FOTO/ Banda shqiptare që i grabiti 3 milionë euro Verrattit kishte një plan: nga Messi te Nadal, zbulohet lista
Javën e kaluar, policia spanjolle konfirmoi se kishte arrestuar shtatë persona të akuzuar për kryerjen e grabitjes në shtëpinë në Ibiza ku Marco Verratti ishte me pushime. Një shtëpi që i përket Ronaldo Fenomenit e që ndodhet në komunën e Sant Josep, në ishullin Ibiza. Agjentët arritën të rikuperonin pjesën më të madhe të mallit të grabitur me vlerë mbi 3 milionë euro dhe pas kërkimeve të bëra, në ditët që pasuan, arritën të zbulonin shumë më tepër. Si një seri shënimesh të shkruara me dorë që listojnë viktimat e ardhshme të bandës.
Sipas Policia Nacional, banda, e përbërë nga subjekte me origjinë shqiptare, dyshohet se është e lidhur me 15 vjedhje të tjera të ndodhura në disa vila luksoze midis Alicante, Malagas dhe Murcias. Dhe sipas asaj që raportoi gazeta Diario de Ibiza, në kontrollet pas arrestimeve të ndodhura në provincën e Malagas, agjentët gjetën një fletore ku kriminelët kishin shënuar emrat e objektivave të tyre të radhës. Emrat më të famshëm të botës së sportit dhe politikës.
Fletorja e shkruar me dorë u konfiskua në shtëpinë e një spanjolli në Malaga, që dyshohet se punonte me disa nga shqiptarët e akuzuar për vjedhjet. Në listë bien në sy emrat e ish-madrilenëve Guti dhe Fernando Hierro, me shtëpitë e tyre përkatëse në Ibizia në shënjestrën e kriminelëve. Emri i Nadalit lidhej me shtëpinë e tij me vlerë 4 milionë euro në Porto Cristo në Mallorca, ku tenisti jeton me gruan e tij Mery Perello. Edhe emri i Messit ishte renditur në fletore, por nuk përfshinte informacion mbi adresën e shtëpisë. Objektivi i bandës ishte edhe ish-kryeministri spanjoll Jose Maria Aznar. Për fat të mirë, policia spanjolle i parapriu lëvizjeve të kriminelëve.
Rruga Press