Bota

Trazirat e 6 janarit në Kapitol, prokurorët po hetojnë rolin e ish-presidentit Trump

Departamenti amerikan i Drejtësisë është duke hetuar përfshirjen e supozuar të ish-presidentit amerikan, Donald Trump, në përmbysjen e rezultatit zgjedhor më 2020, ka raportuar e përditshmja amerikane, Washington Post. Prokurorët federalë është raportuar të kenë pyetur dëshmitarët drejtpërdrejt për veprimet e Trumpit.

Deri më tani, ata kanë vendosur të mos nisin hetime penale kundrejt vetë Trumpit për rolin e tij të supozuar. Më 6 janar të vitit 2021 disa protestues kanë hyrë në ndërtesën e Kongresit amerikan, në përpjekje për të përmbysur humbjen e Trumpit në zgjedhje.
Trump i ka lavdëruar publikisht ata që kanë sulmuar ndërtesën, mirëpo mohon çdo keqbërje. Departamenti amerikan i Drejtësisë veçse ka nisur hetime penale për atë që ka ndodhur më 6 janar.

Raportimet se dëshmitarët janë duke u pyetur për rolin e Trumpit, nuk do të thotë se prokurorët do të vendosin nëse do të bëjnë akuza penale kundër tij. Këto hetime janë të ndara prej procesit që po zhvillohet në Kongres tash e saj javë për të njëjtën temë. Vetë Trump i ka konsideruar seancat në Kongres si gjueti shtrigash. Sipas Washington Post, prokurorët federalë kanë pyetur dëshmitarët para një jurie të madhe për bisedat që kanë pasur me Trumpin dhe rrethin e tij të ngushtë, disa muaj para se të ndodhnin trazirat e 6 janarit. Dëshmitarët është raportuar të jenë pyetur për instruksionet e dhëna nga Trumpi, në lidhje me ndonjë tentim për të parandaluar certifikimin e fitores së presidentit aktual, Joe Biden në zgjedhje.

Lexo më shumë  Le Monde: Franca dhe Britania nuk përjashtojnë drejtimin e një koalicioni në Ukrainë. Dërgimi i ushtarëve evropianë po diskutohet

Disa prej zyrtarëve të marrë në pyetje kanë qenë anëtarë të lartë të stafit të ish-nënpresidentit amerikan, Mike Pence, kanë raportuar disa media amerikane. Deri më tani, Departamenti amerikan i Drejtësisë ka refuzuar të tregojë nëse do të akuzojë Trumpin për ndonjë rol të supozuar në përmbysjen e rezultatit të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020. Kur zyrtari i lartë i këtij departamenti, Prokurori, Merrick Garland, është pyetur nëse është i shqetësuar për paditje të ish-presidentit, ai thjesht ka thënë se synon të mbajë përgjegjës “secilin”.

Zyrtarët federalë do të ndjekin penalisht secilin “që është përgjegjës për ndërhyrje në transferim paqësor të pushtetit, nga një administratë te tjetra”, ka thënë Garland për NBC News. Ai ka thënë se hetimi i Departamentit të Drejtësisë për atë që ka ndodhur më 6 janar është “më i gjeri në historinë e institucionit”. Çfarëdo vendimi i prokurorëve federalë për të bërë akuza penale kundër ish-presidentit – dhe potencialisht kandidatit për president në zgjedhjet e vitit 2024 – do të ishte pasoja të mëdha kushtetuese dhe politike.

Përveç prokurorëve federalë, një komitet i Kongresit është duke kryer po ashtu hetime për ngjarjet e 6 janarit të vitit 2021. Komiteti i Kongresit, i përbërë nga pesë demokratë dhe dy republikanë, u ka dërguar ftesa dhjetëra dëshmitarëve javën e kaluar me qëllim të krijimit të një rasti se Trump ka bërë përpjekje joligjore për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve, veprime që kanë kulmuar me trazira.

Lexo më shumë  OBSH: Deri në vitin 2050, rreth 1,2 miliardë njerëz mund të zhvendosen prej klimës

Një prej dëshmive më të fuqishme e ka dhënë, Cassidy Hutchinson, ish-ndihmëse e ish-shefit të stafit të Shtëpisë së Bardhë, Mark Meadows. Ajo ka thënë se Trump e ka ditur personalisht se anëtarët e turmës së mbledhur mëngjesin e 6 janarit para Shtëpisë së Bardhë, kanë qenë të armatosur, sepse ata janë larguar nga zyrtarë të shërbimit sekret. “Nuk më intereson që ata kanë armë. Ata nuk janë këtu për të më lënduar mua”, ka thënë Trump sipas Hutchinson-it. “Lejoni njerëzit e mi brenda. Ata mund të marshojnë në Kongres prej këtu”. Dëshmia e saj i ka dhënë komitetit diçka që ka pritur prej nisjes së procedurave – që Trump dyshohet se ka pasur njohuri për kërcënimin për dhunë, dhe nuk ka bërë asgjë për të ndalur diçka të tillë. Paneli i senatorëve ka sugjeruar se mund të ekzistojnë të dhëna të mjaftueshme për të bërë akuza penale kundër Trumpit, ndonëse vetë ai nuk ka autoritetet për diçka të tillë.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *