SHBA/ Vjosa Osmani dhe Albin Kurti do të takohen me Sekretarin e Shtetit Antony Blinken
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, së bashku me Kryeministrin Albin Kurti kanë shkuar dje në SHBA, në Uashington D.C. për të marrë pjesë në ceremoninë e organizuar nga Kongresi i SHBA për nënshkrimin e marrëveshjes me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), për Programin Kompakt të Kosovës.
Vetë Osmani ka njoftuar në Fb për synimin e kësaj vizite në një shënim në Fb:
“Në Departamentin Amerikan të Shtetit, do të kemi nderin të pritemi nga Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, sot në orën 16:30, sipas kohës lokale në Washington D.C.
Së bashku me Kryeministrin Kurti, në këtë takim do të fokusohemi në thellimin e partneritetit strategjik me SHBA, duke adresuar sfidat me të cilat po ballafaqohet rajoni ynë, reformat që po i ndërmarrin institucionet tona si dhe fuqizimin e pozicionit ndërkombëtar të Kosovës.
Kosova është e bekuar me miqësinë dhe përkrahjen e Shteteve të Bashkuara,” ka përfunduar Osmani duke shtuar edhe foton në vijim.
Rruga Press