Bota

Fotografitë e fotografit gjerman tregojnë Srebrenicën para gjenocidit

Fotografi gjerman Phillip von Recklinghausen shkrepi fotografi unike të jetës së përditshme në Srebrenicë ndërsa ajo ishte nën rrethim në vitin 1993. Por kur u kthye në vitin 1995, shumë njerëz që ai njihte ishin zhdukur dhe ai në fillim nuk e dinte përse.

Në gusht 1995, fotografi gjerman Phillip von Recklinghausen u kthye në Srebrenicë, ku kishte fotografuar njerëzit gjatë rrethimit të enklavës nga forcat serbe të Bosnjës disa vjet më parë.

Ai u përpoq të gjente njerëzit që kishte fotografuar në vitin 1993, por nuk mundi.

“Vizitova spitalin dhe vende që i kisha njohur më parë. Në atë moment kuptova se popullsia në atë qytet kishte ndryshuar plotësisht”, tha von Recklinghausen.

Më pas ai u ndalua në stacionin policor dhe iu tha të largohej nga Srebrenica brenda 12 orëve.


Përurimi i kampit të OKB-së në Srebrenicë, e cila më vonë u caktua si “zonë e mbrojtur”. Foto: Phillip von Recklinghausen.

Ajo që von Recklinghausen nuk e dinte ishte se pasi forcat serbe të Bosnjës pushtuan Srebrenicën një muaj më parë, ata kishin kryer gjenocid kundër boshnjakëve që jetonin atje. Sipas vendimeve të gjykatës, më shumë se 7,000 njerëz, kryesisht burra dhe djem, u vranë dhe më shumë se 40,000 gra, fëmijë dhe të moshuar u dëbuan.

“Mësova për gjenocidin e Srebrenicës pas zbulimit të varreve të para masive”, tha ai.

Një nga arsyet pse ai ishte kthyer në Srebrenicë ishte të gjente disa filma të pa stampuar që kishte lënë pas, të cilat përmbanin foto unike të jetës së përditshme të banorëve të Srebrenicës në vitin 1993. Shumë prej tyre nuk i mbijetuan viteve të luftës dhe gjenocidit.

“Vdekja ishte diçka e përditshme në Srebrenicë”


Një luftëtar i plagosur në rrugë. Foto: Phillip von Recklinghausen.

Von Recklinghausen thotë se për herë të parë dëgjoi për luftën në Bosnje nga refugjatët që mbërritën në Gjermani në fillim të viteve 1990. Teksa punonte për një gazetë gjermane në atë kohë, ai bëri disa artikuj për qendrat e refugjatëve, të cilat nxitën interesin e tij për atë që po ndodhte në ish-Jugosllavi. Ai donte të shkonte atje dhe ta shihte vetë konfliktin.

Ai mori hua disa para nga një teze dhe në fund të vitit 1992 ai udhëtoi për në Zagreb dhe më pas në Split në Kroaci, dhe më pas shkoi me autostop në Bosnje dhe Hercegovinë.

Ai donte të shkonte dhe të shihte vende ku nuk kishte gazetarë të tjerë. Me të mbërritur në qytetin e Tuzlës, ai gjeti strehim në një hotel ku po qëndronin përfaqësues të agjencisë së refugjatëve të OKB-së, UNHCR, si dhe ushtarë të Ushtrisë Boshnjake.


Komandanti i kohës së luftës i forcave të Ushtrisë Boshnjake në zonën e Srebrenicës, Naser Oriç (djathtas). Foto: Phillip von Recklinghausen.

“Takova një person nga UNHCR, i cili më tregoi disa zona në hartën e Bosnjës ku nuk dinin se çfarë po ndodhte. “A njeh dikë që mund të shkojë atje dhe të shohë se çfarë po ndodh?” më pyeti. Thashë se mund të shkoja unë. Ideja ishte të shkoja atje dhe të kthehesha pas disa ditësh”, tha von Recklinghausen.

Ai vuri re Srebrenicën në hartë dhe zbuloi se kushdo që shkonte atje duhej të kalonte nëpër pyje për tre ose katër ditë për shkak të rrethimit.

Në fillim të vitit 1993, në pritje të largimit nga Tuzla, u miqësua me disa ushtarë të Ushtrisë Boshnjake dhe ata ranë dakord ta çonin në Srebrenicë.

Lexo më shumë  Bllokohet nisma hungareze për avancimin e integrimit të Serbisë në BE

Ata u transferuan nga Tuzla në Nezuk dhe prej andej u drejtuan nëpër pyll.


Naser Oriç (i dyti nga e majta) me trupat e Ushtrisë Boshnjake në terren. Foto: Phillip von Recklinghausen.

Von Recklinghausen eci për tre ditë së bashku me 40 ushtarë për të arritur në enklavën që ishte e rrethuar nga forcat serbe të Bosnjës. Ata kryesisht ecnin natën dhe flinin ditën.

Pasi mbërriti, von Recklinghausen kaloi shumë kohë me mjekun Nerdet Mujkanoviç, kryekirurg në spitalin e luftës në Srebrenicë, i cili që atëherë ka vdekur. Ai fotografoi të plagosur dhe të vdekur që silleshin në spital dhe të cilët operoheshin pa anestezi.

“Vdekja ishte diçka e përditshme në Srebrenicë”, tha ai. Fotografimi i fëmijëve të plagosur ishte detyra më e vështirë, kujton ai. Ai kujtoi një fëmijë të quajtur Mirnes, një djalë që u plagos dhe vdiq në krahët e prindërve të tij ndërsa priste të evakuohej.

Ai kujtoi edhe katër vajza që ishin plagosur nga një granatë. “Njëra prej tyre, të cilës i ishte dëmtuar nofulla nga granata, përfundimisht vdiq. Vajzat e tjera thanë se ishte mirë që ajo vdiq pasi nuk do të vuante më”, tha ai.


Spitali i luftës në Srebrenicë. Foto: Phillip von Recklinghausen

“Në një rast tjetër bëra një foto të një personi të vdekur që e kishin sjellë nga vija e frontit. Njerëzit u mblodhën atje dhe djemtë e burrit u përkulën pranë trupit të pajetë që ishte përtokë. Një burrë u afrua dhe ngriti batanijen që e mbulonte. Sytë i kishte hapur, por i mungonte balli. Mund t’i shihje trurin.”

“Për pak desh e humbe krahun”

Kur arriti në Srebrenicë, ai takoi gjithashtu Naser Oriçin, komandantin e forcave të Ushtrisë Boshnjake në zonë. Vite më vonë, pas përfundimit të konfliktit, Oriç u gjykua për krime lufte, por u lirua nga akuzat nga Gjykata e Hagës dhe gjykata shtetërore e Bosnjës.

Në vitin 1993, von Recklinghausen bëri disa herë foto të Oriçit dhe shokëve të tij në vijën e frontit, që ai tha se ndodhej pranë minierës lokale Sase. Pikërisht këtu u plagos fotografi.

“Ne dolëm nga pylli  në një vend të hapur pranë minierës dhe një ushtar shkeli një minë. Ai u plagos rëndë, ndërsa një cifël më hyri në dorën me të cilën po fotografoja”, kujton ai.


Naser Oriç (majtas) dhe ushtarët e tij pas një shpërthimi mine. Foto: Phillip von Recklinghausen.

“Shkova në spital dhe doktori Nedret Mujkanoviç tha: ‘Uh, për pak deshe e humbe krahun.” Spitali nuk kishte shumë pajisje mjekësore apo barna, kështu që plaga e tij u trajtua sa më mirë që ata mund të bënin në atë kohë.

Gjatë vitit 1993, nuk kishte ushqim për një numër të madh banorësh dhe refugjatësh të Srebrenicës që kishin mbërritur atje nga pjesë të tjera të zonës. Ai kujton njerëzit që qëronin lëvore pemësh dhe e përdornin për të bërë supë.

Gjatë qëndrimit të tij në Srebrenicë, një kolonë u lejua të largohej duke larguar që aty kryesisht të plagosurit. Burrat veshën rroba grash në përpjekje për t’u larguar nga qyteti, ndërsa disa njerëz u varën pas kamionëve ose u përpoqën të fshiheshin poshtë tyre, dhe disa prej tyre u vranë si rezultat, tha ai. Më pas u vendos që askush nuk lejohej të largohej më nga qyteti.

Në mars 1993, ai ishte dëshmitar i ardhjes së gjeneralit francez të OKB-së, Philippe Morillon. “Njerëzit nga Srebrenica i kërkuan Morillonit të qëndronte, sepse ishte një shenjë se serbët nuk do të sulmonin qytetin”, tha ai.

Lexo më shumë  “I famshëm” për qëndrimet kundër NATO-s/ Zgjedhjet presidenciale në Rumani, kandidati pro rus është favorit


Gjenerali francez i OKB-së Philippe Morillon (qendër në negociatat me Naser Oriçin në Konjevic Polje. Foto: Phillip von Recklinghausen.

Morillon bëri premtime të ndryshme për ndihmë nga OKB-ja për banorët e rrethuar të Srebrenicës, disa prej të cilave nuk u përmbushën. Vendasit shprehën zemërimin e tyre duke protestuar para zyrës postare të qytetit, tha Recklinghausen.

“Gjaku spërkati xhamin e përparmë të makinës”


Gratë përpiqen të ndalojnë largimin e gjeneralit francez të OKB-së Philippe Morillon nga Srebrenica. Foto: Phillip von Recklinghausen.

Von Recklinghausen u plagos për herë të dytë kur udhëtonte drejt Konjevic Polje me kamion me gazetarin amerikan të ABC, Tony Birtley.

“Ne ishim ulur në kamion, duke pirë cigare Marlboro të cilat na i kishte shitur shoferi. Njëqind marka gjermane për një paketë. Aq kushtonin në atë kohë”, shpjegoi ai.

“Ai tha se kishim pesë minuta kohë që të tymosnim një cigare dhe se ai nuk do të ndalonte më pas, se do ta ngiste shpejt makinën. Një predhë ra aty pranë. Një copë shrapnel depërtoi në çatinë e kamionit dhe më preu një pjesë të gishtit të madh, duke çarë arterien. Gjaku spërkati xhamin e përparmë të makinës. Ne dolëm me vrap nga kamioni dhe u fshehëm pas një shtëpie.”


Foto: Phillip von Recklinghausen.

Birtley u plagos gjithashtu dhe ata u kthyen në këmbë në Srebrenicë, ku mjeku Mujkanoviç i operoi para se të evakuoheshin me një helikopter të OKB-së.

“Më thanë se helikopteri do të vinte shumë shpjet, kështu që i lashë bagazhet në postë. Ushtarët e OKB-së mbaruan turnin e tyre, kështu që njëri prej tyre mori çantën time të shpinës duke menduar se i përkiste një kolegut të tij. Ushtria serbe e kontrolloi atë në një pikë kontrolli dhe më mori filmat”, tha von Recklinghausen. Ai humbi 18 filma të pa stampuar.

Në vitin 1998, ai mori një telefonatë nga një avokat serb i cili kërkoi ta takonte. “Ne u takuam në një hotel në Berlin. Ai kishte një laptop dhe në të ishin fotot që bëra gjatë qëndrimit tim në Srebrenicë, të cilat nuk i kisha parë kurrë. Në atë moment kuptova që fotot ekzistonin ende. E pyeta se ku ishin dhe ai më dha adresën e një gazetari dhe më tha të pyesja atë”, tha von Recklinghausen.


Foto: Phillip von Recklinghausen.

Gazetari ishte një serb i Bosnjës i quajtur Zoran Jovanoviç. “Bleva 20 ose 30 foto të printuara për 500 euro nga Jovanoviçi dhe thashë se do të paguaja shumë më tepër nëse mund të merrja bombinat origjinale. Ai më tha se nuk kishte akses tek filmat”, kujton ai.

Shumë nga fotot përfunduan në një libër nga Jovanoviçi dhe Alexander Dorin të titulluar “Srebrenica, çfarë ndodhi me të vërtetë”. Libri pretendon se masakrat e Srebrenicës ishin më pak të rënda se sa është vërtetuar nga gjykatat dhe se ato nuk përbënin gjenocid.

Von Recklinghausen tha se ishte turp që fotografitë e tij të vjedhura mungojnë sepse skenat që ato tregojnë enklavën e rrethuar “mund të kenë një rëndësi të madhe për historinë e Srebrenicës”.

Ai është kthyer në Srebrenicë disa herë që nga përfundimi i konfliktit. Por koha që kaloi atje në vitin 1993 mbeti me të. “Nuk i harroj dot ende pamjet që më janë ngulitur në kokë”, tha ai.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *