Bota

Çekia merr sot kryesimin e radhës së Këshillit të BE-së për 6 muajt e ardhshëm

Çekia, nga 1 korriku, mori kryesimin e radhës të Këshillit të Bashkimit Evropian, që zgjat deri në fund të këtij viti. Në gjashtë muajt paraprakë, në këtë pozitë ishte Franca.

Sipas diplomatëve në Bruksel, Çekia do të mbajë si prioritet një varg çështjesh që kanë përshkuar edhe kryesimin francez, e që kanë të bëjnë me luftën në Ukrainë dhe sigurinë e furnizimit me energji.

Një diplomat i lartë evropian tha se Çekia do ta ketë prioritet të rëndësishëm edhe Ballkanin Perëndimor.

Ky burim tha se në kohën e agresionit të Rusisë në Ukrainë, procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian është më i rëndësishëm se kurrë dhe se kjo vlen edhe për raportet e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Sipas tij, Çekia shpreson që gjatë presidencës së saj të ketë edhe përparim konkret rreth Ballkanit Perëndimor – të nisin negociatat e anëtarësimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, si dhe të përmbyllet procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën.

Sipas burimeve diplomatike, nivelet më të larta po punojnë që konferenca e parë ndërqeveritare, me të cilën do të hapeshin simbolikisht negociatat e anëtarësimit për Shkupin dhe Tiranën, të ndodhë para pushimeve të verës – pra, në muajin e parë të kryesimit çek.

Sa i përket liberalizimit të vizave me Kosovën, Çekia, sipas burimeve diplomatike, është e gatshme që këtë vendim ta vendosë në rend të ditës, sapo të vërtetohet se ka gatishmëri nga vendet anëtare për heqjen e vizave.

Lexo më shumë  Patronazhistët rusë në Moldavi

Komisioni Evropian ka konfirmuar se mbetet në qëndrimin se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe se procesi i stërzgjatur i liberalizimit të vizave duhet të përmbyllet sa më shpejt. Por, disa vende anëtare, si Franca, vazhdojnë të shprehin rezerva për lëvizjen e lirë të kosovarëve.

Diplomatët në Bruksel thonë se Çekia, në cilësinë e kryesueses së BE-së, do të konsultohet me vendet anëtare dhe se ajo ka shprehur gatishmëri që ta çojë përpara këtë proces.

Gjatë kryesimit çek pritet të përmbyllet edhe procedura e hyrjes së Kroacisë në zonën e lëvizjes së lirë, Schengen.

Ky shtet, i cili është bërë anëtar i BE-së para saktësisht nëntë vjetësh – më 1 korrik, 2013 – pritet të hyjë në zonën Schengen më 1 janar të vitit 2023, prej kur edhe nuk do të ketë më vendkalime kufitare nga Kroacia për në vendet e tjera të BE-së.

Franca e ka dorëzuar propozimin formal për hyrjen e Kroacisë në zonën Schengen vetëm një ditë para përfundimit të kryesimit të saj dhe tash Çekisë i mbetet të përmbyllë vetëm pjesën formale, pasi Komisioni Evropian ka konfirmuar se Kroacia i ka përmbushur të gjitha kushtet.

Lexo më shumë  “I famshëm” për qëndrimet kundër NATO-s/ Zgjedhjet presidenciale në Rumani, kandidati pro rus është favorit

Zakonisht, shtetet që marrin kryesimin e BE-së i përgatisin prioritetet e tyre disa vite më herët, por ndryshimet e rrethanave bëjnë që edhe prioritetet të ndryshojnë.

Kështu, Çekisë i imponohen si prioritete menaxhimi i krizës së refugjatëve nga Ukraina; vazhdimi i ndihmës për Ukrainën, për t’u përballur në secilin aspekt me agresionin e Rusisë; siguria e furnizimit me energji, që nënkupton zvogëlimin e varësisë nga Rusia; forcimi i qëndrueshmërisë së ekonomisë në BE dhe forcimi i institucioneve demokratike.

Kjo është hera e dytë që Çekia merr kryesimin e BE-së qëkur është bërë anëtare e bllokut në vitin 2004.

Herën e parë, ky shtet ka kryesuar në vitin 2009. Gjatë kryesimit të atëhershëm, Qeveria çeke është rrëzuar, por kryesimi i vendit me BE-në është vlerësuar si i suksesshëm.

Diplomatët në Bruksel thonë se nuk janë të sigurt nëse Çekia do të organizojë ndonjë takim të liderëve të BE-së me kolegët nga Ballkani Perëndimor.

Një diplomat i lartë tha se samiti i fundit në Bruksel i BE-së me liderët e rajonit, që është mbajtur javën e kaluar, ka qenë “një dështim aq i madh, saqë tani do të ketë hezitim të organizohet një takim i tillë, nëse nuk ka sinjale të qarta se do të ketë progres konkret” për vendet që aspirojnë integrimin në BE.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *