Lajme

Hidhen dyshime korrupsioni në projektin e Aeroportit të Vlorës që për investitor e ka Pacollin

“Pjesëmarrës në garë ka qenë një kompani britanike, e cila akuzon Qeverinë se ka ndryshuar kriteret e garës pak ditë përpara përfundimit të saj. Dy javë përpara përfundimit të garës. Pikërisht pas këtyre ndryshimeve ka hyrë në lojë konsorciumi fitues që është regjistruar më 1 mars 2021 dhe është shpallur fitues 3 ditë më pas”, ka thënë deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku. “Përpos shkatërrimit të natyrës dhe ekosistemit duke përdhosur një nga zonat e mbrojtura ligatinore projekti në vetvete është korruptues”

Opozita në Shqipëri ka hedhur akuza të premten ndaj koncesionit për ngritjen e Aeroportit të Vlorës, i fituar nga biznesmeni dhe politikani nga Kosova, Behgjet Pacolli.

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar për ndërtimin e këtij Aeroporti, duke e konsideruar një projekt korruptues dhe pa garë. Në një paraqitje për mediat, Tabaku ka thënë se aeroporti po ndërtohet në një zonë të mbrojtur, duke rrezikuar kështu ekosistemin dhe natyrën.

Deputetja demokrate ka shprehur pretendimin se Qeveria ka favorizuar një nga kompanitë fituese, e cila është e afërt me kryeministrin Edi Rama. Ajo ka rikujtuar se në garë ka qenë edhe një kompani britanike, e cila akuzon Qeverinë shqiptare se ka ndryshuar kriteret e garës dy javë para përfundimit të saj.

“Kontrata koncesionare me vlerë 138.2 milionë euro është fituar nga një konsorcium që zotërohet nga dy kompani: e para është kompania turke që ndërtoi falas spitalin e Fierit dhe kompania e dytë është e afërt me kryeministrin Edi Rama. Përpos kësaj, historia e garës së këtij koncesioni me vlerë 138.2 milionë euro është e mbuluar me dyshime të mëdha”, ka thënë deputetja Tabaku. “Pjesëmarrës në garë ka qenë një kompani britanike e cila akuzon Qeverinë se ka ndryshuar kriteret e garës pak ditë përpara përfundimit të saj. Dy javë përpara përfundimit të garës. Pikërisht pas këtyre ndryshimeve, ka hyrë në lojë konsorciumi fitues që është regjistruar më 1 mars 2021 dhe është shpallur fitues 3 ditë më pas”.

Lexo më shumë  Kurti: Kemi nisur procedurat për ankandin e parë të erës me kapacitet prej 100 MW

Pasi ka paraqitur para mediave hartën e zonës ku do të ndërtohet projekti, deputetja e Partisë Demokratike ka theksuar se aeroporti po ndërtohet në një zonë të mbrojtur, duke rrezikuar kështu ekosistemin dhe natyrën.

“Këtu përpara jush po ju tregoj këtë pamje: në të majtë ne kemi zonën e Vjosë-Nartës e që ka qenë zonë e mbrojtur. Në të djathtë kemi të njëjtin park, por që, siç e shihni, në mes aty ka një njollë aeroporti dhe rruge, tani pikërisht për atë njollë aty zonja Kumbaro thotë që është jashtë zonës së mbrojtur dhe jashtë parkut”, ka thënë ajo. “Ftoj çdo shqiptar që ta shohë me sytë e tij dhe të gjykojë vetë a është ky aeroport jashtë zonës së mbrojtur. Përveç aeroportit, këtu do të ketë dhe një zonë tjetër zhvillimore. Por, përpos shkatërrimit të natyrës dhe ekosistemit duke përdhosur një nga zonat e mbrojtura ligatinore projekti në vetvete është korruptues”.

Më 20 prill të vitit 2021 është nënshkruar kontrata me kompaninë fituese për ndërtimin e aeroportit të Vlorës, që është planifikuar të finalizohet brenda 4 viteve të ardhshme dhe do të jetë i treti aeroport në Shqipëri në të cilat fluturimet do të jenë transoqeanike.

Fitues për ndërtimin e tij ishte shpallur konsorciumi i kompanive të themeluara në Zvicër, ku pjesa më e madhe e aksioneve, 50 përqind, zotërohet nga Mabetexi, kompani e biznesmenit Behgjet Pacolli. Ndërkaq, 48 përqind e aksioneve i takojnë “YDA Group”, firmë që ka ndërtuar Spitalin e Fierit, dhe e cila ka bazë në Ankara. E, zotërues i 2 përqind të aksioneve tjera është “2A Group”.

Lexo më shumë  Ç’tregon celulari i tenderit që mori në qafë Benet Becin?

Punimet për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës kanë nisur më 28 nëntor të vitit 2021, pavarësisht kundërshtimeve të shumta nga organizatat kombëtare dhe ndërkombëtare, për shkak të vlerave të larta natyrore që ka zona e mbrojtur Vjosë-Nartë.

Aeroporti i Vlorës ishte një premtim elektoral i kryeministrit Edi Rama. Dy ditë para ceremonisë së fillimit të punimeve, në 20 organizata mjedisore dhe katër ekspertë të njohur të mjedisit janë mbledhur në Tiranë për të kundërshtuar atë.

Me kosto prej 104 milionë eurosh, aeroporti është parashikuar të shtrihet në një sipërfaqe prej 297 hektarësh, ndërsa punimet do të kryhen nga një konsorcium kompanish të kryesuara nga Pacolli.

Me vendim të Qeverisë së Shqipërisë, për 10 vjetët e parë shteti do t’ia kompensojë Aeroportit të Vlorës fitimin e munguar të koncesionarit, në rast se ai nuk arrin të sigurojë të ardhurat minimale të përcaktuara në kontratë përmes shërbimeve aeroportuale. Vendimi tashmë është publikuar në Fletoren Zyrtare.

Qeveria shqiptare ka shfrytëzuar hapësirën që lë Ligji për ndihmën shtetërore, për t’i siguruar koncesionarët se ata nuk rrezikojnë të përballen me humbje në rast se nuk sigurojnë dot të ardhurat e nevojshme. Ky Ligj i jep të drejtë shtetit të mbështesë financiarisht subjekte private që ai i vlerëson me rëndësi strategjike.

Një ditë para mbajtjes së mbledhjes së përbashkët që javën e shkuar të dyja qeveritë e mbajtën në Prishtinë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka qëndruar në Kosovë dhe ka vizituar edhe disa biznese. Në një nga to pritje i ka organizuar edhe Pacolli, i cili në një çast e ka prezantuar Ramën si “Kryeministri më i mirë në botë”./Koha.net

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *