Bota

“Nuk mund t’i pezullojmë jetët tona”: Ukrainasit fillojnë rindërtimin

Në periferi të një fshati ukrainas qëndrojnë mbetjet e një shkolle të vogël që u shkatërrua pjesërisht në javët e para të pushtimit rus.

E rrethuar nga pisha të larta, dritaret e thyera të shkollës ofrojnë pamje të klasave të braktisura që nuk ka shumë gjasa të mbushen me nxënës për një kohë të gjatë. Është vetëm një nga shumë objektet në Yahidne që është shkatërruar nga lufta, shkroi AP të enjten.

Por, ky fshat dhe të tjerë gradualisht po rikthehen në jetë, disa muaj pasi trupat ruse u tërhoqën nga rajoni i Chernihivit. Tani njerëzit po riparojnë shtëpitë dhe zhurma e pajisjeve të ndërtimit mbush ajrin. Vullnetarët nga e gjithë Ukraina, dhe shtete të tjera, po vijnë për ndihmë sepse ka shumë punë për të bërë para se të afrohet dimri.

Në mesin e punëtorëve është një autor dhe një kameraman të cilët po riparojnë kulmin e ndërtesës para shkollës qe disa ditë nën diellin përvëlues.

Denys Ovcharenko dhe Denys Huschyk erdhën nga kryeqyteti. Ata iu bashkuan një organizate ndërtimi bamirëse e quajtur Dobrobat.

Burrat dhe 22 vullnetarë të tjerë ndihmojnë bashkatdhetarët të rikthehen në shtëpitë e tyre sa më shpejtë.

Lexo më shumë  Ministri gjerman: Rusia nuk do të pranohet sërish në G7

“Derisa këta djem po na mbrojnë ne, ne punojmë këtu”, tha Huschyk.

Askush në fshat nuk planifikon ta rindërtojë shkollën, e cila ishte përdorur nga rusët si bazë. Fshatarët preferojnë të mos e përmendin fare.

Shumica e banorëve të Yahidnes – rreth 400 persona – kaluan një muaj në bodrumin e shkollës ku u mbajtën gjatë gjithë kohës si mburoja njerëzore për t’i mbrojtur rusët nga ndonjë sulm nga ushtria ukrainase.

Pak herë trupat ruse lejuan fshatarët të ngjiteshin lartë dhe të dilnin në kopsht. Por, kjo nuk ishte e mjaftueshme. Dhjetë persona vdiqën në errësirë, në bodrumin e mbushur me njerëz. Të mbijetuarit fajësojnë mungesën e ajrit të pastër.

Rusët lanë fshatin në fund të muajit mars.

Grupi Dobrobat planifikon të riparojë kulmet e 21 shtëpive gjatë javëve në vijim. Vullnetarët përfshijnë mësues, atletë dhe programues. Rreth 80% e tyre nuk kanë eksperiencë në ndërtim.

Një baba dhe djali i tij nga Republika Çeke vendosën ta kalonin pushimet vjetor sivjet në Ukrainë. Michal dhe Daniel Kahle e shohin njëri-tjetrin vetëm disa javë çdo verë, pasi djali studion në SHBA.

Lexo më shumë  Parlamenti i Ukrainës miraton rezolutën që rikonfirmon legjitimitetin e Zelenskyt

“Ne donim të bënim diçka kuptimplotë në vend që të jemi vetëm turistë”, tha Danieli.

Ata shkuan në Makariv në rajonin e Kievit dhe u bashkuan me lëvizjen vullnetare “Building Ukraine Together”. Shumë ndërtesa atje janë shkatërruar ose dëmtuar në javët e para të luftës.

“Është lojë e gjatë. Nuk mund të pezullojmë jetët tona, të ulemi në shtëpi dhe të presim që lufta të përfundojë”, ka thënë Tetyana Symkovych, koordinatore e grupit vullnetar në Makariv.

Shumë ukrainas dalin vullnetarë sepse duan të ndihmojnë. Por, kjo nuk është e vetmja arsye për Yulia Kapustienko që përditë të dalë si vullnetare në ndërtimin e vendit të saj. Në fund të prillit, ajo la Mariupolin pas dy muajsh në qytetin e rrethuar.

“Kam parë trupa të vdekur dhe shtëpi të djegura. Ende, kur shoh një shtëpi normale, automatikisht imagjinoj çfarë do t’i ndodhë pasi ta godasë ndonjë raketë”, tha ajo. “Është e pamundur ta fshish këtë nga mendja. Por në të njëjtën kohë, mundohem të mos ngec në të kaluarën, kështu që është e rëndësishme për mua të bëj diçka, të marr përgjegjësi”.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *