Bota

Rënia e Boris Johnson – dhe e jona

Edhe pse fjalët si “joparimor”, “amoral” dhe “gënjeshtar serial” duket se e përshkruajnë me saktësi kryeministrin britanik në largim, ato përshkruajnë me saktësi edhe liderë të tjerë politikë më të suksesshëm. Për të shpjeguar rënien e Boris Johnson, duhet të marrim parasysh dy faktorë specifikë për kohën tonë.

Pothuajse të gjitha karrierat politike përfundojnë me dështim, por Boris Johnson është kryeministri i parë britanik që rrëzohet për sjellje skandaloze. Kjo duhet të na shqetësojë.

Tre rëniet më të spikatura të liderëve britanikë të shekullit të njëzetë u shkaktuan nga faktorë politikë. Neville Chamberlain ra nga posti për shkak të politikës së tij të dështuar pajtuese. Fiaskoja e Suezit e detyroi Anthony Eden të jepte dorëheqjen në vitin 1957. Dhe Margaret Thatcher ra në vitin 1990 sepse rezistenca popullore ndaj taksës së votimit i bindi deputetët konservatorë se nuk mund të fitonin më me të si udhëheqëse.

Harold Macmillan u largua nga detyra në vitin 1963 nga skandali seksual Profumo, por kjo përfshinte një sekretare shteti për luftën dhe shkelje të mundshme të sigurisë kombëtare. Humbjet në zgjedhje pas dështimit ekonomik rrëzuan Edëard Heath dhe James Callaghan në vitet 1970. Tony Blair u detyrua të jepte dorëheqjen nga dështimi në Irak dhe dhe padurimi i Gordon Brown për ta pasuar atë. David Cameron u dogj nga Brexit dhe Theresa May po për shkak të Brexit.

Asnjë ngjarje e tillë nuk e shpjegon rënien e Johnson.

David Lloyd George, një lider shumë më i madh se Johnson, është rivali i tij i vetëm serioz. Por megjithëse shitja e vendeve në Dhomën e Lordëve, metodat e shkujdesura administrative dhe pandershmëria e kishin dobësuar Lloyd George, shkaku i menjëhershëm i rënies së tij (saktësisht një shekull më parë) ishte keqpërdorimi i tij i krizës Chanak, e cila solli Britaninë dhe Turqinë në prag lufte.

Krahasimi më i njohur është me presidentin amerikan Richard Nixon. Çdo sjellje e gabuar e Johnson është etiketuar në mënyrë rutinore “porta” pas skandalit Uotergeit që i dha fund karrierës së Nixon.

John Maynard Keynes e quajti Lloyd George një “kriminel”. Nixon e mohoi se ai ishte i tillë. As ata dhe as Johnson nuk ishin kriminelë në kuptimin teknik (të dënuar për krime), por Nixon do të ishte gjykuar në 1974 nëse ai nuk do të jepte dorëheqjen dhe Johnson u gjobit me 50 paund për thyerjen e rregullave të karantinës. Për më tepër, të tre treguan përbuzje për ligjet që ata u zgjodhën të zbatonin dhe për normat e sjelljes që priten nga zyrtarët publikë.

Lexo më shumë  Raketat amerikane Atacms i shkaktojnë Rusisë humbjen e rëndësishme

Për të shpjeguar rënien e Johnson, duhet të kemi parasysh dy faktorë specifikë për kohën tonë.

E para është se ne nuk i dallojmë më cilësitë personale nga cilësitë politike. Në ditët e sotme, personale është vërtet politike: dështimet personale janë ipso facto dështime politike. Është zhdukur dallimi midis privates dhe publikes, midis ndjenjës subjektive dhe realitetit objektiv, dhe midis çështjeve morale dhe fetare dhe atyre që qeveria duhet të trajtojë.

Politika ka kaluar në fushën që më parë e kishte psikiatria. Kjo do të ndodhte sapo bollëku të minonte bazën e vjetër klasore të politikës. Pyetjet e identitetit personal që lindin nga raca, gjinia, preferencat seksuale, e kështu me radhë tani dominojnë hapësirat që la të lira politika e shpërndarjes. Korrigjimi i diskriminimit, jo trajtimi i pabarazisë, u bë detyrë e politikës.

Johnson është edhe krijesë edhe viktimë e politikës së identitetit. Retorika e tij kishte të bënte me “ngritjen e nivelit” dhe “Shërbimin tonë Kombëtar Shëndetësor”. Por, në praktikë, ai e bëri personalitetin e tij përmbajtje të politikës së tij. Asnjë udhëheqës i mëparshëm britanik nuk do ta kishte shpërdoruar kapitalin e tij moral në kundërvajtje të parëndësishme dhe tentativa për fshehje, sepse ata e dinin se ai duhej mbajtur rezervë për ndonjë ngjarje të rëndësishme. Por ngjarjet e rëndësishme tani kanë të bëjnë me veten, kështu që kur një personalitet shihet si me të meta, nuk ka histori tjetër për të treguar.

Personaliteti politik i Johnson ishte gjithashtu krijim i medias. Në të kaluarën, gazetat, në përgjithësi, raportonin lajmet. Tani, duke u fokusuar te personalitetet, ata e krijojnë atë. Ky ndryshim ka shkaktuar një marrëdhënie korruptive: personalitetet përdorin median për të promovuar veten dhe media ekspozon dobësitë e tyre për të shitur kopje.

Gjithmonë ka pasur një treg të madh për thashethemet seksuale dhe financiare. Por edhe në “shtypin e verdhë” të vjetër, kishte një sferë të njohur ngjarjesh publike që kishin përparësi. Tani lajmet me thashetheme janë ngjarje publike.

Ky zhvillim ka transformuar rrënjësisht perceptimet e publikut për cilësitë që duhet të ketë një lider politik. Brezat e mëparshëm të liderëve politikë nuk ishin aspak të matur. Ata gënjenin, pinin, kurvëronin dhe merrnin ryshfet. Por të gjithë ata që merreshin me politikë e kuptonin se ishte e rëndësishme të mbrohej sfera publike. Dështimet morale të liderëve kryesisht mbroheshin nga vështrimet hetuese, përveç rasteve kur ato bëheshin skandaloze. Edhe kur publiku i merrte vesh ato, ato faleshin, me kusht që liderët të silleshin si duhej politikisht.

Lexo më shumë  Ukraina: Rusia ka dërguar numër rekord dronësh për të na sulmuar gjatë natës

Shumica e shkeljeve që çuan në dorëheqjen e Johnson nuk do të ishin raportuar kurrë në të kaluarën. Por sot doktrina e llogaridhënies personale justifikon zhveshjen lakuriq të liderëve politikë. Çdo mëkat i vogël, çdo mungesë nga shprehja e saktë, bëhet një “pafytyrësi” ose “turp” që shkatërron besueshmërinë. Aftësia e njerëzve për të vepruar në sferën publike varet nga privatësia. Pasi kjo ikën, aftësia e tyre për të vepruar në mënyrë efektive kur duhet zhduket.

Faktori tjetër i ri është se politika nuk shihet më si një profesion, por si një mënyrë për të bërë para. Obsesioni mediatik për atë se sa vlen një karrierë politike, në vend të faktit nëse politikanët e meritojnë punën e tyre, ka të ngjarë të ndikojë në atë që njerëzit me ambicie politike presin të arrijnë dhe mendimin e publikut se çfarë duhet të presin prej tyre. Blair raportohet të ketë grumbulluar miliona para në angazhime dhe konsulenca që nga largimi i tij nga posti i kryeministrit. The Times ka vlerësuar se sa para mund të fitonte Johnson nga pagesat pr fjalime dhe ofertat që mund të marrëpër libra dhe sa më shumë sesa May vlen ai.

Në fjalimin e tij të dorëheqjes, Johnson u përpoq të mbronte “punën më të mirë në botë” në terma tradicionalë, ndërsa kritikoi “ekscentricitetin” e largimit në mes të përmbushjes së premtimeve të tij. Por kjo mbrojtje e kryeministrit dukej e pasinqertë, sepse karriera e tij nuk ishte një dëshmi e fjalëve të tij. Shkaku i rënies së tij nuk ishte vetëm mungesa e perceptuar e moralit nga ana e tij, por edhe mungesa e perceptuar e tij për një busull politike. Për Johnson, personalja thjesht ekspozoi zbrazëtinë e politikës.

Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate Boris Johnson’s Fall – and Ours/reporter.al/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *