11 vite nga vrasja e efektivit të njësisë speciale të Policisë së Kosovë, Enver Zymberit
Sot bëhen 11 vjet kur Njësia Speciale e Policisë së Kosovës ndërmori aksionin për t’i futur nën kontroll pikat kufitare në veri të Kosovës, Jarinjë dhe Bërnjak.
Në mëngjesin e 25 korrikut të vitit 2011, ROSU, ishte nisur drejt pikave kufitare në veri të Kosovës në përpjekje për t’i marrë nën kontroll ato.
Por, ROSU hasi në pengesat e serbëve në veri, ku gjatë këtij aksioni nga strukturat ilegale serbe ishte vrarë polici Enver Zymberi.
Tri vite më pas, polica e EULEX-it e kishte arrestuar si të dyshuar për vrasjen e Zymberit, Radomir Radiçin dhe Millovan Vllaskoviçin, të cilët më pas Gjykata Themelore e Mitrovicës i kishte shpallur të pafajshëm nga akuzuat që u viheshin në barrë.
Ndërkaq në vitin 2015 ishin arrestuar shefi i Operativës në Policinë e Kosovës në stacionin e veriut të Mitrovicës, Miodrag Llekiç, si dhe vëllai i tij, po ashtu pjesëtar i policisë në këtë stacion si të dyshuar për vrasjen e Zymberit.
Vëllezërit Llekiç ishin intervistuar në cilësinë e të dyshuarve nga zyrtarë të EULEX-it.
Por, vetëm një muaj më pas dy të lartcekurit ishin liruar si të pafajshëm nga Gjykata Themelore e Mitrovicës.
“Gjykata i shpalli dy të akuzuarit të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës sepse nuk është vërtetuar përtej dyshimit të bazuar se ata i kanë kryer, në bashkë-kryerje, këto vepra penale: Vrasje e rëndë, Tentim-vrasje e rëndë, Mbajtja në pronësi, Kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, Pengimi i personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, Rrezikimi i trafikut publik me anë të veprimeve apo mjeteve të rrezikshme, Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm, Pjesëmarrja në turmë e cila kryen vepër penale”, thuhej në njoftimin e gjykatës.
Megjithatë, kur kanë kaluar një dekadë nga vrasja e Zymberit, ende nuk është ndriçuar ky rast nga organet e rendit.
Enver Zymberi, oficer i Policisë së Kosovës, është vrarë në përballje me një grup serbësh të armatosur në veri, gjatë operacionit të 25 korrikut të forcave të Kosovës për të rimarrë kontrollin në vendkalimet kufitare me Serbinë.
Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, i ka dhënë titullin “Hero i Kosovës”, Enver Zymberit, me motivacionin “për trimërinë dhe përkushtimin e treguar deri në flijim për vendosjen e sundimit të ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës”.
Rruga Press