Shoh, dhe habitem
Nga Hysamedin Feraj
Shoh, dhe habitem.
Shoh dhe qartësohem:
Për shkakun pse me shekuj konstatojmë “jemi më të prapambeturit në Europë e në rajon”;
Për shkak të kthimit së prapthi, së mbrapshti, të së kudoshmes europiane dhe normale: vendosjen e kokës në vende të panatyrshëm, në rastin më të mirë, në vendin e këmbëve, ose, siç thuhet, kthimin kokë poshtë të gjithçkaje të kudoshme:
■ Në pamje fenomenale: kudo, mbrohet origjinali kundër falsifikatit. Në Kosovë ka ende njerëz që mbrojnë (me pështyma e deri gëlbaza) falisifikatin.
■ Në pamje morale: kudo, origjinali ndjehet i fyer dhe cënuar nga falsi, në Kosovë ka origjinal që mbron falsin më shumë se veten. Kurdo falsi përmban ndonjë cen në krahasim me origjinalin, në Kosovë ka origjinalë që e konsiderojnë falsin me cen krenari e dinjitet të tyre.
■ Ne pamje teknike: kudo, origjinali e kërkon ndihmën dhe mbështet strukturën që lufton falsifikimin, në Kosovë ka origjinal që luftën kundër falsifikimit e merr si luftë kundër tij. Prandaj, kudo, ka struktura të specializuara për luftën kundër falsifikimit, në Kosovë ka struktura të specializuara për mbrojtjen e falsifikimit.
■ Ne pamje ekonomike (tregu): kudo, origjinali paguhet më shumë se falsi, në Kosovë ka origjinalë që mbrojnë barazimin e pagimit të falsit me të origjinalit.
■ Në pamje arti: kudo, origjinali ruan singularitetin e vet kundër riprodhimit nga tjetri, në Kosovë ka origjinalë që e riprodhojnë vetë veten në variant fals.
Në fund: asnjë normal nuk mund ta fitojë garën e atletikës duke vrapuar kokëposhtë.
©Rruga Press