Bota

The Economist: Ndërlikime të rënda, ndalimet nuk e ulin numrin e aborteve

Por ato mund të përkeqësojnë kujdesin për të gjitha gratë shtatzëna, shkruan The Economist

Laura Buckingham mund të kishte vdekur tri herë. Zonja Buckingham, 37 vjeçe, ka një djalë. Ajo gjithashtu ka pasur 11 shtatzëni të planifikuara që kanë shkuar keq.

Një shtatzëni shkaktoi infeksion, që kërkoi trajtim urgjent. Në një rast tjetër, ajo kishte një shtatzëni ektopike, që mund të shkaktojë gjakderdhje të brendshme. Më vonë, pati shtatzëni molare, ku dy spermatozoidë fekonduan të njëjtën vezë, gjë që ndonjëherë mund të shkaktojë kancer.

Në çdo rast, kujdesi i shpejtë mjekësor në Britani, ku ajo jeton, e ka mbajtur të shëndetshme. Ajo thotë: “Pa këtë kujdes, mund të mos isha këtu sot”.

Më 24 qershor, Gjykata e Lartë e Amerikës, u dha fuqinë 50 shteteve amerikane që të miratonin ligjet e tyre mbi abortin, një të drejtë që u ishte hequr që në vitin 1973.

Brenda një jave, shtatë shtete e ndaluan abortin (me disa përjashtime, për shembull kur jeta e gruas është në rrezik). Këto ndryshime pengojnë prirjen globale drejt rritjes së lejes së abortit. Që nga fillimi i viteve 1990, më shumë se 50 vende në botë kanë zbutur ligjet për abortin.

Vetëm 5% e grave në moshë riprodhuese, jetojnë në vende ku aborti është plotësisht i ndaluar. Rreth 36% jetojnë në vende pa kufizime, të paktën gjatë tremujorit të parë të shtatzënisë.

Të dhënat globale tregojnë se ndalimi i abortit nuk e ul numrin e aborteve në botë. Megjithatë, duke ngadalësuar ose duke penguar trajtimin e urgjencave obstetrike, si ato që vuajti zonja Buckingham, ndalimet e abortit mund ta bëjnë çdo shtatzëni më pak të sigurt.

Edhe pse abortet e ligjshme janë bërë më të lehta për t’u siguruar, shkalla globale e abortit pothuajse nuk ka ndryshuar që nga vitet 1990, sipas vlerësimeve të botuara në vitin 2020 në revistën mjekësore Lancet. Përdorimi i kontraceptivëve ka ulur numrin e shtatzënive të padëshiruara.

Megjithatë, një pjesë më e madhe e këtyre shtatzënive tani përfundojnë me abort. Arsyet për këtë përfshijnë preferencën në rritje për familje më të vogla dhe prirjen për të pasur fëmijë më vonë në jetë.

Të paktën, një e katërta e grave në Amerikë, Kanada, Britani dhe Australi, kanë kryer një abort. Këto aborte po ndodhin gjithnjë e më shumë kur gratë janë në moshë më të madhe – në fund të të njëzetave ose të tridhjetave – dhe kur kanë pasur tashmë një fëmijë.

Shtatzënitë në adoleshencë po bien vazhdimisht. Kjo është për shkak të edukimit më të mirë seksual dhe për shkak se adoleshentët po kryejnë më pak marrëdhënie seksuale.

Normat e abortit priren të jenë më të larta aty ku përdorimi i kontraceptivëve është i ulët. Kjo është veçanërisht e vërtetë kur njerëzit heqin dorë nga metodat më efektive të kontracepsionit, siç janë pajisjet intrauterine (IUD) dhe barnat hormonale (shih grafikun 1).

Në disa vende të pasura, mitet rreth rreziqeve të kontraceptivëve e kanë ulur përdorimin e tyre, ndërsa në disa pjesë të Afrikës, ato janë të vështira për t’u marrë. Në Greqi, vetëm gjysma e grave të martuara përdorin kontraceptivë modernë.

Prezervativët janë metoda të njohura. Por këto dështojnë për rreth një të pestën e çifteve që i përdorin për një vit. Një grua greke rreth të 40-tave thotë se çdo grua që njeh ka bërë abort.

Abortet janë mjaft të zakonshme edhe në vende si Britania, ku kontraceptivët janë të disponueshëm falas dhe të përdorur gjerësisht. Çdo vit, gati 2% e grave britanike të moshës 15-44 vjeç, i nënshtrohen një aborti. Një arsye është se, edhe kontraceptivët më të mirë, nuk funksionojnë gjithmonë.

Lidhja e tubave (një formë sterilizimi) dështon në 1 në 200 gra. Nga gratë që përdorin pilula kontraceptive, 9% mbeten shtatzëna. Shkalla e dështimit të metodave intrauterine është 1-2%. “Këta janë njerëzit që shohim në klinikën e abortit”, thotë Jonathan Lord nga MSI Reproductive Choices, një organizatë jofitimprurëse që ofron shërbime të planifikimit familjar.

Lexo më shumë  Një epokë e re në bashkëpunimin ushtarak: Ja se si vendet anëtare të BE-së “po bashkohen për një mbrojtje të avancuar”

Një studim në Amerikë, zbuloi se shumica e grave që kërkonin aborte në tremujorin e dytë, sapo kishin marrë vesh se ishin shtatzëna (dështimi i kontraceptivëve ishte një arsye e zakonshme për këtë). Menstruacionet e parregullta, të cilat janë të zakonshme, mund të maskojnë lehtësisht një shtatzëni.

Pak femra zgjedhin që të bëjnë abort pas tremujorit të parë. Këto janë kryesisht për arsye mjekësore ose sepse “diçka e keqe” ka ndodhur, thotë doktor Lord. Disa gra janë detyruar për të mbetur shtatzënë nga partnerë abuzues dhe u duhet kohë për të gjetur guximin që të shkojnë në klinikë. “Sa më e vonë të jetë shtatzënia, aq më e dëshpëruar është situata dhe aq më rrëqethëse janë historitë”, thotë ai.

Vetëm 1% e aborteve në Angli në vitin 2021 u kryen pas javës së 20-të të shtatzënisë. Në 41% të këtyre rasteve, kishte anomali serioze me fetusin. “Unë e quaj këtë një zgjedhje pa zgjidhje”, thotë Rose Losardo, një grua britanike 31-vjeçare, në lidhje me ndërprerjen e shtatzënisë.

Një skanim në tremujorin e parë, tregoi se koka e foshnjës nuk ishte formuar siç duhet dhe lëngu amniotik po i hante trurin. Prognoza ishte se ajo duhej të abortonte, ose foshnja do të vdiste brenda një ore pas lindjes. “Ishte shumë e dhimbshme të ishe shtatzënë, duke ditur se çfarë do të ndodhte me foshnjën. Doja që të përfundonte sa më shpejt”.

Vendet që kanë kufizime të rrepta për abortin kanë bërë më shumë përjashtime për raste të tilla. Kjo është pjesë e një prirje më të gjerë drejt rregullave më liberale. Kohët e fundit, Argjentina, Tajlanda, Meksika, Koreja e Jugut dhe Zelanda e Re, e kanë legalizuar abortin, ose kanë lehtësuar kufizimet ndaj tij. Kohët e fundit, Kolumbia e bëri të ligjshëm abortin, deri në javën e 24-të të shtatzënisë.

Normat e abortit janë disi të ngjashme në vendet me dhe pa ndalime (shih grafikun 2). Këto ditë, pilulat e abortit, të cilat funksionojnë në më shumë se 95% të rasteve kur merren gjatë dhjetë javëve të para të shtatzënisë, mund të porositen online.

Në Brazil, ato shiten nga tregtarët e paligjshëm të ilaçeve. Zyrtarët në vendet e varfra shpesh mbyllin një sy ndaj klinikave private që ofrojnë aborte, pavarësisht ligjit. Dhe shumë gra të dëshpëruara i kryejnë fshehurazi. Organizata Botërore e Shëndetësisë, vlerëson se 23,000 gra vdesin nga abortet e pasigurta çdo vit.

Gratë që jetojnë në juridiksione të rrepta, shpesh gjejnë mënyra për të kryer aborte, siç do të zbulojnë së shpejti Kentucky dhe Alabama.

Që nga viti 2018, kur një referendum në Irlandë legalizoi abortet, mjekët atje kryen rreth 6600 aborte çdo vit. Por ky numër mund të mos jetë shumë i ndryshëm nga numri i grave irlandeze që kryenin abort përpara reformës.

Në vitin e fundit gjatë të cilit aborti ishte i paligjshëm, gati 3,000 gra që kryen një abort në Angli, banonin në Irlandë.

Në vitet para shfuqizimit të ligjit kundër abortit, shumë gra irlandeze merrnin gjithashtu pilula për abortin përmes internetit, ose përmes grupeve aktiviste, pa pasur nevojë të udhëtonin. Organizata si Women on Web, një grup me bazë në Kanada, dërgojnë me postë pilula për gratë në mbarë botën.

Polonia i lejon abortet vetëm në rastet e përdhunimit, incestit ose për të shpëtuar jetën e gruas. Në vitin 2020, u lejuan vetëm 23 aborte për shkak të këtyre rrethanave.

Federa, një grup polak sensibilizimi, mendon se mund të kryhen 150,000 aborte të paligjshme në vit. Shumë prej tyre bëhen duke përdorur pilula. Gratë shkojnë edhe në klinikat në vendet fqinje. N

Lexo më shumë  Shefja e Parlamentit të BE-së: Gjermania duhet t’ia dërgojë Ukrainës raketat Taurus

ë vitin 2021, kur Polonia shtrëngoi rregullat duke i ndaluar abortet, edhe në rastet e anomalive të rënda të fetusit, një klinikë për abortet e vonshme në Holandë, trajtoi rreth 400 gra polake.

Ky ishte sa pesëfishi i numrit në vitet e mëparshme. Në Amerikë, klinikat e lëvizshme të abortit po ngrihen pranë kufijve të shteteve që kanë vendosur ndalime. Aktivistët po i ndihmojnë gratë në ato shtete që të marrin pilulat e abortit.

E gjithë kjo tregon se rregullat e reja në Amerikë, nuk do të pengojnë shumicën e grave që duan të bëjnë një abort (ndonëse përpjekja do të bëhet më e vështirë dhe më e shtrenjtë). Por përvoja globale tregon gjithashtu se ndalimet e abortit mund të ulin cilësinë e kujdesit mjekësor për gratë që vuajnë nga ndërlikime serioze të shtatzënisë, si ato që shkaktojnë abort.

Ka tre probleme në veçanti që mund të shkaktojnë rrezik në tremujorin e dytë të shtatzënisë: çarja e qeses amniotike (kur një gruaje i derdhen ujërat para kohe, gjë që mund të çojë në infeksion); një problem me placentën (që çon në gjakderdhje); dhe pre-eklampsi (kur presioni i gjakut rritet në nivele të rrezikshme).

Të gjitha këto probleme mund të kërkojnë atë që mjekët e quajnë një “evakuim të mitrës” për të shpëtuar jetën e nënës. E njëjta procedurë përdoret edhe në aborte.

Të trajnuarit për këtë lloj procedure mjekësore, shpesh i zhvillojnë aftësitë e tyre nëpër klinikat e abortit, të cilat kanë shumë pacientë dhe takime të paracaktuara. Kur nuk ka aborte, numri i procedurave që mund të bëjnë gjatë trajnimit, bie në mënyrë dramatike.

Një akademik në Teksas ka përdorur një shalqi të vogël si një model krahasues për një mitër, për t’u mësuar banorëve se si të menaxhojnë dështimin e një shtatzënie.

Pothuajse të gjitha ndalimet e abortit, duke përfshirë edhe ato të rejat në Amerikë, bëjnë një përjashtim kur procedura shpëton jetën e nënës.

Por zbatimi i këtyre rregullave mund të jetë i ndërlikuar. Mjekët në Amerikë shqetësohen se do të akuzohen për shkeljen e ligjeve të reja të abortit, nëse gjykohet se kanë ndërhyrë shumë herët. Carrie Cwiak nga Shkolla e Mjekësisë e Universitetit Emory në Atlanta, thotë se shumica e grave që vizitojnë spitalin e saj gjatë një aborti spontan, arrijnë atje përpara se jeta e tyre të jetë në rrezik.

Heqja e indeve të fetusit në kohën e duhur, parandalon vdekjen. Por çdo rast është i ndryshëm dhe disa gra sëmuren shumë më shpejt se të tjerat.

“Mjekët do të jenë në dilemë, duke peshuar se sa kohë duhet të presin që të abortojnë fetusin pasi pacientet të sëmuren, në mënyrë që të mos thyejnë ligjin”, thotë Cassing Hammond nga Shkolla e Mjekësisë e Universitetit Northwestern Feinberg në Çikago.

Shtrëngimi i fundit i rregullave të abortit nga Polonia ka pasur një “efekt ftohës” te mjekët, thotë Kamila Ferenc nga Federa. Së paku tre gra kanë vdekur kohët e fundit nga ndërlikimet e shtatzënisë, sepse mjekët kanë pritur shumë gjatë.

Zonja Ferenc thotë se disa mjekë kanë ndaluar trajtimin e shtatzënive ektopike. Këto përbëjnë 1-2% të të gjitha shtatzënive dhe zakonisht ato ndërpriten sepse ekziston rreziku që të shkaktohet çarje e qeses amniotike, gjakderdhje e brendshme dhe infeksion.

Edhe kur një infeksion i shkaktuar nga ndërlikime të tilla trajtohet me sukses, dëmi që lë pas, mund të çojë në infertilitet.

Ndërsa rregullat shtrëngohen, gratë amerikane që përjetojnë ndërlikime të zakonshme të shtatzënisë, mund të vuajnë nga kujdesi i vonuar mjekësor. Disa ndoshta do të vdesin si pasojë. Ashtu si në Poloni, mjekët që ofrojnë trajtime që u shpëtojnë jetën grave shtatzëna, mund të zbulojnë se puna e tyre do të bëhet edhe më e ndërlikuar./MONITOR

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *