veri të Mitrovicës, në katër raste ka pasur të shtëna me armë zjarri në drejtim të njësiteve policore si dhe në një rast është dëgjuar të ketë ndodhur një detonim. Fatmirësisht nuk raportohet për ndonjë qytetar apo zyrtar policorë të plagosur nga arma e zjarrit.
“Deri më tani janë raportuar katër raste ku qytetarët shqiptarë të cilët kanë qarkulluar në atë pjesë janë ndaluar dhe maltretuar, duke iu shkaktuar lëndime dhe shkaktim të dëmeve materiale në automjetet e tyre, nga ana e personave të dyshuar të cilët dyshohet se janë pjesë e organizimeve të bllokimit të rrugëve. Policia e Kosovës të gjitha veprimet e mëtejme do ti ndërmerre në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, thuhet në komunikatë.
Rruga Press