Lajme

Arrestohet malazezi i dyshuar se ka bërë krime lufte në Kosovë me forcat paramilitare serbe

Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar të hënën një shtetas të Kosovës të kombësisë malazeze,  nga fshati Vitomiricë në Pejë, të dyshuar se ka kryer krime lufte kundër popullsisë civile në Kosovë.

Rasti ka të bëjë me ofensivën e forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe më datën 7 maj të vitit 1999 në rajonin e Pejës, ku u vranë nëntë civilë shqiptarë dhe u zhdukën pesë tjerë. M.D. dyshohet se ka marrë pjesë në krimin. 

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, njofton opinion publik se, pas një pune hetimore disamujore nga ana e Njësisë për Hetimin e Krimeve të Luftës në kuadër të Policës së Kosovës në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit, sot, me datën 27.06.2022 ka arrestuar shtetasin M.D. nga fshati Vitomiricë, Komuna e Pejës, i nacionalitetit malazez, shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Krim i luftës kundër popullsisë civile, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ( tutje “LP-RSFJ”), si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale, aktualisht i sanksionuar sipas veprës penale Krime lufte në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët për konventat e Gjenevës, e sanksionuar me nenin 146 lidhur me nenin 31 të Kodit Nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës.

Rasti ka të bëjë me ofensivën e forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe të datës 07.05.1999 në regjionin e Pejës, ku dyshohet se u vranë nëntë (9) civilë të nacionalitetit shqiptar dhe janë zhdukur pesë (5) persona të tjerë po ashtu civilë shqiptarë.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i pandehuri gjendet nën masën e arrestit dhe ndalimit policor, për t’u dërguar para Gjyqtarit të Procedurës Paraprake, brenda afatit ligjor“, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *