SHBA-ja zbulon se Irani do i vijë në ndihmë Rusisë, ja me çfarë do e furnizojë
Irani planifikon të furnizojë Rusinë me qindra dronë për luftën e saj në Ukrainë, disa me aftësi luftarake, ka thënë një zyrtar amerikan, shkruan BBC-ja të martën.
Këshilltari në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, tha se informacionet e marra sugjerojnë se Irani po përgatitet t’i trajnojë forcat ruse për përdorimin e dronëve.
Ai shtoi se ishte e paqartë nëse Irani i ka dorëzuar ende ato.
Dronët kanë qenë pjesë përbërëse e luftës së vazhdueshme ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë.
Vetëm javën e kaluar, Ukraina bëri thirrje për donacione të mijëra dronëve për të ndihmuar përpjekjet e saj për çlirim nga Rusia.
Suvillan shtoi se dronët iranianë janë përdorur më parë nga rebelët Houthi të Jemenit për të sulmuar Arabinë Saudite.
Komentet e tij erdhën para vizitës së presidentit amerikan, Joe Biden në Izrael dhe Arabinë Saudite këtë javë. Asnjë prej vendeve nuk u është bashkuar deri më tani sanksioneve kundër Rusisë për luftën e saj në Ukrainë.
Izraeli e sheh Iranin, i cili kërkon eliminimin e tij, si kërcënimin më të madh rajonal.
SHBA-ja dhe aleatët e tjerë kanë furnizuar Ukrainën me armë në vlerë miliarda dollarë që nga pushtimi në shkurt.
Sullivan tha se SHBA-ja do të vazhdojë “të mbështesë mbrojtjen efektive të Ukrainës”.
Rruga Press