Lajme

​Kreu i OSBE-së përmbyll vizitën në Kosovë: Erdha të marr informata të dorës së parë për reformat në drejtësi

Kryesuesi i radhës i OSBE-së, ministri polak i Punëve të Jashtme, Zbigniew Rau, pas takimit me liderët politikë, ka thënë se qëllimi i vizitës së tij në Kosovë ka qenë informimi lidhur me reformat në drejtësi, luftën kundër korrupsionit, lirisë së medieve dhe reformimin e sistemit elektoral.

Në përmbyllje të vizitës së tij në Kosovë, ministri polak ka deklaruar se me përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë ka diskutuar për mënyrat si OSBE-ja mund të ofrojë ndihmë në terren.

“Qëllimi i vizitës sime ka qenë të takohem me liderë institucionalë, partnerë të misionit të OSBE-së në Kosovë dhe të marrë informata të dorës së parë për sa i përket reformave në vijimësi e sipër në fushën e gjyqësorit, luftës kundër korrupsionit, rritjes së lirisë së mediave dhe avancimit të reformës zgjedhore, shumë të nevojshme”.

“Kemi diskutuar për mënyra të ndryshme në të cilat OSBE mund të ofrojë ndihmën e saj përmes operacioneve në terren, pranisë së saj në terren. OSBE kontribuon në zhvillimin e mëtejmë të një shoqërie demokratike dhe shumë-etnike. Shpresoj sinqerisht që kjo do të kontribuojë në stabilitetin dhe pajtimin në Evropën Juglindore”, ka thënë ai gjatë një deklarate për media.

Gjatë ditës, Rau ka takuar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin, kryetarin e Kuvendit Glauk Konjufcën, kryeministrin Albin Kurtin, ministren e Jashtme, Donika Gërvallën, si dhe ka zhvilluar takim me ministrin për Komunitete dhe Kthim, Goran Rakiq.

Lexo më shumë  Dialogu me Serbinë kalon nën udhëheqjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme

Ministri polak ka takuar edhe kryesuesin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe aktivistë të shoqërisë civile.

Ndërkohë të enjten ambasadori i BE-së në Kosovë u shpreh “i lumtur që Kosova ka miratuar ligje të rëndësishme për procesin e integrimit evropian”.

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, është shprehur i lumtur që në dy javët e fundit në Kosovë janë miratuar disa ligje që siç ka thënë, janë të rëndësishme për procesin e integrimit evropian.

Këtu ai ka përmendur Ligjin për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, Ligjin e ri për Deklarimin e Pasurisë dhe Kodin e ri për Procedurën Penale.

Në një postim në Twitter, Szunyog ka thënë se miratimi i këtyre ligjeve paraqet një hap kyç legjislativ në garantimin e sundimit të ligjit dhe luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Më vjen mirë që gjatë 2 javëve të fundit Kuvendi i Kosovës ka miratuar disa ligje që janë të rëndësishme për procesin e integrimit evropian, përfshirë këtu Ligjin për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, Ligjin e ri për Deklarimin e Pasurisë dhe Kodin e ri për Procedurën Penale”.

“Miratimi i këtyre ligjeve paraqet një hap kyç legjislativ në garantimin e sundimit të ligjit dhe luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe ato janë gjithashtu pjesë e Agjendës së Reformës Evropiane II”, ka shkruar ambasadori.

Lexo më shumë  Nga Shqipëria pothuajse çdo vit, rreth 35 studentë shkojnë për studime me bursë për në Rusi, kjo duhet parë me kujdes strategjik

Tutje, ka thënë se BE-ja do të vazhdojë të mbështesë forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë dhe punën e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit.


Kuvendi i Kosovës të enjten ka miratuar në parim Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, me 58 vota për dhe 3 abstenime, ndërsa me këtë rast ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu theksoi se rekomandimet e Komisionit të Venecias do të adresohen të gjitha pranë grupit punues të Komisionit për Legjislacion.

Gjithashtu, në të njëjtën seancë, me shumicë të votave të deputetëve u votua në lexim të dytë edhe Projektligji për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë dhe të Dhuratave.

Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se Projektligji për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë dhe të Dhuratave ka për qëllim përcaktimin më të qartë të procedurave të deklarimit të pasurisë, ri klasifikimi i pozitave që duhet të deklarojnë pasurinë, jo vetëm nga cilësimi i pozitave të larta publike, por edhe nga cilësimi i secilës pozitë ku ka potencial për abuzim, keqpërdorim të parasë publike dhe konflikt të interesit.

Përveç të tjerave mori mbështetjen e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës edhe projekt-kodi i Procedurës Penale.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *