KryesoreLajme

Shoqata e Eksportuesve Shqiptarë të Fruta Perimeve letër fermerëve: Jemi partnerët tuaj të vërtetë

Shoqata e Eksportuesve Shqiptarë të Fruta Perimeve doli ditën e djeshme, datë 4 korrik, me një komunikatë në Facebook, pas një protestë të mbajtur nga disa fermerë në një fshat të Lushnjës.

Shoqata e Eksportuesve shprehet e indinjuar nga deklaratat e padrejta të njerëzve me pushtet politik, që si për synim kanë përçarjen e fermerëve nga grumbullues-eksportuesit.

Realiteti është që në Shqipëri i vetmi mekanizëm që funksionon në bujqësi, është bashkpunimi simbiotik mes fermerit dhe grumbullues-eksportuesit. Nuk ekziston asnjë agjension shtetëror apo mekanizem organizues dhe zhvillues i sektorit të bujqësisë i nxitur nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Si pasojë, nuk ka asnjë planifikim, qoftë edhe 1-vjeçar të çfarë do prodhohet dhe në çfarë sasie.

I vetmi regullator në gjithë këtë mjegull informacioni e organizimi, është grumbullues-eksportuesi, i cili e nxit fermerin të prodhojë atë produkt që kërkohet nga tregu për shitje, e përveç kësaj, e nxit atë që edhe që të prodhojë me cilësi evropiane, duke qenë se shumë nga prodhimi është i destinuar për Evropë.

Pra, edhe pse bujqësia shqiptare funksionon deri më sot veç fal bashkpunimit fermer – grumbullues-eksportues, ka njerëz nga qarqet e pushtetit që ekzistojnë politikisht nga tentativat për shpërbërjen e kësaj hallke të domosdoshme bashkpunimi e përdorimi i fermerëve si kapital politik. Më poshtë keni komunikatën e plotë të Shoqatës së Eksportuesve Shqiptarë të Fruta Perimeve:

Të nderuar fermerë, Të nderuar përfaqësues të opinionit publik, instuticioneve publike dhe mediave;

Të shqetësuar nga komentet e deklarimet e padrejta, të cekëta, keqinformuese e madje dhe të papërgjegjshme të bera kohët e fundit në adresë të eksportuesve e sipërmarrësve shqiptarë, për fat të keq edhe nga përfaqësues të Kuvendit të Shqipërisë, e ndjejmë të nevojshme të sqarojme së pari fermerët që janë bashkëpunëtorët tanë më të ngushtë por edhe opinionin publik në përgjithësi se ato deklarata janë krejtësisht të paqena e të pavërteta. Nisur nga frekuenca e tyre mendojmë që janë edhe tendencioze e manipulative pavarësisht se nuk e imagjojmë se cilat mund të jenë arsyet për këtë.

E vërteta është, dhe për këtë fermerët janë dëshmitarë të drejtëpërdrejtë, që sipërmarrësit që e ushtrojnë veprimtarinë në fushën e grumbullimit dhe eksportit të fruta perimeve janë partnerët e vërtetë që në mënyrë të dukshme e të rëndësishme kanë përmirësuar jetën e fermerëve dhe familjeve të tyre. Janë pikërisht këto sipërmarrës që ofrojnë përkrahje e siguri për fermerët shqiptarë. Falë mbështetjes tonë nëpërmjet sigurisë së ofruar por dhe transferimit të njohurive fermerët po zgjerojnë fermat e tyre dhe përmirësojnë cilësinë e produkteve në përputhje me standardet europiane.

Deklaratat në mënyrë shumë amatore, ndoshta për shkak të njohurive apo formimit të cekët e të pamjaftueshëm, i referohen diferencës mes çmimit të blerjes së produkteve në fermë dhe çmimit të shitjes së tyre në konsumatorin final në një vend të Bashkimit Evropian. Këta tellallë të dobët bëjnë mirë të informohen se çfarë ndodh dhe çfarë kostosh të tjera përfshihen në këtë zinxhir të gjatë e herë –herë dhe me gunga nga ferma, në zonat dikur të paarrritme që më parë i prisheshin produktet, në Suedi apo vende të tjera të BE. Sqarojmë këta “të merakosur” dhe që “nuk i zë gjumi për hallet e fermerëve” le të heqin dorë nja dy ditë nga shëtitja tek liqeni apo blerja tek supermarketet e Tiranës e produkteve të importuara nga Italia e Greqia e të informohen, e pse jo edhe të marrin disa njohuri bazike nga ekonomia. Të informohen që të arrijnë nivelin e kuptimit të fermerit, i cili zgjohet me natë për të mbajtur e përkujdesur për fermën e vet dhe hutohet e vendoset në dyshim nga fjalët e përcjella me të bërtitura nga një njeriu i vogël e në dukje dashamirës.

Për të gjithë të interesuarit për informacion të vërtetë e cilësor, për ilustrim po ju tregojmë se shpenzimet e transportit për të eksportuar shalqi në Suedi e Zvicër janë 24 lekë për kilogram, shpenzimet e ambalazhit janë në vlerat 9 lekë për kilogram e këtu nuk po përmendim shpenzimet e grumbullimit, fuqisë punëtore, shpenzimet për energjinë dhe dëmtimet që pësojnë ose ndaj të cilave janë të ekspozuar grumbulluesit dhe eksportuesit kur flasim që janë produkte delikate dhe që në disa raste janë të papranueshme nga tregu evropian për shkak të standardit të pamjaftueshëm të cilësisë. Të gjitha këto elementë prodhojnë kosto ekstra të cilat përballohen nga grumbulluesit dhe eksportuesit.

Në vend të deklarimeve bërtitëse e pa përmbajtje fermerët por edhe eksportuesit e çdo sipërmarrës në këtë vend kanë nevojë për mbështetje me qëllim që të përballojë rritjen e ndjeshme të kostove të të bërit biznes por edhe vështirësitë e tjera. Ne jemi sipërmarrës që jemi të angazhuar të punojmë e paguajmë taksa në këtë vend duke e influencuar mjaftueshëm buxhetin e shtetit por edhe duke ndikuar në cilësinë e jetës së punonjëve tanë por edhe të bashkëpunëtorëve tanë fermerë ndaj meritojmë vëmendje e mbështetje maksimale nga shteti dhe institucionet publike.

Ju falenderojmë paraprakisht e njëhershëm ju urojmë të keni shëndet e punë.

Lushnje 04.07.2022

Rruga Press

Lexo më shumë  Sveçla: Filloi punën grupi punues që do të hartojë Strategjinë Nacionale kundër krimit të organizuar
YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *