Tenderi për pajisjet e luksit, QSUT hesht pse duhen krevatë dopio dhe karrige lëkure në spitalin e sëmundjeve të Brendshme
News24 zbuloi sot dokumentet teknikë të tenderit për mobilimin e zyrave të qendrës spitalore universitare Nënë Tereza në Tiranë.
Tenderi është zhvilluar nga agjencia shtetërore e prokurimeve të përqendruara, për llogari të QSUT dhe vlera totale ka qenë 147,8 milion lekë, rreth 1,2 milionë euro, dhe është fituara nga “RO-AL” SHPK me një ofertë sa gjysma e fondit limit.
Pas lajmit të publikuar nga News 24, QSUT-ja reagoi duke thënë se “nuk ka asnjë procedurë prokurimi për pajisjen e zyrave të administratës së QSUT”.
Por që në krye të tenderit thuhet se loti i pestë i kontratës ka të bëjë me “Blerje orendi dhe paisje per mobilim zyrash për Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza”.
Vetëm në njoftimin e QSUT-së thuhet se të gjitha mallrat që do të blihen përmes këtij tenderi do të përdoren për Spitalin e Ri të Sëmundjeve të Brendshme. Sipas njoftimit të QSUT-së, ambientet e spitalit të ri konsiderohen zyra.
Por edhe nëse kjo është e vërtetë, sërish QSUT-ja nuk ka dhënë shpjegime se përse ka porositur mallra luksi për spitalin dhe sa të dobishme janë ato duke pasur parasysh koston e lartë që kanë.
QSUT-ja nuk dha informacion se përse ka porositur krevat dopio me përmasave 200×180 cm, thënë ndryshe 2 metra gjatësi dhe 1,8 metra gjerësi për Spitalin e Ri të Sëmundjeve të Brendshme dhe jo krevatë tekë.
Më tej akoma ky institucion nuk dha informacion se përse është e rëndësishme që krevati dopio të ketë rezistencë të lartë kundër gërvishtjeve dhe njollave, kur dihet shumë mirë se cila është gjendja e mobiljeve në disa prej spitaleve edhe në Tiranë sot.
QSUT-ja bëri të ditur gjithashtu se të gjitha pajisjet janë bërë me kërkesë të shërbimeve universitare të Spitalit të Sëmundjeve të Brendshme, por nuk dha asnjë informacion se sa ndikon përdorimi i karrigeve me tapiceri lëkure origjinale natyrale në ofrimin e një shërbimi sa më të mirë në spital.
Në të njëjtën kohë QSUT-ja nuk i ofroi mediave ndonjë informacion të vlefshëm se përse është e rëndësishme që karriget duhet të kenë krahë anësore me tub inoksi dhe bazamenti duhet të jetë metalik me 5 degëzime në formë ylli.
E vetmja gjë që QSUT-ja tha me bindje ishte fakti që “balta” e hedhur ndaj stafit të saj, pra blerja e krevatëve dopio dhe karrigeve me tapiceri lëkure, nuk do ta demotivojë punën e tij. /BW
Rruga Press