Haga nis shqyrtimin e krimeve ruse të luftës në Ukrainë
Prokurorja e lartë e Ukrainës dhe zyrtarë nga Gjykata Penale Ndërkombëtare dhe Bashkimi Evropian janë takuar të enjten në Hagë për të diskutuar mbi hetimin e krimeve të luftës të kryera gjatë luftës Ukrainë – Rusi.
Prokurorja e Përgjithshme e Ukrainës, Iryna Venediktova, udhëtoi në Konferencën e Përgjegjshmërisë së Ukrainës në qytetin holandez për të koordinuar ndarjen e provave, strategjinë e ndjekjes penale dhe kuadrin ligjor për sjelljen e kriminelëve të luftës para drejtësisë.
“Bota është e bashkuar me Ukrainën për të gjetur mjete efektive për ta sjellë Rusinë para drejtësisë për mizoritë që forcat e saj kryejnë në tokën tonë”, shkroi Venediktova në Twitter nga Haga.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe Ministri i Jashtëm, Dmytro Kuleba, pritet të japin deklaratat përmbyllëse me video më vonë gjatë ditës së sotme.
Venediktova më parë ka thënë se Ukraina ka identifikuar më shumë se 600 të dyshuar rusë për krime lufte dhe ka filluar ndjekjen penale rreth 80 prej tyre. Dy ushtarë rusë tashmë janë dënuar, sipas ligjit penal të Ukrainës.
Rusia vazhdon të mohojë se trupat janë përfshirë në krime lufte në atë që ajo e quan një “operacion special ushtarak” në Ukrainë.
Një nga masakrat më të mëdha dhe ndër parat të zbuluara në Ukrainë është ajo në Bucha, e cila tronditi botën dhe ku u vranë më shumë se 300 civilë. Disa prej trupave u gjetën me duar të lidhura dhe të lënë nëpër rrugë të ndryshme të qytetit, disa nëpër bodrume dhe pjesa më e madhe u gjetën të groposur nëpër varreza masive. Perëndimi dënoi ashpër këtë masakër, duke e cilësuar si “krim të tmerrshëm lufte”.
Rruga Press