Analistja ruse zbulon 3 synimet e Putinit në Ukrainë
Në luftë ndaj Ukrainës, presidenti rus, Vladimir Putin, i ka tri synime, thotë politologia ruse Tatiana Stanovaya, transmeton BBC-ja të martën.
Sipas Stanovayas, në fund të majit, Putini besonte në fitore të menjëhershme në Ukrainë, ndërsa që nga ajo kohë, ai ka një plan të qartë veprimi, e synimet e tij “shkojnë përtej kufijve të Ukrainës”.
Synimi i parë, sipas saj, është marrja nën kontroll e rajoneve Donetsk e Luhansk në Ukrainë, si dhe korridori tokësor për në Krime, i dyti është kapitullimi i Kievit e i treti “ndërtimi i një rendi të ri botëror”.
“Në një nivel praktik, kapitullimi do të nënkuptonte që Kievi të pranonte kërkesat ruse që mund të përmblidheshin si ‘deukrainizimi’ dhe ‘rusifikimi’ i vendit. Kjo do të nënkuptonte kriminalizimin e mbështetjes së heronjve kombëtarë, riemërtimin e rrugëve, rishkrimin e librave të historisë dhe garantimin për popullatën rusishtfolëse një pozitë dominuese në arsim dhe kulturë. Qëllimi, me pak fjalë, do të ishte privimi i Ukrainës nga e drejta për të ndërtuar kombin e saj. Qeveria do të zëvendësohej, elitat do të spastroheshin dhe bashkëpunimi me Perëndimin do të anulohej”, shkroi ajo.
Sipas Stanovayas, Putini herët a vonë do të përballet me realitetin dhe pikërisht në këtë moment “ai mund të jetë më i rrezikshmi”.
“Kjo mund të duket e vështirë për t’u besuar. Në fund të fundit, Rusia u detyrua të tërhiqej nga Kievi, përjetoi disa kthesa ushtarake, u përball me sanksione në një shkallë të paprecedentë dhe iu nënshtrua një kori të dënimit ndërkombëtar. Të quash sukses një seri të tillë vështirësish dhe dështimesh të drejtpërdrejta, mund të jetë akuza e propagandës, hipokrizisë apo edhe vetë-mashtrimit”, shkroi ajo në një opinion për NYTIMES.
Stanovaya tha se Putini beson që koha është në anën e tij, pasi Kremlini zyrtar “premtoi” realizim të synimeve.
Politologia shtoi se Putini beson që Ukraina brenda dy vjetësh do të rraskapitet nga lufta, e Perëndimi nuk do të jetë i gatshëm t’ia ofrojë përkrahjen e duhur.
“Në një deri në dy vjet, kur Kremlini pret që Ukraina të jetë e rraskapitur nga lufta, e paaftë të funksionojë normalisht dhe thellësisht e demoralizuar, kushtet për kapitullim do të piqen. Në atë fazë, llogaritja e Kremlinit duket se është: elita do të ndahet dhe një opozitë që kërkon t’i japë fund luftës. Ajo do të bashkohet për të rrëzuar administratën Zelensky. Nuk do të kishte nevojë që Rusia të pushtonte ushtarakisht Kievin; do të binte vetë. Putin me sa duket nuk sheh asgjë që mund ta pengojë atë”, thuhet në opinionin e saj.
Rruga Press