Lajme

Serbët vazhdojnë t’i mbajnë të bllokuara rrugët në veri të Kosovës

Në veri të Kosovës, në rrugët që çojnë në dy pikat kufitare me Serbinë – Jarinjë dhe Bërnjak – po vazhdojnë të jenë barrikadat e vendosura nga serbët lokalë.

Këtë e konfirmoi për Radion Evropa e Lirë, zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Besim Hoti.

“Gjendja nuk ka ndryshuar. Situata është e qetë, nuk ka ndodhur asgjë. Barrikadat janë ende prezentë aty, por të shohim sot gjatë ditës se çfarë do të ndodhë pas vendimit që është marrë”, tha Hoti për REL-in.

Aktualisht, në Mitrovicë të Veriut, sipas gazetarëve në terren, situata është e qetë. Por, në rrugët e këtij qyteti janë parë mesazhe ku shkruhet: “Mirë se vini në Asociacionin e komunave me shumicë serbe”.

Mesazhi i vendosur në Mitrovicë të Veriut ku shkruan: “Mirë se vini në Asociacionin e komunave me shumicë serbe”.

Mesazhi i vendosur në Mitrovicë të Veriut ku shkruan: “Mirë se vini në Asociacionin e komunave me shumicë serbe”.

Serbët lokalë më 31 korrik vendosën në rrugë kamionë dhe mjete të tjera të rënda për të kundërshtuar dy vendime të Qeverisë së Kosovës që kanë të bëjnë me targat dhe dokumentet serbe.

Pas kësaj, Qeveria u zotua se do të shtyjë zbatimin e vendimeve për një muaj, nëse serbët largojnë barrikadat e vendosura, ndërkaq në mesnatë janë lëshuar dokumentet e para për hyrje-dalje.

Vendimi i 29 qershorit i ekzekutivit kosovar parasheh lëshimin e dokumentit për hyrje-dalje për të gjithë personat që posedojnë dokumente serbe.

Praktikë të njëjtë Serbia ka aplikuar ndaj qytetarëve të Kosovës për vite me radhë.

Ndërkaq, vendimi i dytë parasheh që të gjithë pronarët e makinave me targa me akronime të qyteteve të Kosovës – që lëshohen nga Serbia – të mund të riregjistrojnë makinat e tyre në targat RKS (Republika e Kosovës).

Lexo më shumë  Në Kosovë nis fushata globale “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”

Kosova lëshon dokumentet e para për hyrje-dalje për qytetarët e Serbisë

Targat me akronime të qyteteve të Kosovës, nga Prishtina zyrtare konsiderohen ilegale, por vlerësohet se në veri të vendit, të banuar me shumicë serbe, qarkullojnë 10.000 makina me targa të tilla.

Për shkak të tensioneve në veri, Policia e Kosovës ka mbyllur dy pikëkalimet kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak, dhe ka udhëzuar qytetarët që të përdorin pikëkalime të tjera.

Më 31 korrik, Policia raportoi se ka pasur të shtëna me armë zjarri në disa lokacione dhe disa kanë qenë drejtim të Policisë, por nuk ka pasur të plagosur.

Përpjekjet e SHBA-së për të ulur tensionet

Pas rritjes së tensioneve në veri, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, kërkoi nga Qeveria e Kosovës që të shtyjë zbatimin e vendimeve për targat dhe dokumentet serbe për një muaj.

“Ne mendojmë se një shtyrje e tillë do të ishte e rëndësishme, sepse duket se ka dezinformim dhe keqkuptime për këto vendime”, tha Hovenier pas një takimi që zhvilloi në orët e vona të së dielës me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministrin Albin Kurti.

Pak minuta pas kësaj, Qeveria njoftoi se do të shtyjë zbatimin e dy vendimeve deri më 1 shtator, “kur do që të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës”.

Por, për shkak të moslargimit të barrikadave, autoritetet në Kosovë kanë nisur të lëshojnë dokumentet e hyrje-daljeve për shtetasit e Serbisë.

Ndërkaq, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, mirëpriti vendimin e Kosovës, për të pranuar, siç tha ai, propozimin e shefit të bllokut evropian, Josep Borrell, për shtyrjen e zbatimeve.

Lexo më shumë  Nisin punimet për ndërtimin e Parkut Industrial në Drenas

“BE-ja pret që të gjitha pengesat rrugore të hiqen menjëherë. Borrell ka ftuar Kosovën dhe Serbinë që të angazhohen në dialog për rrugën përpara. Falënderues ndaj Ambasadës amerikane në Kosovë për mbështetjen e fuqishme”, ka shkruar ai në Tëitter.

NATO i përgatitur të ndërhyjë

Pas rritjes së tensioneve në veri, misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, deklaroi se është i përgatitur që të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti.

“Në përgjithësi, situata e sigurisë në komunat veriore të Kosovës është e tensionuar. KFOR-i është duke vëzhguar situatën nga afër edhe është i gatshëm të intervenojë nëse situata rrezikohet, në përputhje me mandatin që ka nga rezoluta 1244”, u tha në njoftimin e KFOR-it më 31 korrik.

Bllokadat e mëhershme për targat

Edhe në të kaluarën, serbët lokalë në veri të Kosovës, kanë bllokuar rrugët në shenjë pakënaqësie me vendimet e autoriteteve të Kosovës.

Herën e fundit kur u bllokuan rrugët në veri të Kosovës, përkatësisht ato që çonin në drejtim të dy pikëkalimeve kufitare që lidhin Kosovën dhe Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak, ishte në shtatorin e vitit 2021.

Atëbotë, serbët lokalë protestuan vendimin e Qeverisë së Kosovës për të kërkuar nga shoferët serbë që të hiqnin targat dhe të pajiseshin me targa të përkohshme me të hyrë në territorin e Kosovës.

Bashkimi Evropian lehtësoi uljen e tensioneve dhe palët u pajtuan që të vendosnin letra ngjitëse mbi simbolet shtetërore në targa. Por, në kuadër të dialogut, Kosova dhe Serbia dështuan që të arrinin një marrëveshje afatgjatë për këtë çështje dhe dy palët vazhdojnë të aplikojnë regjimin me letra ngjitëse./REL

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *