Miratohet marrëveshja që i hap rrugë ndërtimit të hekurudhës Prishtinë – Durrës
Kuvendi i Kosovës ka miratuar projektligjin për marrëveshjen për financimin e studimit të fizibilitetit dhe projekt idesë për linjën hekurudhore Prishtinë – Durrës.
Kreu i Kuvendit, Glauk Konjufca, njoftoi se pro marrëveshjes kanë votuar 83 deputetë, pra të gjithë deputetët e pranishëm, duke përfshirë edhe ata të opozitës.
Futjen në rend dite të kësaj marrëveshjeje e propozoi Lëvizja Vetëvendosje, kërkesë e cila u miratua me 79 vota për.
Në prezantimin e nismës për projektligjin për marrëveshjen për financimin e studimit të fizibilitetit dhe projekt idesë për linjën hekurudhore Durrës-Prishtinë, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Luburn Aliu, tha se ky projekt do të kushtojë 1 milion e 980 mijë euro. Ai ka bërë të ditur se 51 për qind të këtyre mjeteve do t’i ofrojë Shqipëria, kurse 49 për qind do t’i ndajë Qeveria e Kosovës.
Duke folur për rëndësinë e këtij projekti, Aliu tha se ndërtimi i kësaj hekurudhe hap mundësi edhe për projekte tjera për qarkullimin e mallrave nga porti i Durrësit për të gjithë rajonin.
Rruga Press