Opinion/Aktualitet

Kisha Ortodokse Serbe si mburojë e justifikim për krimet kundër njerëzimit të shtetit serb

Nga Ruben Avxhiu

Në Batajnicë, në rrethinat e Beogradit, gati 20 vjet më parë u gjendën tri varre masive, me trupat e gati 800 shqiptarëve të Kosovës.

Serbia i kishte vjedhur trupat e viktimave të saj dhe i kishte transportuar deri në kryeqytetin e saj për t’ia fshehur krimin historisë dhe drejtësisë ndërkombëtare.

Jo vetëm që shoqëria serbe nuk reagoi sa duhet e si duhet pas zbulimit të këtyre varreve me viktima e saj, por nacionalistët serbë vazhdojnë të kujisin e të hiqen si viktima të ngjarjeve të viteve 1990.

Sot, në vendin ku u zbuluan civilët e vrarë të hedhur si plehra, po ndërtohet një kishë ortodokse. Në vend të një memoriali që dënon krimet e të kaluarës, si ndodh në të gjitha vendet e civilizuara që mësojnë nga historia, tregojnë përgjegjësi dhe premtojnë se nuk do të ketë kthim te e kaluara, Serbia ka vendosur të ndërtojë një kishë.

Në fakt, nuk do të ishte hera e parë që Kisha Ortodokse Serbe përdoret si mburojë e justifikim për krimet kundër njerëzimit të shtetit serb. Nëse ka ndonjë përdhosje më të turpshme të figurës së Krishtit dhe krishtërimit është kjo praktikë serbe.

Që nga incidentet e turpshme të bekimit të armëve të paraushtarakëve e kriminelëve serbë nga priftërinj ortodoksë, por sidomos nga miti nacionalist mesjetar që justifikon e glorifikon krimet e luftës, e ushqen me ideologji të marrosur nacionaliste fetare breza të njëpasnjëshëm serbësh, kjo ideologji që pjell kisha serbe është e ngajshme vetëm me vizionet mesjetare të çakërdisura të ISIS, Shtetit të dështuar Islamik të Sirisë dhe Irakut. Ajo nuk ka treguar kurrë pendesë e përgjegjësi pas një dekade krimesh të turpshme kundër njerëzimit. (Në fakt e zgjodha me qëllim këtë fotografi të kreut të Kishës serbe me kryekriminelin sirian, Bashar Al-Asad, i cili duke pretenduar se luftonte ISIS-in shkatërroi qytete e fshatra e bëri genocid total ndaj popullit sirian.

Lexo më shumë  Hoti: Serbia nuk po përgjigjet për lokacionet që synojmë t’i gërmojmë në territorin e tyre

Në fakt, nuk gjej dot në botën moderne asnjë organizatë që t’i përngjajë më shumë ISIS-it në vizionin e saj për botën sesa Kishës serbe. Sigurisht kreu i Kishës Serbe ndodhej aty për të bërë krahasime mes UÇK-së dhe ISIS-t në një kohë që Serbia ishte një nga furnizueset më të mëdha të armëve të ISIS-it si është dokumentuar disa herë gjatë viteve të luftës, madje edhe nga forcat siriane që kanë kapur me shumicë armatime “Made in Serbia”. Sigurisht, UÇK-ja ishte sekulare, multifetare me vështrimin nga e ardhmja. Kisha serbe si atëhere ashtu edhe sot ka një botëkuptim mesjetar, të fundbotshëm, që shenjtëron kriminelët e përdhos e përqesh mësimet e Jezu Krishtit.)

Me kartën e opozitës së shkurtër ndaj regjimit të Millosheviqit, kur e pa që fundi i tij ishte i pashmangshëm dhe se u bë tepër i fuqishëm për ta ndikuar si kujtoi fillimisht, e kënaqur nga kleriko-nacionalizmi i tërbuar në radhët të ashtuquajturve “demokratëve” serbë, si dhe me justifikimin e strehimit të disa shqiptarëve të mjerë të mbetur të dëbuar e mbetur pa shtëpi prej forcave serbe në 1999, (ndonëse pa dënuar kurrë publikisht dëbimin masiv dhe krimet kundër njerëzimit), Kisha serbe ia ka dalë të hiqet si e pafajshme e papërlyqer nga gjithshka që ndodhi.

Lexo më shumë  Të pasurit që po ikin nga “qeveria shtypëse” në Serbi po shkojnë drejt Malit të Zi

Në vend që të shihet si zanafilla e të gjitha krimeve, ajo shihet gati si viktimë e tyre, duke u hequr, me shumë sukses, si kalimtare e rastit në konfliktet e gjakderdhjet e tmerrshme të dedadës së fundit të shekullit 20.

Me këtë sukses, kërkon jo me përulësi e mirënjohjes zbatimin e vendimeve gjyqësore për manastirin e Deçanit, por me arrogancën e ideologut të krimit që ka dalë pa u lagur e madje përfiton nga koha e ndryshimeve. Me këtë sukses, kërkon të ligjërojë sarkofagun e ndërtuar në zemër të Universitetit të Prishtinës nga diktatori që gjoja e luftonte Sllobodan Millosheviqi, kryekriminelin e luftës, të cilin si do ta tregojë historia, Kisha Serbe do ta shpallë Shenjtor, kur të jetë politikisht e leverdisshme e do ta nderojë me të njëjtin pasion që bën sikur e dënon sot. Ashtu si dikur e harroi dhe mohoi Carin Lazar për të përfituar nga Perandoria e Otomane e pastaj kur filluan të ndryshojnë konjukturat e ripërqafoi si shenjt.

Sot, kur Kosova dhe Serbia janë nën presion për të krijuar një marrëdhënie normale (një lloj fantazie nëse njëra nuk e njeh tjetrën si shtet të pavarur e të barabartë), një nga pengesat më të mëdha mbetet Kisha Ortodokse Serbe, e cila ka një interes të fortë politik dhe ekonomik, që konflikti të vazhdojë dhe që urrejtja të trashëgohet në breza të ardhshëm.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *