Aksion për lirimin e plazheve, procedohen penalisht 5 administratorë
Edhe pse tashmë jemi në pikun e sezonit turistik, autoritetet shqiptare kanë nisur punën për lirimin e plazheve.
Policia e Durrësit ka ushtruar kontrolle të shtuara në vijën bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike për pushuesit.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Bregdeti i lirë”.
Lirohen hapësira në vijën bregdetare, në zonën e Porto Romanos.
Procedohen penalisht 5 administratorë subjektesh që kishin zënë hapësirën publike me shezlongë dhe çadra, të vendosura pa lejen përkatëse. Sekuestrohen 400 komplete me çadra dhe shezlongë.
Në kuadër të plan-operacionit “Bregdeti i lirë”, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake Durrës, kanë vijuar kontrollet në vijën bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike që zihen pa lejen përkatëse, nga subjekte të ndryshme që vendosin komplete me çadra dhe shezlongë.
Si rezultat u bë lirimi i hapësirës publike në bregdetin e Porto Romanos, duke hequr 400 komplete me çadra dhe shezlongë që ishin vendosur pa lejen përkatëse.
Në përfundim të veprimeve procedurale u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasit: B. C., 36 vjeç, banues në Tiranë; F. Rr., 27 vjeç, L. B., 24 vjeç, E. S., 46 vjeç dhe H. L., 35 vjeç, të katërt banues në Durrës.
Materialet në ngarkim të këtyre shtetasve u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprime të mëtejshme.
Rruga Press