Inceneratorët në mes/ Ç’ndodhi mes Ramës dhe Ahmetajt
Firmosja nga presidenti Begaj i dekretit për shkarkimin e zv/ kryeministrit Arben Ahmetaj, i hapi rrugë largimit përfundimtar nga qeveria të njërit prej ministrave më jetgjatë të kabinetit Rama. Ndonëse kryeministri e argumentoi këtë akt me një Twitter formal ku pretendohej se tani nuk qe më prioritet rindërtimi por integrimi (foto poshtë), gjithkush e kuptoi se nuk qe kaq e thjeshtë.
Shumë burime pranë kryeministrit pohojnë se ka kohë që Rama i ka ftohur së tepërmi marëdhëniet me ish zëvendesin e tij madje është shprehur se ndihet i tradhëtuar nga mënyra se si ky i fundit ka menaxhuar të gjithë procesin e inceneratorëve. Kjo u duk edhe në mënyrën se si u njoftua lajmi. nëse për disa anëtarë qeveria e gjitha është bërë në mirëkuptim, madje duke e filmuar edhe me kamera aktin e divorcit ku të dy bashkëudhëtarët falenderojnë njëri tjetrin për bashkëpunimin, në këtë rast kryeministri u mjaftua vetëm me një njoftim të thatë dhe konciz.
Ndonëse një pjesë e njerëzve me peshë brenda PS-së e kanë interpretuar largimin e Ahmetajt si pasojë e hakmarrjes nga klani Veliaj, duke u nisur nga fakti se kryebashkiaku dyshon që është ish ministri i ekonomisë dhe financave që i ka dhën opozitës dokumentat që e nxjerrin atë zbuluar për inceneratorin e Tiranës , kjo hipotezë ka pak gjasë të jetë e vërtetë.
Versioni më i mundshëm është ai që duke e kuptuar se skandali i inceneratorëve është një nga ata që i kanë damkosur përfundimisht vulën e grabitësit, kryeministri po përpiqet të kthejë pas gjysëm shekulli barcaletën e njërit prej personazheve të famshme të komunizmit, Pal Vata: “Fola me Enverin por ai nuk dinte gjë, gabimin e kishtë bërë Mehmeti”.
Edhe Rama po shpërndan në rrethe të ngushta se atë e kanë gënyer për inceneratorët. Madje këtë qëndrim ai e mbajti edhe në publik, kur foli përpara komisionit hetimor për inceneratorët. Ai përmendi mundësinë e “pazareve të bëra skutave”, tha se politika nuk është hapsirë ëngjëjsh, dhe se njerëzit mund të korruptohen” dhe se ai si kryeminister merret me projektet e mëdha dhe nuk di se “ç’bëjnë ministrat pas shpinës së tij”.
Pra hipoteza se Rama do ti lërë dikujt faturën e inceneratorëve është mëse evidente. Dhe duke u nisur nga fakti se një investigim i BIRN që dikur ai e ka shpërfillur, vërtetonte njohjet e Ahmetajt me Mirel Mërtirin, me sa duket kryeministri ka vendosur të bëjë kurban politik zëvendësin e tij të deri djeshëm.
Por sado të reket Rama të bëjë të paditurin, tashmë nuk ka asnjë dyshim se ai ka qenë arkitekti dhe dhe mbikqyrësi i gjithë këtij projekti korruptiv, që deri më tani ka çuar në pranga një ish ministër, një deputet dhe në kërkim bosët e koncesionit. Nëse nuk do ishte kështu, nuk mund të ndodhte që të nënshkruheshin plot 9 akte brenda një dite të vetme. Nëse nuk do të ishte kështu, edhe po të supozohet se nuk e patën vënë në djeni, pas denoncimeve të opozitës dhe mediave, Rama do përpiqej të informohej dhe nuk do vazhdonte të sulmonte kritikët e këtij skandali, duke i vënë atij gjoksin. Nëse nuk do të ishte kështu, ai nuk ai nuk do përpiqej të shpërndante përgjegjësinë kolektive duke shpënë në kulmin e akuzave PS-në në bënte mbledhje në barkun e inceneratorit të Elbasanit.
Pra sado që të reket të përhapë fjalën se është prerë në besë, ky version është pak i besueshëm. Vetë kryeministri e di këtë më mirë se kushdo, prandaj e paraqiti largimin e Ahmetajt si një përmbyllje të procesit të rindërtimit, ndonëse e la të hapur thashethemnajën e përgjegjësisë për inceneratorët, për ata që duan ta besojnë me çdo kusht./lapsi.al/
Rruga Press