EditorialKryesore

Dialog imagjinar mes Zelenskit dhe Ramës

Nga Stiv Roi

Nëse Zelensky do të kishte patur kohë, mes tij dhe Edi Ramës do të zhvillohej një dialog pak a shumë i tillë:

Rama : Ju duhet ta njihni Kosovën, meqë jeni kundër Rusisë.

Zelensky : Nuk e di përse ka rëndësi për ju si kryeministër i Malit të Zi ?

Rama : Jo, e keni kuptuar gabim. Unë jam kryeministri i Shqipërisë.

Zelensky: Atëherë përse nuk i kërkoni serbëve ta njohin Kosovën? Meqë ju i keni vënë sanksione Rusisë dhe meqë më keni nderuar me vizitën tuaj, besoj se do të ishte e natyrshme ta kërkonit njohjen e Kosovës për të ndihmuar edhe Ukrainën.

Rama: Unë nuk mund t’ia kërkoj njohjen e Kosovës Serbisë, sepse ne jemi të interesuar për Ballkanin e Hapur.

Zelensky: Pra, Kosova duhet të mbetet çështje e mbyllur që Ballkani juaj të jetë i hapur ?

Rama: Deri diku po. Ne as gjenocidin serb mbi shqiptarët e Kosovës nuk mund ta dënojmë, sepse qëllimi ynë është Ballkani i Hapur.

Zelensky: Përse është kaq i rëndësishëm Ballkani i Hapur për shqiptarët e ndarë?

Rama: Sepse vetëm po u bashkuam me Serbët mund të bëjmë bashkimin e shqiptarëve.

Zelensky: Sipas idesë suaj, ne ukrainasit vetëm po u quajtëm rusë, mund të jetojmë si ukrainas.

Rama: Te ne ka qenë dhe është zakon të mendojmë në këtë formë. Më parë kemi menduar jugosllavisht. Tani po mendojmë ballkanhapurisht.

Zelensky: Ne po bëjmë luftën që po bëjmë vetëm sepse po mendojmë ukrainisht. Ne e dimë se të shkosh mirë me rusët do të thotë të pranojmë të quhemi rusë, edhe pse jemi 44 milionë.

Rama: Por nëse ju do të bënit një bashkim rajonal me rusët, me katër parimet e qarkullimit të njerëzve, mallrave…

Lexo më shumë  Kurti: Kemi nisur procedurat për ankandin e parë të erës me kapacitet prej 100 MW

Zelensky: Atëherë ai bashkim do të quhej Rusi, si dikur ajo e sovjetëve. Ne nuk jemi budallenj të përsërisim gjithnj të njëjtin gabim. As Rusinë perandorake, as atë të sovjetëve, e as të të Putinit ne nuk e duam. Nga ky fat i keq i bashkimit me rusët, kushdo që vjen te ne na thotë se jemi rusë.

Rama: Por ne nuk do të bëjmë Jugosllavinë. Ne do të bëjmë Ballkanin. Me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Zelensky: Pra ju do të bëni Jugosllavinë e vogël me Serbinë e madhe, kur nuk ishit të zotët që të kishit zë kundër Jugosllavisë së madhe me Serbinë e vogël.

Rama: Nuk ka më rrezik. Serbia është moderuar, ajo është evropiane dhe demokratike.

Zelensky: Dhe ju nuk guxoni të dënoni gjenocidin e Millosheviçit?!

Rama: Ka kaluar shumë kohë nga ai gjenocid. Pothuaj çerek shekulli.

Zelensky: Për moshën e një populli apo një kombi, gjenocidi paska ndodhur dje.

Rama: Serbët janë popull me kulturë.

Zelensky: Natyrisht, të njëjtën kulturë kishin edhe kur kryenin masakrat. Po, po. Këtë këngë na kënduan edhe ne për Rusinë. Rusia është zhvilluar, ajo e do paqen. Rusia është vendi i kulturës së madhe. Por vetëm se ajo na përcaktonte edhe presidentin. Ndërsa opozitarët i helmon, vret apo i burgos. Ndoshta Aleksandari juaj është ndryshe.

Zelensky: Pa më thoni pak. A nuk është Serbia i vetmi vend i Ballkanit që nuk i ka vendosur sanksione Rusisë?

Rama: Po, e vërtetë. Por Serbia duhet mirëkuptuar. Ajo është nën presionin rus.

Zelensky: Nuk besoj se mund të më flisni mua dhe ukrainasve të tjerë për presionin rus. Ne na bien bombat ruse mbi kokë, ndërsa Serbia e merr gazin rus me çmim preferencial.

Lexo më shumë  Ç’tregon celulari i tenderit që mori në qafë Benet Becin?

Rama: Ah e gjora Serbi, i shkreti Aleksandar! Sikur ta dinit ju hallin që e ka zënë.

Zelensky: Kjo tregon se Kosova sipas jush nuk ka asnjë hall. Me sa di unë, edhe emrin e vet e shkruan me fusnotë.

Rama: Po ne për këtë po mundohemi. Duhet të bashkohemi me Serbinë që të bashkohemi me Kosovën.

Zelensky: Si duket edhe ju jeni mësuar ta shihni veten ndryshe, jo si shqiptar. Madje i keni mësuar edhe të tjerët të mos ju mendojnë si shqiptarë, por vetëm si të nënshtruar ndaj të tjerëve. Si duket ju mendoni se emri shqiptar nuk mund të jetë kurrë emër në modë, as shqiptarët nuk mund të jenë njerëz në modë.

Rama: Serbët janë popull me kulturë. Ata kanë Mihajlloviçin, Bregoviçin, por mbi të gjitha Vuçiçin.

Zelensky: Tani jam i zënë me drejtimin e luftës, ndaj nuk e kam shumë mendjen te gjenitë e Rusisë. Ne nuk po bëjmë luftë sepse jemi gjeni, po bëjmë luftë vetëm pse jemi ukrainas. Dhe nuk mendojmë se na ka sulmuar ndonjë ushtri e drejtuar nga gjenerali Dostojevsk, apo nga gjenerali Mendelejev. Ne jemi ukrainas dhe ai që na sulmon është Putini.

Rama: Për ne nuk është njësoj. Aleksandari është njeri shumë i mirë. Ai e do paqen dhe zhvillimin. Kështu ka qenë që i vogël.

Zelensky: Më falni, por tani duhet t’ju falenderoj që u lodhët deri këtu më kot. Ju paskeni ngatërruar derë. Unë nuk dua t’ia di se ç’dëshironte Putini kur ishte i vogël. Po ju lë me Aleksandarin tuaj dhe po ju uroj udhëtim të këndshëm në shoqërinë e Abazoviçit.

©Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *