Frika nga programet bërthamore të Iranit/ Presidenti Biden viziton Lindjen e Mesme, çfarë pritet të jetë prioritet
Presidenti Joe Biden fillon vizitën e tij të parë në Lindjen e Mesme me një detyrë të rëndësishme, të sigurojë zyrtarët izraelitë dhe sauditë se është i përkushtuar që ta ndalë Iranin të bëhet një fuqi bërthamore.
Presidenti Biden e fillon vizitën të mërkurën me një ndalesë tre-ditore në Izrael, ku zyrtarët thonë se programi bërthamor i Iranit, që po zhvillohet me shpejtësi, është në epiqendër të axhendës së bisedimeve me presidentin amerikan. Presidenti Biden e bëri prioritet kryesor rikthimin e marrëveshjes bërthamore me Iranin, të negociuar gjatë mandatit të ish-Presidentit Barack Obama në vitin 2015, marrëveshje nga e cila ish-Presidenti Donald Trump hoqi dorë në vitin 2018.
Por bisedimet indirekte për mundësinë e rifutjes së Shteteve të Bashkuara në këtë marrëveshje kanë ngecur, ndërsa Irani ka përparuar me shpejtësi me programin e tij bërthamor. Kjo e ka bërë pesimiste administratën e Presidentit Biden lidhur me mundësinë e rikthimit të marrëveshjes, e cila vendoste kufizime domethënëse ndaj programit bërthamor të Iranit në shkëmbim të lehtësimit të sanksioneve.
Menjëherë pas mbërritjes së tij në Izrael të mërkurën, Presidenti Biden pritet të informohet mbi sistemin e ri të mbrojtjes nga raketat “Kubeja e Hekurt” dhe të vizitojë Yad Vashemin, një memorial për viktimat e Holokaustit. Përveç takimeve me zyrtarët izraelitë dhe palestinezë, ai është planifikuar të marrë Medaljen Presidenciale të Nderit të Izraelit dhe të vizitojë atletët amerikanë që marrin pjesë në Lojërat Maccabiah, ku përfshihen mijëra atletë hebrenj dhe izraelitë nga e gjithë bota./voa/
Rruga Press