Arkitektura e së ardhmes po sheh nga e kaluara
Ndërtesat prej balte janë jashtëzakonisht efikase për t’i rezistuar motit ekstrem, të freskëta në verë dhe të ngrohta në dimër, ndaj arkitektët po i rikthehen këtyre metodave të vjetra të ndërtimit të shtëpive dhe godinave.
Në qytetin e lashtë të Jemenit, Sana’a, ndërtesat prej balte janë karakteristikë e këtij vendi. Këto struktura janë ndërtuar nga balta e tharë dhe e zbukuruar me modele të ndryshme gjeometrike. Arkitektura prej balte është aq unike saqë qyteti është njohur si një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Edhe pse këto ndërtesa janë mijëra vjet të vjetra, sipas arkitektëve, ato mbeten bashkëkohore. Janë të izoluara mirë, të qëndrueshme dhe jashtëzakonisht të adaptueshme, aq sa po shihet si arkitektura e së ardhmes.
Avantazhet e ndërtesave prej balte
Industria e ndërtimit shkakton 38% të emetimeve globale të dioksidit të karbonit. Balta mund të jetë alternativa e përsosur dhe e qëndrueshme për të zëvendësuar betonin. Ndërtimi me baltë ka një ndikim shumë të ulët në mjedis dhe vetë materiali është plotësisht i riciklueshëm.
Qyteti i Djenné në Mali, buzë lumit Niger, themeluar në vitin 800 pas Krishtit, u bë një vendtakimi i rëndësishëm për tregtarët. Megjithatë, u bë i njohur për arkitekturën e tij madhështore prej balte dhe veçanërisht për Xhaminë kryesore të qytetit, e cila është ndërtesa më e madhe prej balte në botë. Çdo vit banorët e Djenné mblidhen së bashku për të riparuar dhe rinovuar xhaminë.
Arkitektura e baltës së Djenné -së po ndryshon vazhdimisht pasi banorët rikrijojnë, riparojnë dhe rindërtojnë shtëpitë e tyre, por duke ruajtur gjithnjë autenticitetin e saj. Ndërtesat prej balte i përgjigjen edhe ndryshimit të demografisë së një shoqërie. Nëse familja rritet, një shtëpie të tillë mund t’i shtohet lehtësisht një pjesë e re ose në të kundërt, ndërtesat lihen të dekompozohen dhe kthehen në tokë.
Një nga cilësitë më të mira të ndërtesave prej qerpiçi është se ato janë të ngrohta në dimër dhe të freskëta në verë. Muret e baltës kanë veti termike që do të thotë se thithin ngadalë nxehtësinë dhe e ruajnë atë, duke parandaluar që shtëpia të nxehet shumë, kjo redukton nevojën për ajër të kondicionuar. Veç kësaj, ka dhe përfitime të tjera. Balta është poroze dhe kjo ndihmon në përthithjen e lagështisë në shtëpi, duke përmirësuar cilësinë e ajrit të brendshëm.
“Toka dhe balta kanë aftësinë të thithin lagështinë e tepërt nga ajri dhe ta lëshojnë atë, nëse është e nevojshme, prandaj themi se këto shtëpi marrin frymë.”
Dragana Kojiçiç, arkitekte
Kjo lloj arkitekture mund t’i rezistojë edhe ngjarjeve ekstreme të motit si erërave të forta, përmbytjeve e madje edhe tërmeteve. Ndaj për të gjitha këto avantazhe që ofrojnë ndërtesat prej balte, arkitektët po marrin në konsideratë mundësinë e realizimit të sa më shumë projekteve të tilla.
Rruga Press