Koloneli rus parashikon disfatë: Kemi humbur fuqinë sulmuese, do pësojmë rëndë nga ofensiva ukrainase
Një kolonel rus, i dyshuar për rrëzimin e aeroplanit të Malaysia Airlines në vitin 2014, ku u vranë gati 300 pasagjerë e anëtarë të ekuipazhit dhe i cili pretendon se ka luftuar në anën e serbëve në Bosnjë-Hercegovinë, ka dhënë një parashikim të zymtë për ushtrinë e vendit të tij.
Koloneli i FSB-së, Igor Girkin, tha se në betejat për Severodonetskun dhe Lisichanskun, dy qytete në rajonin e Donbasit, ushtria ruse ka humbur potencialin sulmues.
Sipas tij, ajo nuk është më në gjendje të përparojë dhe se do të ketë një pauzë të gjatë operacionale. Ushtria ruse nuk ka dhe as nuk pret forca shtesë për të nisur një ofensivë, thotë ky kolonel, i njohur edhe si Strelkov.
“E vetmja gjë që ushtria ruse mund të bëjë tani është të zmbrapsë sulmin ukrainas. Forcat ruse tani nuk janë në gjendje të bëjnë asgjë më shumë për shkak të fuqisë shumë të ulët. Jo çdo gjë është në gjendjen më të mirë, edhe me pajisjet është njëjtë”, tha Girkin. “Dhe cilësia e trupave është e keqe, sinqerisht e keqe! Situata është sinqerisht e tillë që trupat ruse nuk janë më në gjendje të sulmojnë”.
Ai po ashtu u shpreh se nuk është i sigurt se ushtria ruse mund të përballojë ofensivën e ardhshme të Forcave të Armatosura të Ukrainës.
“Armiku nuk nxiton dhe nuk ka ku të ngutet. Ai tashmë ka një avantazh në njerëz. Grupet kryesore të goditjes së armikut janë të përqendruara pranë Khersonit, në drejtim të Zaporozhye, raportohet se janë përforcuar edhe pranë Kharkivit”, thotë Girkin. “Ka të ngjarë që pauza operacionale të përfundojë me një ofensivë nga Forcat e Armatosura të Ukrainës. Ekziston një besim i fortë se nëse nuk merren masa urgjente dhe nëse nuk plotësojmë numrin e trupave të paktën me mobilizim të pjesshëm, mund të pësojmë një disfatë mjaft të rëndë”.
Girkin është kolonel i FSB-së, shërbimit sekret rus, e që është pasardhës i KGB-së së famshme. Ai filloi rebelimin rus në Ukrainë në 2014 dhe në këtë mënyrë ndezi flakët e luftës që u ndezën me pushtimin rus të Ukrainës më 24 shkurt të këtij viti.
Ai konsiderohet gjithashtu përgjegjës për rrëzimin e aeroplanit të Malaysia Airlines, një fluturim nga Amsterdami në Kuala Lumpur, në vitin 2014, kur të gjithë 283 pasagjerët dhe 15 anëtarët e ekuipazhit vdiqën.
Një ekip ndërkombëtar kërkimor i udhëhequr nga Holanda përcaktoi se sistemi kundërajror BUK që rrëzoi “Boeing 777” ishte pjesë e Brigadës së 53-të Kundërajrore të Federatës Ruse.
Qeveritë e Holandës dhe Australisë, bazuar në hetimin, besojnë se Rusia është përgjegjëse për rrëzimin e aeroplanit dhe më 19 qershor 2019, prokuroria publike holandeze akuzoi katër persona për vrasje në lidhje me rrëzimin e avionit: tre rusë – Igor Girkin, Sergey Dubinsky dhe Oleg Pulatov dhe një ukrainas, Leonid Harchenko. Për secilin nga të akuzuarit janë lëshuar urdhërarreste ndërkombëtare.
Menjëherë pas aksidentit, përgjegjësinë për rrëzimin e avionit e mori Igor Girkin, atëherë lideri i separatistëve të Donbasit, në një postim në rrjetin social VKontakte, ndërsa rebelët rusë ishin të bindur se kishin rrëzuar avionin transportues ukrainas “An-26”.
Girkin, ishte i përfshirë dhe inicioi të gjitha ngjarjet kryesore që çuan në luftën në Ukrainë. Pas rënies së BRSS-së në vitet 1990, ky veteran i ushtrisë ruse mori pjesë në luftërat në Transnistri të Moldavisë, por edhe në Bosnjë, kur luftoi në anën e serbëve.
Më vonë, si oficer i lartë i Shërbimit Federal të Sigurisë, ai luajti një rol kyç në aneksimin e Krimesë nga Rusia.
Rruga Press