Katër vite pa Adem Demaçin, një jetë ku përputhet mendimi dhe fjala, sjellja dhe veprimi
Sot bëhen katër vjet që kur në moshën 82-vjeçare ndërroi jetë veprimtari i çështjes kombëtare, Adem Demaçi.
Me prejardhje nga Lupqi i Podujevës, Demaçi u lind më 26 shkurt 1936 në Prishtinë. Ishte veprimtar i çështjes kombëtare në kohën e regjimit të Jugosllavisë dhe luftonte për barazinë e Kosovës me republikat e tjera.
Për angazhimin e tij politik, Adem Demaçi vuajti 28 vjet me radhë në burgjet e Jugosllavisë. Pasi u lirua ai menjëherë vazhdoi aktivitetin e tij politik. Ai u quajt edhe Nelson Mandela i Evropës.
Adem Demaçi udhëhoqi Këshillin për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (KMDLNJ) nga viti 1990-1995. Në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin Saharov.
Gjatë periudhës 1998-1999, kur mbaheshin takimet në Rambouillet për të ardhmen e Kosovës, ai ishte zëdhënës politik i UÇK-së. Ishte njëkohësisht kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (2005-2007).
Sot, njerëzit e rezistencës kombëtare identifikohen me emrin e Adem Demaçit, sepse ai me punën dhe me veprën e tij, u bë simbol i unifikimit për ruajtjen e kombit shqiptar, mbi pesë dekada.
Adem Demaçi me jetën dhe veprën e tij, u shndërrua në një personalitet të përmasave të historisë së përgjithshme njerëzore, ku bën pjesë edhe historia jonë kombëtare. Ai ka shkruar romanin “Gjarpinjtë e Gjakut”, i cili u ndalua nga ish-regjimi komunist. Ai e pa dritën vetëm pas viteve nëntëdhjetë.
Pasditen e 26 korrikut 2018, Demaçi ndërroi jetë. Në nderim të tij u organizuan shumë aktivitete shtetërore dhe u mbajtën tri ditë zie në Kosovë.
Adem Demaçi është disidenti më i madh evropian pas Luftës së Dytë Botërore. 28 vjet në burg. I pathyeshëm. I palodhshëm. Pas secilës burgosje e dënonin më shumë, e mbanin më gjatë. Njëherë 3 vjet, mandej 10 vjet, pastaj 15 vjet.
Jetën e tij Baca Adem e kuptonte si shërbim për popullin shqiptar. Kështu edhe bëri. Ai nuk kishte shpërputhje midis mendimit dhe fjalës dhe sjelljes dhe veprimit.
Rruga Press