Bota

Makina gjigande propagandistike e Putinit sapo ka arritur në Serbi

Përveç televizionit shtetëror rus “Rashe Today”, në Serbi po mbërrin edhe një tjetër flamurtar i presidentit rus, Vlaimir Putinit, “Yandex”. Bëhet fjalë për versionin rus të “Google”, i cili është burimi kryesor i kërkimeve në internet për shumicën e rusëve dhe vlen miliarda dollarë.

Deri vetëm pak muaj më parë, Yandex u dallua si një histori suksesi biznesi në Rusi, duke u rritur nga një startup i vogël në një gjigant teknologjik që jo vetëm dominonte shërbimet e kërkimit dhe taksisë në të gjithë Rusinë, por gjithashtu krenohej me një shtrirje globale në rritje.

Aplikacioni i taksive i Yandex ka funksionuar në qytete të largëta si Abidjan, Bregu i Fildishtë; Oslo, Norvegji; ose Tashkent, Uzbekistan; dhe kompania shpërndau sende ushqimore në Londër, Paris dhe Tel Aviv.

Pesëdhjetë robotë eksperimentalë Yandex kanë bredhur në kampusin e Universitetit Shtetëror të Ohios në Columbus, duke sjellë porosi ushqimore për studentët – me plane për t’u zgjeruar në 250 universitete të tjera amerikane.

Shpesh e quajtur “kompania më e mirë në Rusi”, Yandex punësonte më shumë se 18 mijë njerëz. Themeluesit e saj ishin miliarderë dhe në kulmin e saj kompania kishte më shumë se 31 miliardë dollarë, raporton bbc.

Ndërsa investitorët perëndimorë u larguan nga Rusia dhe qeveritë perëndimore vendosën sanksione të ashpra ekonomike, vlera e kompanisë ra në më pak se 7 miliardë dollarë pothuajse brenda natës. Në të njëjtën kohë, bursa NASDAQ pezulloi tregtimin e aksioneve.

Ngjarjet e papritura e detyruan kompaninë të mbyllte një sërë operacionesh ndërkombëtare, duke përfshirë shërbimet e shpërndarjes në Londër, Paris dhe Columbus.

Mijëra punonjës – pothuajse një e gjashta e totalit – janë larguar nga vendi. Themeluesi Arkady Volozh dhe zëvendësi i tij kryesor dhanë dorëheqjen pasi Bashkimi Evropian vendosi sanksione ndaj të dyve, duke i akuzuar ata për përhapjen e dezinformatave të Kremlinit.

Lexo më shumë  OBSH: Deri në vitin 2050, rreth 1,2 miliardë njerëz mund të zhvendosen prej klimës

Ajo që nuk mund të realizohet në Perëndim, mund të bëhet në Beograd

Yandex, edhe pse ballafaqohet me shumë probleme, ka kohë që planifikon të vijë në Serbi dhe këtë e vërteton fakti se në fillim të qershorit janë regjistruar zyrtarisht në Agjencinë për Regjistrat e Bizneseve (APR) në Serbi. Edhe pse shërbimet Yandex taksi dhe dërgesa Yandex janë të disponueshme në Beograd dhe qytete të tjera për disa vite, kjo është hera e parë që kompania regjistrohet në Serbi.

Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, Beogradi është bërë një destinacion popullor për emigrantët rusë, shumica e të cilëve janë ekspertë të IT.

Mes tyre janë punonjës të Yandex, të cilët privatisht u zhvendosën në Beograd menjëherë pas sulmit rus në Ukrainë.

Kompania më vonë mori me qira një “zyre të madhe në Beograd”, i tha BBC-së një burim i afërt me Yandex, i cili dëshironte të mbetej anonim. Sipas një burimi tjetër anonim nga Yandex, kompania mori me qira hapësirë zyre për 700 punonjës në Dorcol, në qendër të Beogradit.

“Kur filloi lufta, punonjësve iu tha se ata ishin të lirë të lëviznin në vende të tjera dhe se nuk kishin nevojë për miratimin e punëdhënësit të tyre për këtë”, thotë një ish-punonjës i Yandex, i cili së fundmi u largua nga kompania.

Themeluesi i zyrës përfaqësuese është Piotr Popov, i cili drejtoi Grupin e Biznesit për Kërkim në Internet, Reklamim dhe Shërbime në Cloud në fund të prillit. Ai ka mbajtur më parë pozicionin e Drejtorit Teknik të Yandex.

Përveç Beogradit, që nga fillimi i luftës, kompania ka hapur një përfaqësi në Jerevan, ku janë shpërngulur rreth 100 punëtorë.

Lexo më shumë  Zyrtari i lartë i NATO-s u bën thirrje bizneseve të përgatiten për ‘skenarë lufte’

​Sasi e madhe e dezinformatacionit dhe propagandës po përhapet përmes mediave ruse të vendosura në Serbi

Nën qeverisjen e presidentit Aleksandar Vuçiq, mediet në Serbi gjithnjë e më shumë janë detyruar të ndjekin vijën qeveritare, ndërsa medie të pavarura, që janë të pakta, janë përballur me presion të vazhdueshëm nga autoritetet.

Gjatë periudhës së luftës, tabloidi kryesor i Serbisë, Informer, botoi artikuj të shumtë që lavdëronin Vladimir Putinin duke përfshirë ballinën e botuar dy ditë para pushtimit me titullin “Ukraina ka sulmuar Rusinë”.

“Mjetet e propagandës pro-qeveritare të Serbisë krijuan kultin e personalitetit të Putinit, i cili madje tejkalon atë që ata ndërtuan për Vuçiçin. Ai gëzon një status praktikisht hyjnor”, thotë profesori i gazetarisë në Universitetin e Novi Sadit, Dinko Gruhonjiq.

Kryetari i Këshillit Atlantik të Serbisë, Vladan Zhivuloviq ka thënë se një sasi e madhe e dezinformatave dhe propagandës po shpërndahet përmes mediave ruse të vendosura në Serbi, si Sputnik, Russia Today (RT) dhe portalit të Patriarkanës së Moskës.

Sipas Zhivuloviqit, këto lajme po shërbehen për të krijuar armiqësi ndaj Perëndimit.

“Nga dikush që ishte aleati ynë, befas bëhet një tregim se ata janë fajtorë për të gjitha të këqijat që ka përjetuar Serbia deri më sot”, është shprehur Zivuloviq.

“Këto portale po nxjerrin pjesë të informacionit të pavërtetë dhe se në këtë mënyrë një numër i madh i qytetarëve në Serbi nuk i shikojnë në mënyrë kritike llojin e informacionit. Ne po i vëmë të gjitha këto në rrezik për shkak të qasjes sonë jokritike ndaj informacionit dhe pranimit të dezinformatave të tilla”, thekson ai.

Zhivuloviq ka shtuar se mospublikimi i informacionit është i pranishëm në mediet serbe, gjë që sipas tij është “tokë pjellore për manipulim”.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *