Ukraina i shkëput marrëdhëniet me Korenë e Veriut: “Kjo tregon izolimin e Moskës”
Ukraina ka marrë vendim t’i shkëpusë marrëdhëniet me Korenë e Veriut, pasi shteti aziatik të mërkurën ua njohu “pavarësinë” Donetskut dhe Luhanskut, raporton BBC-ja.
Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Oleg Nikolenko, deklaroi se Koreja e Veriut po tenton ta minojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, duke e konsideruar shkelje të rëndë.
“Ne e konsiderojmë këtë vendim si një përpjekje për të minuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, një shkelje të rëndë të Kushtetutës së Ukrainës, Kartës së OKB-së dhe normave e parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare”, shkroi Nikolenko në Facebook.
Ai tha se vendimi për “njohje” është i pavlefshëm dhe se kontaktet politike e ekonomike mes dy vendeve (Ukrainës dhe Koresë së Veriut) nuk do të zhvillohen më “për shkak të sanksioneve ndërkombëtare të vendosura”.
Ndërkohë, ministri i Punëve të Jashtme, Dmytro Kuleba, deklaroi se vendimi i verikoreanëve e tregon izolimin në rritje të Rusisë në arenën ndërkombëtare.
“Apeli i Rusisë drejtuar Koresë për mbështetje në legjitimimin e kapjes me forcë të një pjese të territorit ukrainas flet më shumë për toksicitetin e Moskës”, tha Kuleba.
Koreja e Veriut u bë shteti i tretë anëtar i OKB-së që i njeh këto dy rajone ukrainase si autoritete legjitime, pas Rusisë dhe Sirisë.
Rruga Press