Grenelli në stilin e propagandës ruso-serbe: Kurti fashist me përvojë
Richard Grenell, ish-i dërguari i posaçëm i SHBA për dialogun Kosovë-Serbi ka reaguar ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të cilin e ka quajtur “fashist me përvojë”.
Grenelli ka akuzuar Kurtin se ka ndërmarrë hapa njëanshëm për vendosjen e reciprocitetit ndaj Serbisë.
“Edhe njëherë, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, një i majtë radikal dhe fashist me përvojë, njëanshëm ka vepruar për të ndalur targat serbe dhe letërnjoftimet në Kosovë. Mashtrim. Papërgjegjshmëri. Dhe, e panevojshme. Pse Sullivan dhe Blinken nuk po i thonë të ndalë metodat fashiste?” ka shkruar Grenell në Twitter.
Kjo retorikë i ngjan shumë propagandës së Putinit përpara se të niste pushtimin e Ukrainës. Ai pretendonte se Zelenski dhe “regjimi” i tij janë problemi i Ukrainës dhe rusëve aty, duke e quajtur atë nazist. Për më tepër, ushtria ruse u fut në Ukrainë dhe bëri krime lufte në emër të “denazifikimit” dhe në emër të “mbrojtjes së popullit rus në Ukrainë të shtypur nga regjimi i Zelenskit”. Koha e ka treguar se pikërisht kjo retorikë qarkullon më së shumti në gojën e atyre që e përqafojnë vetë nazi-fashizmin, në mendim dhe veprim.
Kjo retorikë po zhvillohet njëlloj edhe kundër Kosovës dhe kryeministrit të saj, Albin Kurti. Vuçiqi dhe regjimi i tij autoritar po përgatisin terrenin për destabilizim, ndoshta edhe për nisje të luftës me Kosovën. Këtë po e bën në stilin e Putinit, ashtu siç ka bërë edhe Millosheviqi, duke pretenduar se serbët në Kosovë po shtypen, duke nxitur trazira me shpresën se gjen pretekst për të ndërhyrë dhe për ta mbrojtur “popullin” nga “regjimi fashist” i Kurtit. Ky që Vuçiqi e quan “popull” nuk ka të bëjë aspak me serbët, por në fakt, me strukturat kriminale të drejtuara prej tij.
Ajo çka realisht po shtypet në Kosovë është fashizmi i Vuçiqit, strukturat e tij kriminale dhe aspiratat për defunksionalizim të Kosovës, dhe kjo për regjimin e tij është e papranueshme.
Pjesë e retorikës serbo-ruse është bërë edhe Richard Grenell. Kujtojmë se edhe mbrëmë ai nuk hezitoi të sulmojë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti duke e quajtur fajtor për situatën në veri të Kosovës dhe duke thënë se në krye të Kosovës duhet kthyer Hashim Thaçi.
Kujtojmë se ndaj Richard Grenellit vijnë gjithnjë e më shumë akuza se ai është një lobist i paguar nga shteti serb në mënyrë që ky të mbrojë interesat e këtij shteti.
©Rruga Press