Gjukanoviqi flet edhe për Abazoviqin: Do të gjykohet nga votuesit, historia, por edhe gjykatat
Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, ka thënë se “Ballkani i Hapur” është iniciativë e dyshimtë që do të çojë në fund në zhdukjen e shteteve si Kosova, Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut.
Gjukanoviqi në një intervistë për portalin “Autonomija”, ka thënë se kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, do të gjykohet nga votuesit, historia, por edhe gjykatat.
“Është e diskutueshme. Bëhet fjalë për një skenar alternativ për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor jashtë BE-së. Kjo nuk na duhet. Na duhet anëtarësimi në BE. Ata që nuk e shohin rajonin tonë në BE, nuk shohin as demokraci multietnike në Ballkan. Kjo përfundon me zhdukjen e Bosnjë-Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi e Maqedonisë së Veriut”, ka thënë Gjukanoviq, duke shtuar se do të çonte te gjenocide tjera në Ballkan.
Abazoviqi së fundi është shprehur pro “Ballkanit të Hapur” dhe e ka lënë të hapur mundësinë që Mali i Zi t’i bashkohet kësaj iniciative të krijuar nga Serbia, Shqipëria e Maqedonia e Veriut.
Pak kohë më parë, kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq dhe presidenti, Milo Gjukanoviq kishin zhvilluan një takim në selinë e Presidencës, ku diskutuan për situatën aktuale pas krizës së shkaktuar nga miratimi i Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse Serbe.
Sipas mediave malazeze, temë diskutimi ka qenë pikërisht miratimi i Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse Serbe dhe pasojat politike që mund të sjellë kjo marrëveshje.
Më 8 korrik, qeveria e Abazoviqit miratoi Marrëveshjen Themelore për rregullimin e marrëdhënieve me Kishën Ortodokse Serbe, e cila çoi në tërheqjen e mbështetjes nga Partia Demokratike e Socialistëve dhe Partia Socialdemokrate për qeverinë e pakicës.
Partia e Milo Gjukanoviqit kishte deklaruar se marrëveshja dëmton interesat kombëtare të vendit dhe për këtë arsye nuk do ta mbështesë më qeverinë e Abazoviqit.
Rruga Press