Kaliningradi mund të shkaktojë nisjen e luftës frontale midis Rusisë dhe Perëndimit
Nga Pierre Haski
Është një enklavë e vogël dhe e izoluar prej 15 mijë kilometrash katrorë, në të cilën jetojnë rreth 500 mijë njerëz, dhe mbi të cilën valëvitet flamuri rus. Që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës, cilido që përpiqet të hamendësojë se ku mund të përshkallëzohet situata në të ardhmen, flet për këtë anomali të historisë, por që ka një potencial vërtet shpërthyes: Kaliningradi.
Për të kuptuar arsyen, mjafton që të shihni mbi një hartë gjeografike. Tani përshkallëzimi i frikshëm, duket se është mbi të gjithë në Evropë dhe Perëndim. Kaliningradi është një territor shumë i armatosur i Federatës Ruse, ne kufi midis Polonisë dhe Lituanisë, dhe pa asnjë lidhje me pjesën tjetër të Rusisë.
“Furnizimet ushqimore dhe çdo gjë tjetër, kryhet përmes një korridori 35 kilometra të gjerë midis kufijve të Polonisë dhe Lituanisë, që të dyja vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Por tani Lituania ka vendosur të vendosë sanksione të forta ndaj produkteve ruse me destinacion Kaliningradi. Rusia reagoi ashpër të hënën me fjalë shumë kërcënuese: në rast se nuk rivendoset në tërësi linja transit, “Rusia rezervon të drejtën të veprojë për të mbrojtur interesat e saj kombëtare”, deklaroi Moska.
Një rrezik shumë i madh
Por përse Lituania ka vendosur të veprojë pikërisht tani? Dhe mbi të gjitha, a ka rënë dakord Vilniusi për veprimin e tij me partnerët evropianë dhe të NATO-s? Është e qartë se nëse Kremlini ka vendosur të kundërpërgjigjet për të rivendosur me forcë linjën e kalimit tranzit midis Kaliningradit dhe Bjellorusisë (dhe prej andej në Rusi), ekziston një rrezik i konsiderueshëm i përshkallëzimit të situatës.
Reagimi i parë erdhi nga Brukseli, ku Përfaqësuesi i Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell, i hodhi poshtë kërcënimet ruse, duke theksuar se Lituania nuk është “fajtore për asgjë”. Sipas Borrell, Lituania vetëm sa ka zbatuar modalitetet e sanksioneve të miratuara nga Bashkimi Evropian.
Është e qartë se Moska nuk mendon njëlloj, dhe e konsideron këtë veprim si një angazhim të mëtejshëm nga ana e NATO-s. Aktualisht nuk ka asnjë “bllokadë” ndaj Kaliningradit, të ngjashme me atë të vendosur në Berlinin Perëndimor gjatë Luftës së Ftohtë nga kampi sovjetik.
Kjo sepse Kaliningradi mund të furnizohet ende në rrugë detare. Por më 20 qershor, banorët e enklavës ruse mësynë në supermarkete në panik e sipër. Prandaj Moska nuk mund të qëndrojë pasive. Rreziku është edhe më i madh, kur kemi parasysh faktin se Kaliningradi është një nga territoret më të militarizuara në botë.
Aty ndodhen të pozicionuara raketat balistike dhe armë bërthamore, përveç flotës ruse të Baltikut. Kjo rritje e madhe e tensioneve, nxjerr në pah edhe një paradoks historik. Dikur në këtë rajon ekzistonte “Korridori i Gdanskut”, që iu imponua Gjermanisë në vitin 1919, për t’i lejuar Polonisë daljen në det.
Në vitin 1939 Gjermania naziste vendosi ta rimarrë atë pas aneksimit të Sudeteve. Një slogan pacifist i përhapur në Francë në vitin 1939 thoshte: “A duhet të vdesim për Dancigun!”. Në fund, lufta nuk u shmang.
Pas fundit të luftës, Bashkimin Sovjetik aneksoi nga Gjermania qytetin e Kënigsbergut si një formë kompensimi, i riemërtuar si Kaliningrad, dhe i pajisur me një korridor të mbiquajtur Suvalki për të arritur në Bjellorusi, në atë kohë pjesë e Bashkimit Sovjetik.
I njëjti devijim si “Korridori i Gdanskut”.
“A duhet të vdesim për Kaliningradin?” Nuk kemi arritur ende në atë pikë, por qyteti i origjinës së filozofit Emanuel Kant, është gati të bëhet një plagë që duhet trajtuar menjëherë, për të shmangur një plagë edhe më serioze në përballjen midis Rusisë dhe Perëndimit. Kjo trashëgimi helmatisëse e shekullit XX-të, i ka të gjithë përbërësit për të shkaktuar një krizë të madhe. /Internazionale/
Rruga Press